Shpenzimet e mbrojtjes kanë rradhën në bllokun e shkurtimeve në Greqi

0
42

Vendi është tronditur tashmë nga një skandal i pastrimit të parave që përfshin një ish-ministër të mbrojtjes të akuzuar për marrjen e deri në 47 milionë euro në rryshfete për të miratuar kontrata për raketat e një nëndetëse gjermane që dolën të ishin me të meta. Tani Greqia shqetësohet për shkurtimet e mëdha në shpenzimet e mbrojtjes, të planifikuara si pjesë e një raund të ri të masave shtrënguese.

Greqia po mbijeton prej një raund të parë të 109 miliardë euro në kredi të shpëtimit nga Troika BE-FMN-BQE, që ka miratuar një paketë të dytë shpëtimi prej 130 miliardë euro, por vetëm me kusht që Greqia të vazhdojë shkurtimet e pagave, rritjet e taksave, uljen e pensioneve e pushimin nga puna të 150,000 punonjësve shtetërore gjatë tre viteve të ardhshme. Dhe ndërsa grekët përgatiten për një votim të 6 majit për të zgjedhur një kryeministër të ri mes një peisazhi të coptuar politik që mund të shpjerë në një qeveri tjetër koalicioni, Troika ka parlajmëruar se nevojitet një shkurtim tjetër prej 12 miliardë euro.

Kjo do thotë se Greqia, shpenzimet e mbrojtjes të së cilës prej rreth 4.3% të PKB-së të vendit prej 301.8 miliardë euro, është përqindja më të lartë në Evropë, duhet të shohë ato që prej kohësh shiheshin si të paprekshme — shpenzimet e mbrojtjes. Shkurtimet mund të jenë deri në 30% gjatë pesë viteve të ardhshme, një shifër që disa analistë thonë se mund të dobësojë aftësinë e Greqisë për të mbrojtur veten e për të mbajtur jashtë emigrantët e paligjshëm. Kritikët e shpenzimeve thonë se kjo është e rregullueshme, pasi Greqia nuk ka asnjë armik të vërtetë.

“Greqia po përpiqet të mbajë ritmin me shpenzimet e Turqisë në armatime, por ka mjaft shpenzime që nuk janë të nevojshme … Ky është një mentalitet i Luftës së Ftohtë,” tha për SETimes Joanis Mikelatos, i cili drejton Institutin për Analizën e Sigurisë e Mbrojtes me qendër në Athinë.

Por Xhon Nomikos, një analist i kundër-terrorizmit që drejton Institutin Kërkimor për Studime Evropiane e Amerikane në Athinë, tha se ka frikë se vendi do të jetë në rrezik. “Për shkak të krizës financiare, do të kompromentojë sigurinë greke, jo vetëm sigurinë e mbrojtjes, por atë të brendshme gjithashtu,” tha ai për SETimes. “Ajo që na duhet tani është një Siguri Kombëtare Greke … Turqia është një problem për ne, por emigracioni i paligjshëm është një kërcënim më i madh e kjo do të prekë sigurinë në kufij,” tha ai, i shqetësuar se shkurtimet do të pakësojnë patrullat.

Ushtria e Greqisë ka mbetur e financuar mirë, edhe pas masave brutale shtrënguese që filluan dy vjet më parë. Më 2006, ishte një nga importuesit më të mëdhenj të armëve në botë, prapa vetëm Kinës e Indisë dhe kishte porositur raketa, nëndetëse e armë të tjera në të njëjtën kohë që vendi po shkurtonte përfitimet e pensioneve e po taksonte të varfërit. Nëse shpenzimet e mbrojtjes do të kishin qenë vetëm 1.7% gjatë 20 viteve të fundit ajo do të kishte kursyer gjithsej 52% të PKB-së së saj, sipas gazetës britanike The Guardian.

Greqia shpesh përmend provokacioin nga Turqia, përfshirë futjet e aeroplanëve luftarakë turq që bën të nevojshme shpagimin e simuluar të sulmit nga avionët grekë, si një justifikim të madh për shpenzimet ushtarake. Por Turqia është një aleat i NATO-s e ka propozuar pakësime të ndërsjellta të armëve, që Greqia i refuzoi. Marrëdhëniet e jashtme mes vendeve janë ngrohur gjatë dekadës së fundit e Greqia mbështet përpjekjen e vonuar gjatë të Turqisë për të hyrë në BE.

Nënadmirali në pension Vasilios Marzukos, president i Institutit Helenik për Studime Strategjike, pranoi se kriza ekonomike kërkon shkurtime të mbrojtjes, por tha për SETimes: “Kriteri i vetëm … është mbështetur në ekonominë e logjistikën.” Ai tha se “Turqia përbën një kërcënim të drejtpëdrejtë ushtarak si për Greqinë, ashtu edhe për Qipron … Kërkesat e Turqisë, që kundërshtojnë drejtësisë ndërkombëtare, traktatet ndërkombëtare e rezolutat e OKB-së, kërcënojnë integritetin e Greqisë. Dobësimi i forcave të armatosura greke me vetëm kriterin ekonomik do të përbëjë një rrezik të lartë jo vetëm për sigurinë e Greqisë, por gjithashtu të Evropës e Perëndimit.”

Forca Ajrore Helenike tha se do të heqë shumicën e avionëve të saj, duke përfshirë ata Mirage 2000 e do të pezullojë blerjen e helikopterëve për tre vjet, do të pakësojë ose do të mbyllë një numër bazash e do të shkurtojë mirëmbajtjen. Ekonomia e Greqisë po rropatet kaq keqaz tani saqë Ministrit të Mbrojtjes Dimitri Avrampoulos iu desh të pezullonte një ofertë të SHBA-së për t’i dhënë Greqisë 400 tanke të përdorur M1A1 Abrams sepse nuk kishte 10 milionë euro të duhura për t’i transportuar ato.

Një raport nga Instituti Ndërkombëtar i Studimit të Paqes i Stockholmit sugjeron se një periudhë katër vjeçare shpenzimesh me tepri për mbrojtjen, që përfundimisht mbaroi në fund të vitit të kaluar, e renditi Greqinë të dhjetën ndërkombëtarisht. Ajo kishte qenë deri e katërta përpara një shkurtimi prej 18% nga 2002 deri më 2006, kur porositë e armëve nisën të ngrihen përsëri. Faqja e lajmeve në internet EU Observer njoftoi se Greqia kishte blerë arme me vlerë mbi 1 miliardë euro nga vendet e BE-së ndërsa diskutonte mbi paketën e parë të shpëtimit të saj dy vjet më parë.

Ndërsa Gjermania e Franca po këmbëngulnin për më shumë masa shtrënguese — që shpunë në shkurtimet e shpenzimeve në kujdesin shëndetësor, pensionet e nevoja të tjera thelbësore njerëzore — ende po e nxisnin Greqinë, klienten më të mirë të tyre që të blejë armë nga prodhuesit e tyre.

Patrick Theros, një ish-Ambasador i SHBA-së në Katar e një specialist i mbrojtjes, tha se Greqia mund të rregullojë një shkurtim prej 10-15% në shpenzimet ushtarake nëse Franca e Gjermania e lejojnë Greqinë të anullojë kontratat fitimprurëse me këto vende, të zhvendosë blerjet tek prodhuesit vendas e të rinovojë fregatat ekzistuese. “Greqia mund të ketë forca të armatosura më të efektshme nëse eleminohet rryshfeti,” tha ai për SETimes. Por shtoi: “Francezët e gjermanët do t’i luftojnë reformat e mbrojtjes.”

Stavros Karkaletsis, i cili kryeson Qendrën Helenike për Analizat Evropiane e Ndërkombëtare në Athinë e që boton një revistë mbi çështjet e mbrojtjes, tha për SETimes se shkurtimet janë të rrezikshme. “Jemi në vijat e kuqe … ekuilibri në Egje do të jetë një katastrofë për ne. Nëse vendosim për më shumë shkurtime për mbrojtjen, siguria do të jetë më e dobët për Greqinë.” Ai shtoi: “Sjellja e Turqisë ka të bëjë me fuqinë tonë në Egje … fuqia jonë po bie shumë e më shumë.”/set