11.3 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

Rusia: Shitja e armëve në Siri, e ligjshme

Më të lexuarat

Moska ka reaguar ndaj deklaratave të Sekretares së Shtetit, Hillary Clinton për shitjen e armave Sirisë, në një kohë kur Kombet e Bashkuara po përpiqen t’i japin fund gjakderdhjes gjë zgjat prej më shumë se 15 muajsh.

Ka qenë kompania publike e prodhimit dhe e eksportimit të armëve, “Rosonboronexport” që nëpërmjet zëdhënësit të saj ka pranuar shitjen e armëve për Damaskun, por këmbënguli se kjo shitje është bërë në përputhje me vendimet e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe marrëveshjeve të tjera ndërkombëtare.

“Rosoboronexport” nuk furnizon me armë dhe materiale të tjera luftarake vendet e huaja, nëse këto shitje nuk janë në përputhje me rregullat e caktuara nga Këshilli i Sigurimit dhe marrëveshjet e tjera ndërkombëtare të nënshkruara”, thuhet në deklaratën e kompanisë ruse.

Ndërkohë, Franca ka kërkuar që për t’i dhënë fund luftës civile në Siri, Këshilli i Sigurimit të kalojë një rezolutë ku plani i paqes prej gjashtë pikash i të dërguarit të posaçëm, Kofi Annan të bëhet i detyrueshëm nga të gjitha palët.

Ministri i Jashtëm francez, Laurent Fabius tha gjatë një konference për mediat në Paris, se konfilkti në Siri tashmë ka marrë përmasat e një lufte civile. Fabius përmendi një rezolutë sipas nenit 7 të KS-së, e cila imponon ndërhyrje ushtarake ndërkombëtare nëse palët në konflikt nuk respektojnë planin Annan.

Nuk dihet nëse propozimi francez do të marrë mbështetjen e Rusisë dhe Kinës, dy vendet anëtare të përherëshme të Këshillit të Sigurimit që refuzojnë të gjitha format e ndërhyrjes ushtarake nga jashtë. Moska dhe Pekini këmbëngulin se paqja në Siri duhet të mbërrijë nga dialogu mes palëve.Megjithatë, kryediplomati francez u shpreh optimist për kalimin e një rezolute të tillë.

“Ne jemi duke punuar, dhe shpresojmë që kjo rezolutë të kalojë me sukses në KS”, tha ai.

Regjimi sulmon qytetet me helikopterët rusë

Forcat e regjimit në Siri sulmuan qytetet kryesore kryengritëse nga toka dhe ajri ditën e mërkurë, vetëm 24 orë pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës akuzuan Rusinë se i ka shitur helikopterë sulmues Bashar al-Assadit.

Qyteti i Homsit dhe ai i Rastanit u vendosën nën bombardimin e artilerisë dhe të helikopterëve, raportoi Komiteti i Koordinimit Lokal në Siri, ndërsa një numër i pakonfirmuar viktimash u regjistrua në të gjithë vendin nga sulmet.

Bombardimi nga ajri është një risi në taktikat që ka përdorur qeveria kundër kryengritësve. Në më shumë se një vit luftë urbane, taktikat kryesore të autoriteteve janë përqendruar tek rrethimi i qyteteve dhe bombardimi i tyre me tanke apo artileri, si dhe gjuajtjet me snajpera.

Ditën e martë, në një deklaratë, Organizata e Kombeve të Bashkuara foli për herë të parë për një luftë civile në Siri, ndërsa pranoi se plani i armëpushimit për të cilin palët ndërluftuese ranë dakord pas ndërmjetësimit të Kofi Annan, ka dështuar.

Në një deklaratë të fortë, Uashingtoni akuzoi ashpër Rusinë të mërkurën për rolin që ka luajtur në përshkallëzimin e krizës siriane. Një zëdhënëse e Departamentit të Shtetit deklaroi: “Ndonëse prej muajsh jemi përpjekur të bindim rusët që të ndërpresin lidhjet e tyre ushtarake me regjimin sirian, ata nuk e kanë bërë këtë. Në vend që Moska të ushtrojë ndikimin e saj për paqësimin e situatës, ajo i ka dërguar autoriteteve helikopterë, për të ndihmuar al-Assad që të vazhdojë fushatën e tij të vrasjeve ndaj civilëve. Tashmë po shohim se si Qeveria Siriane është duke përdorur këta helikopterë, për të rritur nivelin e terrorit në një shkallë të paprecedent”.

Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, gjithashtu shprehu “shqetësimin e saj të thellë”, në lidhje me raportet e armatimeve që Rusia i ka dërguar autoriteteve siriane.

Sipas vlerësimeve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, mbi 14 mijë persona kanë humbur jetën në konfliktin 15 mujor që ka përfshirë Sirinë, por ka të dhëna të pakonfirmuara nga grupe të aktivistëve që e zmadhojnë bilancin tragjik në deri edhe dy herë më shumë. /tch/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit