11.3 C
Pristina
Tuesday, May 14, 2024

Shkup, vazhdojnë protestat kundër platformës shqiptare

Më të lexuarat

Edhe pse organizatorët vazhdimisht apelojnë që në protestë të mos shfaqen simbole etnike apo kombëtare, nuk mungojnë brohoritjet dhe simbolet nacioanaliste ndaj popullit shqiptar

SHKUP (AA) – Mijëra qytetarë të Shkupit vazhduan edhe sonte me protestën e iniciuar nga Shoqata “Për Maqedoni të bashkuar” kundër platformës shqiptare, si dhe në mbështetje të vendimit të presidentit Gjorge Ivanov, i cili refuzoi të mandatojë liderin e Lidhjes Social Demokratike të Maqedonisë (LSDM), Zoran Zaev, për të formuar qeverinë e re, raporton Anadolu Agency (AA).

Ata në shenjë proteste u tubuan para godinës së Qeverisë së Maqedonisë, pas së cilës marshuan në drejtim të zyrës kombëtare të presidentit Ivanov, ku dhe mbajtën fjalime duke apeluar që mos ta ndryshojë vendimin e tij.

Një ndër kërkesat më kyçe të organizatorëve është refuzimi i Ligjit të dygjuhësisë në tërë territorin e Maqedonisë, sepse sipas tyre, përdorimi i gjuhës shqipe në tërë territorin e vendit do të çojë Maqedoninë drejt ridefinimit të saj si dhe do të dëmtojë sovranitetin dhe pavarësinë e shtetit.

Edhe pse organizatorët vazhdimisht apelojnë që në protestë të mos shfaqen simbole etnike apo kombëtare, nuk mungojnë brohoritjet dhe simbolet nacioanaliste ndaj popullit shqiptar.

Marshi protestues përfundoi në mënyrë paqësore para godinës së Kuvendit të Maqedonisë, ndërsa organizatorët paralajmëruan se protestat do të vazhdojnë edhe ditëve të ardhshme. Iniciativa “Për Maqedoni të bashkuar” filloi me protesta që nga dita e hënë, ndërkohë protesta me kërkesa të njëjta mbahen edhe në disa qytete tjera të Maqedonisë.​

Platforma e përbashkët mes subjekteve politike shqiptare në Maqedoni u arrit pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 dhjetorit të vitit të kaluar me ndërmjetësimin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.

Përmes kësaj platforme të përbashkët ku përfshihen disa kërkesa për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni, liderët shqiptarë zotohen se nuk do të marrin pjesë në Qeverinë e Maqedonisë nëse nuk zbatohen kërkesat e theksuara në të.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit