19.2 C
Pristina
Saturday, April 27, 2024

Serbia: Asocacion, jo siç e do Kurti!

Më të lexuarat

Reagimet në Beograd ndaj liberalizimit të vizave me Kosovën

Serbia, e inkurajuar nga qëndrimet amerikane dhe europiane, pra SHBA-së dhe BE-së, do të vazhdojë në raundin pasues të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën duke insistuar që fillimi i zbatimit të propozimit evropian për normalizim të jetë formimi i një komunitet i komunave serbe në Kosovë, thanë zyrtarët e atij vendi.

Takimi i radhës mes presidentit serb Aleksandar Vuçiç dhe kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, si pjesë e dialogut Kosovë-Serbi të sponsorizuar nga BE, do të zhvillohet më 2 maj në Bruksel dhe të dy palët ranë dakord të martën për krijimin e një komiteti të përbashkët për monitorimin e zbatimit të marrëveshjes së rënë dakord së fundmi në Ohër.

Komiteti i përbashkët i monitorimit do të kryesohet nga përfaqësuesi special i BE-së për dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak. Kosova do të përfaqësohet në Bruksel nga ambasadori Agron Bajrami, ndërsa Serbia nga kryenegociatori Petar Petkoviç.

Shefi i Zyrës së Qeverisë për Kosovën dhe negociatori i Beogradit, Petar Petkoviç tha se është rënë dakord që raundi pasues i dialogut t’i kushtohet komunitetit të komunave serbe (ZSO) në mënyrë që të fillohen hapat më konkretë në zbatimin e planit evropian, “jo ashtu siç dëshiron Kurti, por siç është rënë dakord në 2013 dhe në 2015”.

Bordi mbikëqyrës duhet të shpjegojë draftin e statutit të ZSO-së, në mënyrë që të mund të vijojë diskutimi, dhe Petkoviç ka theksuar për RTS-në se “statuti duhet të përmbajë të gjitha dispozitat” që janë në “marrëveshjet dhe parimet e përgjithshme të arritura tashmë nga viti 2015″.

Petkoviç thekson se ZSO për Beogradin është “kusht kyç për procesin e mëtutjeshëm të normalizimit të marrëdhënieve”, gjë që vërtetohet edhe me pranimin e marrëveshjes në Ohër.

Pas gjashtë muajsh negociata, më 19 prill 2013, në Bruksel, nën kujdesin e BE-së, Serbia dhe Kosova nënshkruan një marrëveshje, e cila më pas u vlerësua si “historike”.

Pika e mosmarrëveshjes

Zyrtarë të SHBA-së dhe BE-së, ndërkaq, duke u bërë thirrje të dyja palëve individualisht që të pranojnë zbatimin e propozimit të marrëveshjes evropiane, thanë se ZSO është obligim i Kosovës që duhet zbatuar. Megjithatë, për Serbinë dhe Kosovën, pika e diskutimit janë modalitetet me të cilat duhet bërë kjo.

Marrëveshja e Brukselit prej 15 pikash ka gjashtë që i referohen komunitetit të komunave serbe, por Kosova nuk e zbatoi atë pjesë, duke insistuar se një asociacion i tillë nuk mund të ketë kompetenca ekzekutive dhe të kthehet në burim destabiliteti, si entiteti Republika Srpska në Bosnje.

Beogradin e shqetëson veçanërisht fakti se Kosova, edhe pse nuk e ka formuar ZSO-në, ndërkohë merr liberalizimin e vizave, të cilën zyrtarët në Serbi me ironi e quajnë “shpërblim nga BE-ja” për mosrespektimin e marrëveshjes nga Brukseli.

“Nuk kemi asgjë kundër kësaj, kemi thënë se nevojitet liria e lëvizjes, por problemi është se Albin Kurti është shpërblyer drejtpërdrejt për dëbimin e serbëve”, tha Petar Petkoviç për RTS.

Ndërkohë, Kurti kërkoi “zbatimin e plotë dhe të menjëhershëm të marrëveshjes” ndërmjet Serbisë dhe Kosovës në rrugën e normalizimit të marrëdhënieve.

Kryeministrja serbe Ana Brnabiç ka reaguar ndaj njoftimit të tij në Twitter, duke theksuar se çështjet e mëparshme kanë qenë zbatimi i Marrëveshjes së Brukselit dhe krijimi i një komuniteti të komunave serbe. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit