Paralajmërimi se një ditë durimi i Trump-it ndaj aleatit të tij të çmendur mund të soset
Ndërsa tymi dhe rrënojat ngrihen mbi pallatin presidencial në Siri, nervozizmi po rritet në krahun perëndimor të Shtëpisë së Bardhë: kryeministri izraelit Benyamin Netanyahu, besojnë disa zyrtarë amerikanë, ka “humbur kontrollin”.
“Bibi po sillet si i çmendur. Ai po bombardon gjithçka, gjatë gjithë kohës“, tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë për Axios, duke përdorur nofkën e Netanyahu-t. “Kjo mund të minojë atë që Trump po përpiqet të arrijë.” Një tjetër zyrtar i lartë amerikan tha se bombardimi i një kishe në Gaza nga Izraeli këtë javë e shtyu presidentin Trump të telefononte Netanyahu-n dhe të kërkonte një shpjegim. “Ndjejmë sikur diçka e re po përshkallëzohet çdo ditë. Çfarë dreqin po bëjnë?”
Një zyrtar i tretë tha se skepticizmi ndaj kryeministrit izraelit po rritet në administratën Trump. “Netanyahu është si një fëmijë ndonjëherë që thjesht nuk di si të sillet.” Zëdhënësi i Netanyahu-t, Ziv Agmon, nuk iu përgjigj një kërkese për koment.
Cili është problemi?
Gjashtë zyrtarë të lartë amerikanë i thanë Axios se pavarësisht një armëpushimi të ndërmjetësuar nga SHBA-të në Siri, Shtëpia e Bardhë ishte më e shqetësuar se kurrë për politikat rajonale të Netanyahu-t deri në fund të javës. Edhe pse Trump ende nuk e ka kritikuar publikisht këtë veprim, mbetet e paqartë nëse ai ndan shqetësimet e këshilltarëve të tij.
Të martën, ushtria izraelite bombardoi një konvoj tankesh siriane në rrugën për në qytetin Suweyda, duke e justifikuar veprimin me pretendimin se ata kishin kaluar në një zonë që Izraeli e konsideron të demilitarizuar dhe se ushtria siriane po merrte pjesë në sulme ndaj druzëve, një pretendim që Damasku e mohon.
I dërguari amerikan Tom Barrack i kërkoi Izraelit të përmbahet derisa të tentohet një qasje diplomatike, për të cilën izraelitët, sipas një zyrtari amerikan, janë angazhuar. Megjithatë, të nesërmen, Izraeli zgjeroi sulmet e tij, duke bombarduar selinë ushtarake siriane dhe një zonë pranë pallatit presidencial.
Reagimet e ekipit të Trump-it
“Bombardimi i Sirisë e zuri presidentin dhe Shtëpinë e Bardhë në befasi. Atij nuk i pëlqen kur ndez televizorin dhe sheh bomba në një vend ku po përpiqet të bëjë paqe”, tha një zyrtar. Të mërkurën, Sekretari i Shtetit Marco Rubio i bëri thirrje Netanyahu-t të ndalojë sulmet, të cilat kryeministri izraelit i pranoi me ngurrim – me kusht që ushtria siriane të tërhiqet nga Suëeyda.
Por zemërimi është shprehur tashmë nga Turqia dhe Arabia Saudite, dhe disa zyrtarë amerikanë janë ankuar personalisht te Trump. Midis tyre ishin Tom Barrack dhe Steve Witkoff, të dy ndihmës të ngushtë të Trump-it. Ata besojnë se vendimet e Netanyahu-t po diktohen gjithnjë e më shumë nga presioni politik i brendshëm.
“Axhenda politike e Bibit po ia turbullon gjykimin. Në planin afatgjatë, kjo do t’i kthehet kundër”, tha një zyrtar amerikan. Një tjetër shtoi: “Izraelitët duhet të nxjerrin kokën nga prapanica”.
Tensionet mbi Sirinë vijnë vetëm disa ditë pasi Netanyahu vizitoi Uashingtonin, ku u takua dy herë me Trump-in. Edhe pse dukeshin të afërt, një sërë ngjarjesh kanë ngritur shqetësime: përveç sulmeve në Siri dhe Gaza, vrasja e një qytetari palestinez amerikan nga kolonët izraelitë, Saif Musallet, ka nxitur më tej tensionet.
Ambasadori Mike Huckabee, një mbështetës i hershëm i Izraelit, e dënoi vrasjen si “terrorizëm” dhe kërkoi përgjigje. Ai gjithashtu kritikoi qeverinë izraelite për vështirësimin e marrjes së vizave për ungjillorët amerikanë.
Reagimi izraelit
Zyrtarët izraelitë janë habitur nga presioni amerikan. Sipas një zyrtari të lartë, Trump e inkurajoi Netanyahu-n të merrte kontrollin e pjesëve të Sirisë në fillim të mandatit të tij dhe kurrë nuk e bëri të qartë se kishte një problem me ndërhyrjet izraelite.
“Ne ndërhyjmë kur e dimë se ushtria siriane po sulmon druzët. Ky është detyrimi ynë ndaj komunitetit druz në Izrael”, tha i njëjti zyrtar, duke mohuar çdo motiv politik.
Shtëpia e Bardhë është gjithnjë e më e shqetësuar për sjelljen e Netanyahu-t dhe efektin që po ka në stabilitetin rajonal. “Politikat aktuale izraelite po çojnë në një Siri të paqëndrueshme. Si druzët ashtu edhe Izraeli do të humbasin në një skenar të tillë”, paralajmëroi një zyrtar i lartë amerikan.
Edhe pse Netanyahu ka testuar vazhdimisht kufijtë e tolerancës së Trump-it – nga sulmet ndaj Iranit deri te lufta e vazhdueshme në Gaza – këtë herë, zyrtarët përfundojnë se fati i tij dhe durimi i Trump-it mund të jenë duke u mbaruar. /tesheshi.com/
