13.8 C
Pristina
Tuesday, May 7, 2024

Shtatë vepra të barabartë në vlerë me haxhin apo umren, apo me të dyja bashkë

Më të lexuarat

1. Ndeja në xhami pas namazit të sabahut e deri në lindjen e diellit, pastaj falja e dy rekateve

– Enes ibën Malik, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, përcjell se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Kush e fal sabahun me xhemat (në xhami) pastaj ulet dhe e përkujton Allahun derisa të lind dielli e pastaj fal dy rekate, ai fiton shpërblimin sikur te ketë kryer haxh dhe umre. Tha Pejgamberi, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të: Të plotë, të plotë, të plotë!”.

2. Prezenca në namazin me xhemat dhe ecja në këmbë për në xhami për me fal namaz vullnetar

– I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thotë: “Kush shkon në xhami që të falë namaz (farz), ajo është sikur haxhi dhe kush shkon të falë nafile ajo është sikur umreja”.

3. Falja e namazit të jacisë dhe sabahut me xhemat

– Ebu Dher, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcjell se erdhën disa njerëz te i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, dhe i thanë: O i Dërguar i Allahut, pasanikët po na tejkalojnë në shpërblime!! Ata falen si ne, agjërojnë si ne, dhe japin lëmoshë nga pasuritë e tyre! I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, iu përgjigj: “Po ju, a nuk ua bëri Allahu faljen e namazit të jacisë me xhemat ta barazon haxhin, dhe namazin e sabahut me xhemat ta barazon umren?!”.

4. Prezenca në mexhliset e dijes në xhami

– Ebi Umameh, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, përcjell se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Kush shkon në xhami, dhe me atë nuk synon vetëm se marrjen e diturisë, apo mësimin e të tjerëve, e ka shpërblimin e një Haxhi të plotë”.

5. Bërja e dhikrit pas namazit farz

– Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur nga ai, përcjell se një ditët erdhën disa nga shokët e të Dërguarit të Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, dhe i thanë: “O i Dërguar i Allahut, pasanikët na tejkaluan në shkallë dhe me bekime të vlefshme; falen sikur falemi ne, agjërojnë sikur që agjërojmë ne, dhe me pasuritë që i kanë, e bëjnë haxhin dhe e kryejnë umren, bëjnë xhihad dhe japin lëmoshë! I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, u tha: “A dëshironi t’ju mësoj diçka me të cilën do t’i arrini ata që ju kanë tejkaluar dhe ata që vijnë pas jush; nëse këtë e bëni, askush nga ju nuk do të jetë më i vlef-shëm, përveç nëse vepron ç’veproni edhe ju”. Muhaxhirët varfanjakë kanë thënë: “Po, gjithqysh, o i Dërguar i Allahut!”. I Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, u tha: “Do të thoni SubhanAllah, Elhamdulilah dhe Allahu ekber pas çdo namazi nga tridhjetë e tri herë”.

6. Kryerja e umres në Ramazan

– Është transmetuar nga ibën Abasi, Allahu qoftë i kënaqur me të, se i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, i tha një gruaje nga mesi i ensarëve: “Çfarë të ndaloi që nuk bëre haxh me ne?” Ajo tha: “I kishim vetëm dy deve të cilat i përdornim për të sjellë ujë (dmth. burri i saj dhe djali kishin shkuar për haxh në një deve dhe tjetrën ua kishte lënë familjes për të sjellë ujë).” Ai, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, tha: “Kur të vjen Ramazani, shko për umre, sepse umreja në Ramazan është e barabartë me haxhin”. Sipas një transmetimi tjetër: “…është e barabartë sikur të bëhej haxhi me mua”.

7. Respektimi i prindërve

– Ka ardhur një person tek Pejgamberi, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, dhe i tha: “Me të vërtetë unë kam dëshirë për të luftuar, mirëpo nuk po kam mundësi. Pejgamberi, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, i tha: “A e ke ndonjërin prej prindërve gjallë?”. Ai tha: “Po, e kam nënën time”. Pejgamberi, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, iu përgjigj: “Ndreqni marrëdhëniet me Allahun duke i respektuar prindërit. Nëse e bën një gjë të tillë (nëse i respekton prindërit) atëherë ti ke bërë haxhin, umren dhe xhihadin”.

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit