20.7 C
Pristina
Saturday, May 18, 2024

Shqipëri, fillon procesi i votimit për zgjedhjet parlamentare

Më të lexuarat

Në Shqipëri ka filluar procesi i votimit për zgjedhjet parlamentare, që zhvillohen nën kushtet e pandemisë së koronavirisut të ri (COVID-19), raporton Anadolu Agency (AA).

Procesi i votimit për zgjedhjen e 140 deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë do të mbahet nga ora 07:00 deri në orën 19:00 në të gjithë territorin e vendit nëpër 5.199 qendra të votimit.

Në këto zgjedhje, sipas të dhënave zyrtare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, 3.588.869 qytetarë shqiptarë kanë të drejtën të votojnë.

Janë regjistruar dy koalicione zgjedhore, Koalicioni Partia Demokratike-Aleanca për Ndryshim (PD-AN), i cili udhëhiqet nga partia më e madhe opozitare në vend, Partia Demokratike e Shqipërisë (PD) dhe përbëhet nga 13 parti që garojnë me një listë të vetme si koalicion dhe koalicioni Aleanca Bashkimi Popullor – Emigracioni – Ora e Shpresës dhe Konservatorët (ABEOK), i përbërë nga 4 parti politike.

Gjithashtu 10 parti politike garojnë më vete, përfshirë edhe partinë në pushtet, Partinë Socialiste të Shqipërisë (PS) dhe 5 kandidatë të propozuar nga zgjedhësit në disa qytete.

Në zgjedhje garojnë 1.841 kandidatë për deputetë, në 12 zona zgjedhore që korrespondojnë edhe me qarqet e vendit.

Në zgjedhjet parlamentare zbatohet sistemi proporcional me konkurrim rajonal dhe prag kombëtar që është 1 për qind në shkallë vendi. Sipas sistemit të ri, votuesit përveç partisë, do të votojnë edhe për kandidatin e tyre të preferuar bazuar në listën e depozituar nga partitë politike.

Nga ana tjetër, gjatë ditës së zgjedhjeve do të jenë në fuqi masat aktuale kundër COVID-19. Në fuqi do të jenë masat për mbajtjen e maskës, ruajtjes e distancës dhe ndalimi i grumbullimeve masive.

Ndërkohë, pas mbylljes së procesit të votimit do të jenë në fuqi edhe masat e kufizimi të lëvizjes së qytetarëve dhe aktivitetit të restoranteve nga ora 22:00 deri në 06:00 të mëngjesit.

Risia e këtyre zgjedhjeve është procesi i votimit nën kushtet e pandemisë, sistemi i ri zgjedhor, votimi dhe numërimi elektronik që do të aplikohet si projekt pilot në një nga zonat zgjedhore në Tiranë, si dhe konkurrimi i disa partive të reja.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit