9.5 C
Pristina
Wednesday, October 9, 2024

Rruga më e afërt për tek zemra e një burri

Më të lexuarat

Gratë janë të tejngopura me leksionet që flasin për të drejtat e burrit dhe ndoshta do kërkonin duke lotuar: “A nuk ka edhe të drejta për ne gratë? Pse gjithmonë na flasin për të drejtat e burrit? Ku janë të drejtat e gruas?” Sigurisht që burri dhe gruaja kanë të njëjtën vlerë tek Allahu i Lartësuar, as burri nuk ka më shumë vlerë se gruaja, e as gruaja nuk ka më shumë vlerë se burri. Tek Allahu njerëzit vlerësohen sipas devotshmërisë. Edhe burrat edhe gratë shpërblehen sipas asaj që kanë punuar.“Nuk ka dyshim se për muslimanët e muslimanet, besimtarët e besimtaret, adhuruesit e adhurueset, të sinqertit e të sinqertat, durimtarët e durimtaret, të përvuajturit e të përvuajturat, sadakadhënësit e sadakadhënëset, agjëruesit e agjërueset, ruajtësit e nderit e ruajtëset e nderit, shumë përmendësit e Allahut e shumë përmendëset e Allahut, Allahu ka përgatitur falje (mëkatesh) dhe shpërblim të madh.” (Sure Ahzab, 35).

Unë shpresoj se gratë nuk do t’i konsiderojnë fjalët e mia si një fjalim për të drejtat e burrit. Pasi edhe unë jam në të njëjtat pozita sikurse ato. Edhe unë jam grua… Ndaj kërkoj që t’i konsiderojnë këto fjalë si këshilla nga një motër muslimane që këshillon me sinqeritet motrën e saj. Askush më mirë se një grua nuk e di, vlerën e madhe që ka një këshillë e sinqertë në momentin kur nevojitet.

Burri nuk do që gruaja e tij të jetë mikja apo partnerja e tij, ashtu siç thonë disa mendjelehtë. Në vend të kësaj ai do që ajo të jetë një grua e bindur. Gruaja më e suksesshme, që do të fitojë zemrën e burrit dhe do të jetojë një jetë të gjatë me të nuk është gruaja më e bukur, ashtu si mendojnë beqarët, epshorët dhe njerëzit pa përvojë. Nuk është ajo më e pasura, siç mendojnë njerëzit lakmitarë, por është ajo që me burrin e saj di të sillet si “shoqëruesja e bindur e mbretit”. Islami e ka shumëfishuar shpërblimin për gruan nëse i bindet bashkëshortit të saj dhe gjithashtu i ka tërhequr vërejtjen çdo femre që devijon nga rruga e bindjes ndaj bashkëshortit të saj. Ajo dëshiron ta respektojë atë dhe gjithmonë është e etur për ta kënaqur atë dhe për ta bërë të lumtur. Sa për gruan që do ta ruajë burrin dhe shtëpinë sa më shumë të mundet, duhet ta dëgjojë atë, t’i bindet atij, dhe pastaj të shijojë jetën e kësaj bote dhe të botës së përtejme, duke kujtuar fjalën e të Dërguarit të Allahut (alejhi selam) që ka thënë: “Kur gruaja i fal pesë kohët e namazit, agjëron muajin (e Ramazanit), e ruan moralin e saj dhe i bindet burrit të saj, ajo do të hyjë në Xhenet.” (Transmetoi Bezzariu, Ahmedi dhe të tjerë). Në anën tjetër, mosbindja ndaj burrit është mëkat i madh, i cili mund të shkaktojë mospranimin e namazit. I Dërguari i Allahut (alejhi selam) ka thënë: “Janë dy njerëz namazi i të cilëve nuk ngrihet sipër kokave të tyre: një rob i cili ikën nga kujdestari i tij derisa të kthehet te ai dhe një grua e cila nuk i bindet burrit të saj derisa të kthehet (në bindje ndaj tij).” (Transmetoi Hakimi dhe Taberaniu).

Nëse burri nuk është një mbret në shtëpinë e tij dhe me gruan e tij, si doni ju që të jetë ai? Doni që të jetë një shërbëtorë, siç pretendojnë ata që flasin në emër të “cilivizimit”? Nëse gruaja nuk është “shoqëruesja e bindur e mbretit” për burrin e saj, çfarë duhet të jetë? Një mbretëreshë që del nga natyra e saj e brishtë, duke dhënë më tepër se ç’mundet nga vetja, apo duhet të jetë një shoqëruese e mirë e mbretit dhe të tregohet e bindur ndaj tij, duke mos dhënë më tepër nga ç’mundet?

Gruaja e vërtetë muslimane gjithmonë tenton ta fitojë dashurinë e bashkëshortit të saj dhe ta kënaqë atë. Ajo i flet atij fjalë të sjellshme dhe jo fjalë që e mërzitin. Ajo duhet t’i sjellë atij lajme të mira, kurse lajmet e këqija duhet t’i fshehë sa më shumë të mundet dhe gjejë kohën më të duhur për t’i treguar. Kjo me të vërtetë është një aftësi e mirë dhe njëkohësisht e rrallë, sepse gjendet vetëm te femrat e mençura. Pejgamberi (alejhi selam) na jep, në mënyrën më të qartë, cilësitë e femrës së mirë kur thotë: “Gruaja më e mirë është ajo që kur e shikon të dhuron gëzim, kur e urdhëron të bindet dhe kur e lë vetëm ruan si pasurinë, ashtu edhe veten e saj.” (Transmeton Nesaiu).

Gruaja muslimane i njeh dhe i heton pëlqimet dhe shprehitë e bashkëshortit të saj dhe mundohet që t’u qëndrojë atyre si duhet, me qëllim që martesa e tyre të mos shkatërrohet. Sa më shumë ajo ia plotëson dëshirat, aq më e fortë bëhet lidhja e tyre. Gruaja e dashur është ajo grua që i jep burrit atë që i mungon nga domethënia e jetës, i lind gëzime nga ndjenjat e saj, ashtu sikurse që i lind gëzime dhe nga barku i saj. Pra, prania e saj bën dy punë të mëdha: ia shton jetën në trup dhe ia plotëson mangësinë në domethënie.

Tregohet se Shurejhu ishte martuar me një femër nga fisi Benu Handhale. Në natën e tyre të martesës secili prej tyre fali dy rekatë dhe e luti Allahun që t’i bekojë. Pastaj ajo iu kthye Shurejhut duke i thënë: “Unë jam e huaj dhe nuk di shumë për ty. Më trego se çfarë pëlqen dhe do ta bëj atë. Tregomë se çfarë nuk pëlqen dhe do të shmangem prej saj.” Shurejhu ka thënë: “Në 20 vite asnjëherë nuk më është dashur ta qortoj, përveçse në një rast, por edhe në atë rast unë e kisha fajin.” Kjo është gruaja plot respekt, ashtu siç e do Islami, e përgjegjshme për shtëpinë e bashkëshortit dhe lozonjare ndaj tij, gjithmonë e kujdesshme për ta mbajtur në këmbë lidhjen me bashkëshortin. Nëse diçka e çrregullon martesën e tyre, ajo nxiton ta qetësojë situatën me mirëkuptimin dhe dashurinë e saj të sinqertë.

Burri është ai që meriton të marrë më shumë nga të mirat e gruas, si në ato më intimet, ashtu dhe më të spikaturat, dhe me të drejtë të ketë atë që ai dëshiron prej saj. Nëse ajo e lejon këtë gjë e bën veten të dashur ndaj bashkëshortit të saj. Gruaja i jep burrit veten e saj, trupin dhe nderin me kënaqësi dhe gëzim dhe këto gjëra nuk ia jep askujt tjetër. Atëherë si mund të mendojë që disa mospajtime fare të vogla dhe me pak rëndësi t’i konsiderojë madhore? Gruaja e zgjuar dhe e sinqertë duhet t’i shmangë nxitjen e inatit të burrit të saj dhe mosmarrëveshjet me të. Ajo asnjëherë nuk nxiton të kërkojë shkurorëzim nga bashkëshorti i saj dhe nuk e tepron me ankesat dhe akuzat ndaj tij, sepse ai është më i rëndësishëm për të se gjithçka tjetër për të cilën ata grinden. Profeti (a.s.) ka thënë: “Nëse do të urdhëroja dikë që t’i përulej dikujt, do të urdhëroja gruan t’i përulej burrit të saj”.

Nuk ka bashkëshorte që mund të quhet “shoqëruese e bindur e mbretit” e që ta konsiderojë këtë detyrë të saj si sakrificë të pamundur, a thua se kjo është shumë për të?! Shumë gra të bukura kanë humbur familjet dhe bashkëshortët e tyre edhe pse e kanë dashur njëri-tjetrin, sepse nuk i kanë lënë ata të kenë vendin që iu takon në familje. Në anën tjetër, ka shumë gra të reja që nuk janë shumë të bukura apo nuk janë edhe aq tërheqëse, që kanë arritur të mbjellin tek zemrat e bashkëshortëve të tyre dashurinë derisa janë bërë më të dashurat e tyre dhe burrat e tyre nuk largohen dot prej tyre. Kjo është ajo që disa njerëz e quajnë “bukuria shpirtërore” dhe detajet e kësaj janë të shumta, megjithatë ideja kryesore qëndron në përshkrimin e përmendur më lart “shoqërueset e mira të mbretit”. Përkujtoni këshillën e bukur që Harixhe el-Fezaije i dha bijës së saj, Esmës, në ditën e saj të martesës: “Bëhu për atë (burrin) qiell të të bëhet tokë, bëhu shtrat të të bëhet shtyllë, bëhu robëreshë për të (burrin) të të bëhet ai ty rob.”

Ajo i shërben burrit të saj dhe fëmijëve me përkushtim, duke mos e quajtur këtë punë të tepërt, ashtu siç e servirin ata që nuk ia njohin vlerat familjes. Gruaja e zgjuar e kupton detyrën që Islami ka vënë mbi shpatullat e saj, duke e obliguar atë që të jetë bashkëshorte e mirë dhe grua e ndershme, që të kujdeset për të dhe ta kënaqë. Është nder i madh për gruan që t’i shërbejë bashkëshortit të saj mëngjes e mbrëmje dhe çdo herë është e buzëqeshur me të, pasi kjo buzëqeshje do t’ia mbushte bashkëshortit jetën me gëzim, harmoni dhe qetësi shpirtërore. Gruaja, e cila është themeli mbi të cilin ngrihet jo vetëm një familje, por edhe një shoqëri e mirë, duhet që t’i dijë të drejtat e bashkëshortit të saj, sepse edukimi i denjë për fëmijët fillon pikërisht me këtë. “Secili prej jush është bari dhe ju jeni përgjegjës për ata që janë nën përkujdesjen tuaj. Gruaja është bareshë për shtëpinë e bashkëshortit dhe të fëmijëve të saj.” (Transmeton Buhariu dhe Muslimi).

Gruaja e kujdesshme nuk i zbulon sekretet e burrit të saj dhe nuk i tregon askujt për ato që bisedon me të. Ajo kurrë nuk pranon të bjerë në nivelin e atyre grave të cilat Pejgamberi (alejhi selam) i ka përmendur në hadithin e tij: “Njerëzit më të këqinj në Ditën e Gjykimit janë këta njerëz: mashkulli që nxjerr sekretet e bashkëshortes së tij dhe ajo femër që nxjerr sekretet e bashkëshortit të saj.” (Transmeton Muslimi). Nxjerrja e sekreteve është një gabim i rëndë që mund të çojë në prishjen e harmonisë familjare dhe krisjen e marrëdhënieve bashkëshortore.

Për burrin familja është një vendqëndrim, kurse për gruan një mbështetje. Kjo është ajo për të cilën ka më shumë nevojë një femër. Madje disa e kanë krahasuar gruan me një dredhëz (bimë kacavjerrëse), edhe sikur rrënja t’i jetë tharë, gjenë një degë të thatë ose një mur për t’u mbështetur dhe vazhdon të jetojë. Fatkeqësia më e madhe për të është që të mbetet pa një vend ku të kapet për t’u mbështetur. Duke ruajtur personalitetin e saj në një nivel të mundshëm dhe moralin e saj në një shkallë të lartë, vetëm kështu mund ta mbajë burrin “të varur ndaj shpirtit dhe trupit të saj”. Me dashjen e Allahut, vetëm kjo është rruga më e afërt për tek zemra e një burri.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit