15.8 C
Pristina
Monday, May 20, 2024

Shqiptarëve të ISIS-it – Hoxhë Bledar Haxhiu

Më të lexuarat

Bledar Tefik Haxhiu
 
 
 
Disa shqiptarë shkuan në Siri me demek të luftojnë Asadin dhe krimet e tij, por që për fat të keq ia shtuan atij jetën edhe më.
 
Ata legjitimuan makabritetin e tij ndaj popullsisë civile (muslimane), shtuan egërsinë e tij dhe dobësuan opozitën reale të atij vendi.
 
ISIS-i (kjo organizatë enigmë) dhe kriminelët e saj dolën pikërisht atëherë kur populli i Sirisë mendoi se do të jetonte ditë të bardha pa Asadin.
 
Në fakt kjo nuk ndodhi, përkundrazi ISIS-i gjoja në emër të Islamit dhe luftës së shenjtë u bë një ankth dhe makth për muslimanët e atij vendi; sikur të mos mjaftonte kjo, armët e tyre do të drejtoheshin më tepër ndaj muslimanëve se ndaj atij për atë të cilën shkuan.
 
Djemtë e sinqertë e të mashtruar përdoreshin si mina me sahat për të realizuar programin e tyre, të cilat nuk dihen se në ç’zyra janë përpiluar?
 
ISIS-i, ky grupim i cili bën lojën e zyrave të ndryshme inteligjence po e realizon synimin më të madh dhe më spektakolarin: “Përpiqu sa të mundesh që njerëzit të urrejnë Islamin dhe muslimanët”.
 
Dikush mund të habitet që kjo të jetë motoja e ISIS-it, madje dikush edhe mund të mendojë se po e teproj me këto deklarata, atëherë këtyre u drejtohem duke u thënë: Ju lutem si e shpjegoni ju faktin që ISIS-i vret njerëz të cilët e mbyllin jetën duke deklaruar (Ahadun Ahad), Ai (Allahu) është një i vetëm është një i vetëm, njësoj siç bënin Kurejshët me Bilalin e Abisinisë pasi deklaroi se ishte bërë musliman?
 
Si shpjegohet që ISIS-i vret me gjakftohtësinë më të madhe muslimanë dhe aktivistë të njohur me pretekstet nga më absurdet, njësoj siç bënin hipokritët të cilët dëshironin dobësimin e Islamit?!
 
Si shpjegohet që ISIS nuk gëzon mbështetjen e asnjë dijetari me emër në botën Islame, ndërkohë që ndërmerr veprime shtazarake gjoja në emër të Islamit, pikërisht për ta deformuar dhe për të çuar ujin në mullirin e dashakeqëve, islamofobëve të cilët e marrin shkas për t’i konsideruar të gjithë muslimanët ISIS?!
 
Vallë si shpjegohet që së fundmi shqiptarë që shkuan në Siri kërcënojnë se Shqipëria dhe trevat shqiptare do të shohin ditë të zeza, ndërkohë që këto ditë kaq të zeza nuk ia kanë treguar as vetë Asadit?!
 
Ku e kanë burimin e frymëzimit këta njerëz, sepse i Dërguari i Allahut na thotë: “Përgëzoni dhe mos frikësoni, lehtësoni dhe mos vështirësoni”.
 
Nuk është e habitshme që ISIS-i të kërcënojnë gratë dhe vajzat shqiptare me terror, ndërkohë që shpesh kanë pasur mundësinë të lirojnë nënat dhe vajzat siriane nga burgjet e regjimit fatkeq, por që nuk e kanë bërë një gjë të tillë!
 
ISIS-i dhe pjesëtarët e tij shqipfolës, kështu nuk përçojnë Islamin, përkundrazi Islami na tregon se të jesh shkak që një njeri i vetëm të bëhet musliman është më mirë se pasuria më e madhe e kësaj bote.
Po ashtu na mason të bëjmë durim ashtu si bëri dhe i Dërguari ynë, të ndriçojmë njerëzit me dritën e tij për t’i nxjerrë nga humbja për në udhëzim, nga terri në dritë.
 
Kam përshtypjen se muslimanët shqiptarë janë aq të aftë sa të dallojnë falsitetin e ISIS-it e të mos bien në grackën e tyre, por nga ana tjetër edhe shteti nuk duhet t’ua rrahë shpatullat islamofobëve që ftojnë për gjenocid dhe luftë ndërfetare, apo me e keqja që strukturat e tij të nisin e ta bëjnë vetë një gjë të tillë.
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit