Senatori amerikan, si musliman përballë islamofobisë së trumpistëve

Më të lexuarat

Mark Uorner: Ramazani, frymëzim për ne në luftën kundër diskriminimit!

Senatori amerikan Mark Uorner, deklaroi të hënën se SHBA-ja po përballet me një rritje të diskriminimit fetar dhe ekstremizmit të nxitur nga urrejtja, duke akuzuar administratën Trump se po kontribuon në rritjen e islamofobisë dhe ndjenjave antiarabe.

Në një dalje të posaçme për mediat, ai denoncoi “rritjen shqetësuese dhe antiamerikane të diskriminimit fetar dhe urrejtjes së nxitur nga ekstremizmi, si dhe mënyrat se si kjo administratë ka ushqyer flakët e islamofobisë dhe urrejtjes anti-arabe”.

“Po dal këtu enkas për të dënuar posaçërisht diskriminimin me të cilin po përballen komunitetet tona myslimane dhe arabo-amerikane, sepse për fat të keq, ky president dhe administrata e tij kanë nxitur dhe institucionalizuar hapur diskriminimin islamofobik”– tha senatori.

Uorner përmendi si shembull komentet që bëri presidenti Donald Trump në një mbledhje të kabinetit muajin e kaluar në lidhje me njerëzit me origjinë somaleze, duke i quajtur “mbeturina” dhe shtuar: “Ne nuk i duam ata në vendin tonë!”.

Senatori i quajti komentet e Trumpit “të neveritshme, çnjerëzore dhe jo-amerikane”, duke argumentuar se ato duhet të dënohen “tradicionalisht dhe me zë të lartë” nga të gjithë zyrtarët publikë.

Retorikë nxitëse brenda Kongresit

Uorner kritikoi gjithashtu retorikën nxitëse brenda vetë Kongresit, duke vënë në dukje se një koleg, të cilin preferoi të mos e përmendte me emër, e përshkroi së fundmi Islamin si “një fe helmuese” që është “thelbësisht e papajtueshme me vlerat tona perëndimore”.

“Të gjithë ne, veçanërisht ata prej nesh që shërbejmë në poste publike, kemi detyrën t’i japim fund asaj heshtjeje dhe të dënojmë me zë të lartë dhe vendosmëri islamofobinë dhe urrejtjen antiarabe” – theksoi Uorner.

Thirrje për Ramazanin

Duke parë afrimin e muajit të shenjtë të Ramazanit, senatori kërkoi një angazhim të përtërirë për t’u përballur fuqishëm me paragjykimet dhe diskriminimin. “Muaji i ardhshëm shënon fillimin e sezonit të shenjtë të Ramazanit për vëllezërit dhe motrat tona myslimane. Veçanërisht gjatë kësaj kohe reflektimi… por edhe gjatë gjithë vitit, duhet të jetë detyrë e të gjithëve ne të shpallim të gjitha format e fanatizmit dhe diskriminimit kundër çdo bashkësie fetare dhe të ngrihemi në mbrojtje të të gjitha komuniteteve tona kundër padrejtësisë”- shtoi ai. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit