23.7 C
Pristina
Tuesday, May 7, 2024

Rrëzohet një avion rus në Detin e Zi, asnjë i mbijetuar

Më të lexuarat

Igor Konashenkov: Nuk ka të mbijetuar nga 92 personat që ndodheshin në bordin e avionit rus Tu-154 që është rrëzuar mbi Detin e Zi

Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë, Igor Konashenkov, njoftoi se nuk ka të mbijetuar nga 92 personat që ndodheshin në bordin e avionit rus Tu-154 që është rrëzuar mbi Detin e Zi, raporton Anadolu Agency (AA).

Konashenkov në deklaratën e tij për gazetarët në Moskë, tha se avioni Tu-154 i Ministrisë së Mbrojtjes pas nisjes nga aeroporti Adler në Soçi në orën 05.25 ka humbur nga radari në orën 05.27.

“Është identifikuar vendi ku është rrëzuar avioni. Nuk ka shenjë që dikush ka mbijetuar nga aksidenti”, tha Konashenkov.

Ai më tej duke theksuar se në punimet e kërkim-shpëtimit marrin pjesë 4 anije, 4 helikopterë, një avion dhe një mjet ajror pa pilot, theksoi se pjesët e Tu-154 janë identifikuar në thellësi prej 70 metrash në Detin e Zi në brigjet e Soçit. Konashenkov njoftoi se kanë gjetur trupat e pajetë të 4 personave.

Avioni Tupolev-154 i cili u rrëzua në Detin e Zi është prodhuar në vitin 1983. Riparimi i fundit i avionit është bërë në Dhjetor të vitit 2014, ndërsa mirëmbajtja e fundit është bërë në shtator të këtij viti. Theksohet se koha totale e fluturimit të avionit është rreth 7 mijë orë.

Për avionin e tipit Tu-154 i nisur nga Moska pas furnizimit me karburant në Soçi ishte planifikuar që të fluturonte drejt Sirisë. Avioni transportonte anëtarët e korit të cilët do të jepnin koncert për fundin e vitit në bazën ruse Himejmim në Siri.

Rusia përjashton terrorizmin si shkak për rrëzimin e avionit

Kreu i Departamentit për Mbrojtjen në Dhomën e Lartë të Parlamentit të Rusisë, Viktor Ozerov hodhi poshtë mundësinë e një sulmi të mundshëm terrorist si shkak për rrëzimin e avionit rus në Detin e Zi, për të shtuar se rrëzimi mund të ketë ndodhur nga një defekt teknik ose nga ndonjë gabim i ekuipazhit.

Ozerov tha se “hedh poshtë” terrorizmin si shkaktar për tragjedinë, pasi siç tha, avioni ishte nën komandën e ushtrisë.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ishte informuar për tragjedinë për të shtuar se operacionin e shpëtimit e ka drejtuar personalisht ministri i Mbrojtjes, Sergei Shoigu.

Yıldırım mesazh ngushëllimi homologut Medvedev

Njoftohet se kryeministri i Turqisë, Binali Yıldırım, i ka dërguar një mesazh ngushëllimi homologut të tij, kryeministrit të Federatës së Rusisë, Dimitri Medvedev, në lidhje me avionin e rrëzuar në Detin e Zi.

Sipas informacioneve të marra nga Kryeministria e Turqisë, mësohet se Yıldırım i ka dërguar një mesazh ngushëllimi Medvedevit, në lidhje me rrëzimin e avionit Tupolev Tu-154, i cili u rrëzua me 92 persona në bord.

Theksohet se kryeministri Yıldırım gjithashtu ka transmetuar mesazhet e ngushëllimit dhe solidaritetit të qeverisë për familjarët e njerëzve të cilët kanë humbur jetën në këtë aksident ajror.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit