18.3 C
Pristina
Tuesday, May 14, 2024

Shteti njërin vëlla të familjes Aziri e burgosi dhe i mori 40 hektarë tokë tek Liqeni i Smillkovës (VIDEO)

Më të lexuarat

Toka rreth Liqenit të Smillkovës ka qenë në shfrytëzim të familjes Aziri. Sipas dokumenteve që posedojnë ata, Fejzi Aziri ka marrë me qira prej shtetit rreth 40 hektarë tokë bujqësore që nga viti 2006. Por, kjo kontratë u prish para kohe, pikërisht më 29 maj të viti 2012 me arsyen se qiraja nuk është paguar me kohë. Bedri Ajdari sqaron se pagesa u vonua për shkak se vëllai i tij, Fejziu ishte në burg, i arrestuar nga 1 maji i 2012-ës, në grupin e të akuzuarve për vrasjen e pesëfishtë, që ndodhi tek Liqeni Smillkovës.

“Atje ku ka ndodhur rasti, apo atje ku përfundimisht ka përfunduar rasti, ka qenë toka e marrur prej shtetit nga familja jonë me qira për 30 vjet. Në asnjë mënyrë nuk do të mundnin të na shkëpusnin marrëveshjen, por në këtë rast e bënë edhe atë, e morën tokën ata “çaushët” e familjeve të “kapadaive” maqedonas. E morën tokën dhe me një goditje bënë edhe pastrimin e atyre fëmijëve dhe familjet tona i burgosën”, tha Bedri Ajdari, Familjar i të burgosurve në rastin “Mostra”.

Nga Agjencia për Kadastër dhe Patundshmëri thonë se parcela shtetërore përskaj Liqenit të Smillkovës nuk është e evidentuar në regjistrat e tyre se a është ose ka qenë e dhënë me qira tek ndonjë person fizik apo juridik. Sipas drejtorit të kësaj Agjencie, Sllavçe Trpeski, kjo nuk do të thotë se ajo tokë nuk ka qenë e dhënë ndonjëherë me koncesion, por vetëm se e njëjta nuk figuron në hartën e kadastrës për prona të patundshme.

“Agjencia për Kadastër dhe patundshmëri i regjistron marrëveshjet për qiradhënie, si nga pala e personave juridik ashtu edhe atyre fizik, të cilët japin me qira banesa, tokë për ndërtimtari dhe tokë bujqësore. Sipas evidencës dhe në kuadër të regjistrit për çmime, publikohen ato të dhëna. Por, arsyet për prishjet e marrëveshjeve të qirasë nuk i shqyrtojmë dhe nuk na janë të njohura ato informacione”, u shpreh Sllavçe Trpeski, Drejtor i Agjencisë për Kadastër dhe Patundshmëri.

Sipas dokumenteve që i posedon familja Aziri, marrëveshja është lidhur me Ministrinë e Bujqësisë, për shfrytëzimin e tokës bujqësore me dy parcela. Kontratën e ka nënshkruar ish ministri i bujqësisë Lupço Dimovski, të dhënë me tender për shfrytëzim afatgjatë për 30 vjet. Por, familja Aziri, këtë e shfrytëzoi vetëm 6 vjet, deri në natën e kobshme, që sipas Bedri Ajdarit, jo vetëm që ju morën tokën në mënyrë të jashtëligjshme, por edhe i dënuan për vrasjen e pesëfishtë të ndodhur më 12 prill të viti 2012.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit