16.8 C
Pristina
Sunday, June 16, 2024

Shteti i pafuqishëm përballë gurthyesve

Më të lexuarat

Kosova po rrafshohet. Ekskavator gjigantë që gërryejnë çdo ditë për të nxjerrë gurë po rrezikojnë seriozisht të zhdukin kodrat. Makineri të tilla shihen pothuajse në çdo pjesë të vendit.

Mirëpo dy institucionet kryesore për ruajtjen e resurseve natyrore në Kosovë nuk e dinë as sa gurthyes punojnë me licencë e sa të tillë operojnë ilegalisht.
Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale japin shifra të ndryshme sa i përket gurëthyesve. Për MMPH-në në Kosovë me licencë operojnë 140 gurthyes, ndërsa sipas të dhënave të KPMM-së janë 188 sosh, shkruan gazeta Fjala.
“Numri i gurthyesve në Kosovë është rreth 140”, kanë thënë për Gazetën Fjala nga Zyra për informim e KPMM-së, derisa shifër krejt tjetër kanë dhënë nga Ministria e Mjedisit.
“Numri i gurthyesve në Kosovë me licencë është 188 (Licenca te shfrytëzimit)”, ka thënë Bajram Kadriu, zyrtar për informim në MMPH.
Këto dy institucione, përgjegjëse për ti ruajtur resurset natyrore, pavarësisht faktit se të dyja kanë inspeksione për mbikëqyrje në terren, por asnjëra del se nuk posedon shifra të sakta për numrin e gurthyesve.
Në përgjigjet e tyre për Gazetën Fjala ato më shumë e kanë hedhur fajin tek njëra tjetra, sesa që kanë dëshmuar me fakte për rrezikun nga operatorët ilegal që po e shkatërrojnë mjedisin.

Kjo pavarësisht se me legjislacionin në fuqi obligohen për kontroll të mirëfilltë në terren. Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit sipas ligjit ka përgjegjësi të merret me rastet kur ka ndotje të mjedisit, ndërsa KPMM-ja për taksat dhe pagesat.
Në anën tjetër, gjendja në terren është alarmante.
Sipas ekspertëve, në Kosovë po shkatërrohen më të madhe lumenjtë, malet e resurset tjera natyrore.
Për këtë rrezik ka folur së fundi ish-zyrtari i Ministrisë së Mjedisit, Besim Dobdruna, njehërit ekspert në këtë fushë. Ai ka thënë se mungon në tërësi kontrolli mbi gurthyesit nga kjo ministri, dhe ka alarmuar për rrezikun e shkatërrimit të resurseve natyrore.
Dobruna, i cili deri me 2015 ka qenë pjesë e MMPH, ka prezantuar dokumente përmes të cilave ai pretendon se brenda kësaj ministrie gjithë këto vite ka ekzistuar një skemë e mashtrimit, ku përfitues kanë qenë vetëm operatorët privat dhe njerëz të lidhur me ta.
“Supozimi i analizës për periudhën 2008-2015 është që me mosveprim të MMPH-së, buxheti i Kosovës është dëmtuar 150-200 milionë euro dhe në favor të operatorëve. Ndërsa prej 2009-2017 buxheti është dëmtuar mbi 400 milionë euro nga MMPH”, thuhet në analizën “Shpërdorimi i resurseve natyrore”, e realizuar nga instituti INECO, e cila drejtohet nga Dobruna.
Me legjislacionin në fuqi, Ministria e Mjedisit duhet të vendos taksë për operatorët që i kanë shpërdoruar resurset natyrore. Por kjo sipas Dobrunës nuk ka ndodhur as në rastin e ujit e as në rastin e gurëthyesve, e as tek dëmtuesit e lumenjve e operatorëve që e ndotin ambientin përmes eksploatimit të mineraleve.
KPMM i fsheh emrat e gurthyesve ilegalë
Kjo papërgjegjshmëri e institucioneve ka bërë që sot në Kosovë të operojnë dhjetra, në mos qindra gurthyes ilegalë.
Sipas KPMM-së, për momentin janë 49 gurthyes ilegal që operojnë, mirëpo ky institucion nuk e ka parë të arsyeshme t’i publikoj emrat e tyre, pavarësisht insistimit të gazetës dhe kërkesës për qasje në dokumente publike.
Në bazë të evidencës që KPMM-ja ka vetëm për vitin 2017 janë dërguar në Prokurorit kompetente 46 kallëzime penale për veprime ilegale dhe janë në procedurë të shqyrtimit.
“Gjithashtu deri tani i kemi dërguar edhe 50 vendime për gjoba ne përputhje me nenin 79 te Ligjit për Minierat dhe Mineralet Nr. 03/L-163”, thuhet në përgjigjet e KPMM-së.
Zyrtarët e këtij institucioni mospublikimin e listës së ilegalëve e arsyetojnë me hetimet që po zhvillohen nga prokuroria.
“Lista e veprimeve të jashtëligjshme-ilegale nuk është për publikun pasi që të gjitha këto kallëzime penale që i kemi dërguar në Prokurorit kompetente janë në procedurë të shqyrtimit dhe publikimi i tyre do të ndikon në zhvillimin e procedurës dhe derisa Gjykatat kompetente të marrin vendim meritor nuk mund të i marrim si veprime ilegale derisa vendimi bëhet i plotfuqishëm dhe të ekzekutohet”.
Sa para mblidhen nga ky sektor
Por Dobruna në një analizë të tij lidhur me ketë sektor, thotë se KPMM-ja ka arritur ndër vite që në bazë të kompetencave të saj të inkasojë mjetet nga taksat dhe obligimet e operatorëve. Megjithatë, sipas tij punën këtu nuk e ka kryer Ministria e Mjedisit, e cila për gjithë këto vite të pasluftës nuk ka aplikuar fare taksë për ndotje të ambientit nga gurëthyesit, ani pse për këtë obligohet me ligj.
“Supozimi i analizës për periudhën 2008-2015 është që me mosveprim të MMPH-së, buxheti i Kosovës është dëmtuar 150-200 milionë euro dhe në favor të operatorëve”, ka thënë Dobruna.
Ndërkaq, sipas të dhënave të KPMM-së del se ky institucion ka arritur të realizojë kënaqshëm të hyra nga taksat për gurëthyesit.
Vetëm deri në shtator të këtij viti të hyrat nga ky sektor kanë qenë 24 milionë e 412 mijë euro. Këtu përfshihen taksa administrative 325 mijë euro, gjobë administrative 136 mijë euro dhe 23.9 milionë euro nga renta minerale. /Gazeta Fjala/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit