29.6 C
Pristina
Wednesday, June 29, 2022

Shkolla duhet të prodhojë njerëz, jo kunguj Halloween-i

Më të lexuarat

Ergys Mërtiri

Kryeministri Rama prezantoi dje vendimet e tij për ndryshime radikale në arsim, ku pritet të hiqen nga puna mbi 40 mijë mësues, që nuk kanë arsim përkatës ose nuk japin lëndët e profilit të tyre. Ai tha se do veprojë pa mëshirë për ndryshimin e gjendjes së arsimit, duke sjellë një “transformim rrënjësor për vendin”. Në retorikën e tij, këta mësues janë “degët e kalbura” të cilat “duhen prerë”, janë “një kancer” që “duhet operuar deri në metastazën e fundit të sistemit tonë arsimor”. Kryeministri beson se të gjitha këto, së bashku me fillimin e një procesi të ri për të licensuar çdo mësues, do të “rilindin autoritetin e mësuesit”. Rama foli për një revolucion në këtë fushë, i cili do të transformojë totalisht arsimin brenda 3 muajsh. “Një reformë që nuk bëhet në tre muaj nuk bëhet as në 30 vjet”, u shpreh ai.
Çdo mendje e shëndoshë, e kupton se ka shumë çmenduri në retorikën e Kryeministrit, i cili në terma revolucionarë, kërkon të kthejë përmbys gjithçka që është e ngritur apo edhe rrënuar në këtë vend. Ky lloj zjarri për ta kthyer mbrapsht rrjedhën e historisë me një sulm të vetëm, ose vërtetë ia arrin asaj që thotë, ose do të shkrumbojë gjithçka. Kushdo që e njeh sadopak këtë vend (por edhe çdo vend tjetër), e ka të qartë që fantazira të tilla, jo vetëm që janë të pashëndetshme për realitetin (e madje edhe për organizmin mendor të ëndërrimtarit), por rrezikojnë t’a çojnë në kolaps sistemin, duke sjellë kaos, në përpjekjen për të ribërë gjithçka nga fillimi.
Çdo kush e ka të qartë se, me provime shtetërore, nuk rregullohet një armatë e tërë mësuesish të shpërndarë në të gjithë vendin. Mbi të gjitha, bindja se gjërat bëhen vetëm në 3 muaj, është një fantazi që tregon se qeveria nuk ka askënd që ta zgjojë Kryeministrin, apo edhe ta këshillojë për ilaçet që duhet të pijë vetë, para se të pretendojë të jetë farmacist apo mjek i të gjithë shqiptarëve. Sistemi arsimor nuk është fasadë godine, që mund të transformohet për tre muaj, as baçja me bar prapa Kryeministrisë.
Nga gjithçka që u tha, kuptohet se qeveria nuk ka identifikuar problemet reale të arsimit duke e nisur mbrapsht reformën që kërkon të bëjë. Rama e ka nisur kurimin nga mësuesit dhe nuk sheh fare nga një premisë tjetër, ajo e nxënësve. Për të përcaktuar ditur se çfarë mësuesish kërkohen, duhet të dimë fillimisht se çfarë nxënësish kemi. Është e vërtetë që shumë mësues kanë probleme me kualifikimin e tyre, dhe këtu Rama nuk na tha asgjë të që nuk dihej, por sistemi nuk varet vetëm nga një aspekt dhe nuk është kualifikimi i mësuesve thelbi i problemeve të shkollave shqiptare.
Ti mund të kesh mësues shumë të mirë, por problemi është se nuk bën dot mësim. Shumica e mësuesve ankohen se e kanë të pamundur të bëjnë mësim në kushtet ku ndodhen. Kjo vjen për një varg të gjatë arsyesh, duke nisur që nga mungesa e edukimit dhe mosinteresimi për mësimin që ka sot drastikisht brezi i ri e duke vazhduar me një mori problemesh të tjera si, numri i madh i nxënësve në një klasë, zhvillimi i mësimit në orët e pasdites për shkak të mbingarkesës së shkollave apo edhe mungesa e teksteve, mjeteve didaktike e laboratorëve të nevojshëm për të ofruar cilësinë e duhur. Pa rregulluar këto, edhe sikur të punësosh magjistarë në vend të mësuesve, nuk mund të rregullosh asgjë.
HalloweenProblemi kryesor në arsimin parauniversitar sot është tek fakti që shkolla ka humbur funksionin e saj kryesor: edukimin. Roli i saj është reduktuar në atë të një institucioni informimi dhe shoqërizimi. Edukimi është reduktuar tek lënda e qytetarisë, që mjaftohet t’u mësojë njerëzve respektimin e ligjeve, si dhe tek edukata seksuale, e reduktuar edhe kjo, në një manual profilaktik që u mëson fëmijëve si të vendosin prezervativin, apo – siç ka dalë edhe në shtyp – u ndihmon adoleshentëve të çlirohen nga mitet mbi penisin e madh apo gjoksin e vogël të femrave. Edukimi nuk merr në konsideratë problemet reale të formimit të individit, të cilat kanë të bëjnë kryesisht me modernitetin.
Fakti që të rinjtë bëjnë zhurmë në klasë dhe pengojnë zhvillimin e mësimit, aq sa iu shkaktojnë tension psikologjik mësuesve, është një tregues se shkolla e ka humbur këtë betejë. Por edhe nëse arrin të ofrojë disa dije të përgjithshme, ajo nuk e kryen dot funksionin e saj, nëse nuk edukon njerëz. Edhe nëse shkolla do të arrijë t’u mësojë fëmijëve pak më shumë matematikë e fizikë, kjo nuk është ndonjë arritje thelbësore, për sa kohë statistikat na japin shifra të frikshme të dhunës, përdorimit të lëndëve narkotike, shtatëzanisë së padëshiruar e për pasojë edhe abortit e shumë e shumë problemeve të tjera tek adoleshentët. E pra, duket se qeveria nuk ka asnjë strategji për të luftuar këto probleme dhe për këtë arsye institucionet arsimore nuk mund të bëhen dot farkëtuese vlerash tek të rinjtë.
Që këtu, premtimi i Kryeministrit për t’i rikthyer mësuesit autoritetin bëhet një falcitet. Autoriteti i mësuesit nuk kthehet me provime shtetërore, por ka nevojë të mbështetet mbi një platformë serioze për të ndërtuar një mjedis edukues për fëmijët që në hallkat e para të sistemit arsimor. Ka nevojë që arsimi ta ketë këtë problem në fokusin e vet kryesor, në mënyrë që mund të barazpeshojë të gjithë burimet e shumta të çedukimit që ushtrojnë presion mbi fëmijët dhe të rinjtë.
Problemi këtu fillon që në kopshte e çerdhe. Fëmijët tanë rriten në institucione parashkollore ku gjithë ditën shohin televizor, në të cilat nuk lenë këngë turbofolk pa mësuar, shoqëruar me imazhet perverse të ekranizimeve vulgare të porno-klipeve të këtij zhanri. Më tej, që në moshë të hershme, fëmijët frekuentojnë pabet dhe diskot, në mënyrë të organizuar nga shkolla, përgjatë ekskursioneve apo edhe festave rinore, pavarësisht nëse këto argëtime kanë apo jo lidhje me moshën e tyre dhe me procesin e formimit që ka për qëllim shkolla. Në mjaft raste, edhe shkollat 8 vjeçare festojnë Shën Valentinin, ose të paktën përfitojnë nga rasti për të bërë mësim me orë të shkurtuara.
Pak ditë më parë, shkollat e mesme dhe 9 vjeçare festuan masivisht Halloween-in. Mësuesit e shkollës Sami Frashëri, si dhe të shumë shkollave të tjera, janë detyruar nga drejtoria , jashtë orarit të tyre të punës, të shoqërojnë nxënësit e tyre në pub për të festuar. A mund të na thotë Kryeministri dhe Ministrja Nikolla se cili është misioni edukativ e formues në këto aktivitete? Çfarë dobie përfiton nxënësi në kremtimin e një feste të tillë, simbol i deformimit kulturor të prodhuar nga konsumizmi dhe globalizimi? Si mundet të përputhet misioni i institucioneve që janë ngritur për të kultivuar dijen dhe racionalitetin siç është shkolla me modele të tilla që promovojnë heqjen dorë prej të menduarit, duke ofruar një hare pa motiv me parada banale kafkash, skeletesh, shtrigash e kungujsh?! Misioni i arsimit është të prodhojë koka plot apo kunguj bosh?!
Thelbi i problemit qendron tek autoriteti i mësuesit, i përmendur shkarazi edhe nga Kryeministri. Por si mund të forcosh aturitetin e mësuesit, kur ti e përdor atë si dordolec roje, në hardallosjet kolektive të adoleshentëve nëpër pub-e?! A mund të thuash se i jep mësuesit dinjitet, kur e detyron të shoqërojë nxënësit në aktivitete pa kuptim, duke e ngujuar atë në shërbim të qejfeve banale të adoleshentëve?!
Nëse vërtetë qeveria shqetësohet për sistemin tonë arsimor edukimi është çështja e duhur nga duhet nisur. Problemi themelor i shkollës është, të bëhet një gur i rëndë peshe në përballimin e problemeve që sjell moderniteti. Nëse nuk kemi kuptuar këtë, nuk mund të ndërtojmë kurrë një sistem arsimor për të qenë dhe do të vazhdojmë të prodhojmë në pafundësi kunguj Halloween-i, në vend të qytetarëve të denjë dhe njerëzve të formuar e të aftë për jetën.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit