Nga: Dr. Favaz Al-Gunajm
Sa të mrekullueshëm janë, o mik, ata shpirtra që durojnë e prapë mbeten rrezet e dritës!
Janë shpirtra që ndriçojnë, frymëzojnë, japin jetë.
Po, e di se shpirti shpesh i nënshtrohet hijeve, eklipseve, zbehjeve.
Por le të jetë kjo si një re e lehtë që kalon, pa u ndier nga askush.
Mos lejo të shuhet drita jote.
Ruaje gjithmonë ndriçimin e shpirtit, të fytyrës sate, të qenies sate.
Edhe kur dhimbja të përvëlon, edhe kur plagët e jetës të rëndojnë.
Ka çaste kur duket sikur koha ndalet, sikur bota ngrin,
sikur nuk ka më jetë në jetë.
Por kjo është veç një iluzion i trishtimit, një hije që përpiqet të zërë shpirtin.
Atëherë, lëvize buzët me përkujtimin e Zotit.
Mjafton për ty fjala e Tij:
“Më përkujtoni Mua, t’ju përkujtoj edhe Unë.”
Çfarë nderi më të madh se ky?
Ti e përmend, e Ai të përkujton.
Çfarë gëzimi më të lartë?
Një oqean mëshire të mbështjell, e drita kthehet përsëri.
Nxito pra, drejt gjithçkaje që shuan trishtimin.
Le të të marrë era e mirësisë dhe të shpërndajë retë e zeza.
Qëndro ai buzëqeshuri i fortë, që nuk thyhet nga goditjet e jetës.
Kujto fjalën e Tij të shenjtë:
“Kërkoni ndihmë me durim e me namaz.”
A e ke provuar të marrësh abdes, të ngrihesh në dy rekate?
A e ke ndier se si errësira shpërndahet pas saj?
Është recetë hyjnore, e provuar brez pas brezi.
Mblidh mjetet që i largojnë hijet e shpirtit:
Lutja, sadakaja, agjërimi, shëtitjet, sporti, kujtimet e bukura.
Dhe mbi të gjitha, shoqëria e shpirtrave të ndritshëm.
Sa më mahnit e qeshura e Profetit ﷺ,
ai që gjithmonë buzëqeshte dhe i pëlqente fjala e mirë.
O mik, uroj që shpirti yt të mbetet i zgjuar,
fytyra jote e ndritshme,
zemra jote e hapur ndaj dritës.
Solli për ju KohaIslame
