20.9 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Shumë persona mund të kenë imunitet ndaj koronavirusit

Më të lexuarat

Shumë më tepër njerëz mund të jenë infektuar me koronavirus dhe kanë fituar imunitet ndaj tij sesa që ishte menduar më herët, ka treguar të premten një studim i rëndësishëm i kryer në Gjermani.

Shkencëtarët, të cilët e ndërmorën studimin në qytetin që ishte vatër e shpërthimit të parë të madh epidemiologjik në Gjermani, kanë bërë të ditur të kenë gjetur antitrupa të virusit te personat që nuk kanë shfaqur simptoma të sëmundjes COVID-19 dhe që më herët nuk kanë menduar se kanë qenë të infektuar.

Rezultatet fillestare, të cilat fillimisht janë bërë të ditura gjatë së enjtes, kanë sugjeruar se më shumë se 15 për qind e banorëve të qytetit ku është kryer studimi mund të kenë imunitet ndaj sëmundjes – shifër kjo që është trefish më e lartë sesa ishte përllogaritur më herët.

Gjetjet sugjerojnë se shkalla e vdekshmërisë nga virusi në Gjermani është vetëm 0.37 për qind – pesëfish më e ulët sesa ishte menduar në vlerësimet e mëhershme.

“Kjo do të thotë se zbutja graduale e masave të mbylljes tanimë është e mundur”, ka thënë profesori Hendrik Streeck, virologu kryesor që mori pjesë në studim, duke folur gjatë një konference për shtyp.

“Për shkak se njerëzit në Gjermani kanë qenë kaq të kujdesshëm dhe të disiplinuar, ne tani jemi në gjendje që të lëvizim drejt fazës së dytë”, ka shtuar ai.

Mirëpo, kancelarja gjermane, Angela Merkel, i ka zbehur gjasat për shfuqizimin e hershëm të masave të bllokimit, duke u thënë gjermanëve: “Nuk duhet të jemi të pamatur tani. Mundemi shumë shpejt ta shkatërrojmë të gjithë atë që e kemi arritur deri më tani”.

Studimi i ndërmarrë në qytetin Gangelt të distriktit të Heinsbergut është i pari i këtillë në Evropë, që i studion efektet e virusit në një komunitet të tërë.

Shkencëtarët nga Universiteti i Bonit janë duke i testuar rreth 1.000 persona nga 400 amvisëri të ndryshme për antitrupa, si dhe për shenjat e infektimit aktual.

Rezultatet fillestare, bazuar në rreth gjysmën e këtyre testeve, kanë treguar se 2 për qind e banorëve janë aktualisht të infektuar dhe se 14 për qind kanë antitrupa ndaj virusit.

Në përgjithësi, kjo sugjeron se 15 për qind e banorëve të qytetit tanimë kanë imunitet – që është po ashtu shifër dukshëm më e lartë sesa 5 për qind që ishte menduar më parë.

“15 përqindëshi nuk është një shifër aq e largët prej 60 përqindëshit sa na nevojitet për imunizimin e turmës”, ka thënë profesori Gunther Hartmann, një tjetër pjesëtar i studimit, shkruan Koha Ditore.

“Me imunizimin e turmës prej 60 deri në 70 për qind, virusi do të zhduket tërësisht prej popullatës. Atëherë, të moshuarit nuk do të jenë më në rrezik”.

Të dhënat, megjithatë, nuk mund të zbatohen edhe për pjesën tjetër të Gjermanisë, ngase Gangelti ka pasur shkallë më të lartë të infektimeve. Por, autorët e studimit kanë thënë se ekzistojnë baza për optimizëm të matur.

Shkalla e imunizimit prej 15 për qind tanimë është mjaftueshëm e lartë për ta ngadalësuar dukshëm përhapjen e virusit, kanë thënë ata në një deklaratë të përbashkët.

Studimi sugjeron po ashtu se shkalla e vdekshmërisë nga virusi mund të jetë më e ulët sesa mendohej më herët. Është konstatuar se shkalla e vdekshmërisë është 0.37 për qind, krahasuar me përllogaritjen aktuale prej 1.98 për qind të Universitetit “Johns Hopkins” për Gjermaninë.

Autorët e studimit kanë thënë se gjetjet e tyre mund të jenë më të përafërta me shifrat rreth virusit, për shkak se kanë detektuar kaq shumë infektime të paditura më parë.

“Shkalla shumë më e ulët e vdekshmërisë në Gangelt shpjegohet nga fakti se ky studim i detekton të gjithë personat e infektuar, përfshirë ata që nuk kanë simptoma apo ata me shenja shumë të buta të sëmundjes”, kanë thënë ata.

Testimet për antitrupa të virusit janë, megjithatë, ende në fazë të hershme.

Shkencëtarët kinezë kanë publikuar një studim të tyrin, në të cilin konfirmohet të kenë detektuar antitrupa për të parën herë gjatë kësaj jave. Por, ata kanë tërhequr vërejtjen se nuk kanë mundur të detektonin të tillë te disa pacientë, të cilët ishin konfirmuar si të infektuar.

Nuk dihet, ndërkaq, se sa mund të zgjasë imuniteti ndaj virusit, i fituar prej ndonjë infektimi të mëparshëm, ndonëse përvojat me viruse të tjerë të ngjashëm sugjerojnë se imunizimi mund ta ketë një shkallë veprimi prej një viti deri në 18 muaj.

“Mendoj se gjëja më e rëndësishme që të gjitha qeveritë mund të bëjnë për ta adresuar virusin është që të sigurojnë të dhëna të qëndrueshme”, ka thënë profesori Streeck, shkencëtari kryesor i studimit. “Ende nuk dimë mjaftueshëm gjëra lidhur me këtë virus”.

Autorët e studimit kanë thënë se gjetjet janë një lloj baze për fillimin e procesit të heqjes së masave aktuale të bllokadës dhe për lëvizje drejt fazës së izolimit të grupeve të brishta, të cilat janë më të rrezikuarat.

Jens Spahn, ministër gjerman i Shëndetësisë, ka sugjeruar më herët se zbutja e masave të bllokadës mund të jetë e mundur pas Pashkëve.

“Jemi dëshmitarë të një trendi pozitiv, por ky trend duhet të vazhdojë”, ka thënë Spahn. “Në rast se vazhdon, atëherë mund të flasim…. rreth kthimit gradual në normalitet pas festave të Pashkëve”.

Por, Merkeli sërish e minimizoi mundësinë e zbutjes së hershme të kufizimeve, shkaku i shqetësimit se qytetarët mund të tregohen më pak të disiplinuar rreth zbatimit të masës së distancimit social gjatë festave.

“Do të doja të isha e para që ju them se gjithçka është ashtu siç ishte dhe se mund t’i rikthehemi normales, por kështu ende nuk është”, ka thënë ajo.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit