Një nga veçoritë më dalluese të bankave islame është se ato këshillohen gjithmonë nga ekspertë të Sheriatit Islam. Meqë arsyeja kryesore e ekzistencës së bankave islame është dëshira për të ndjekur udhëzimet e Sheriatit në financë dhe investime, u bë thelbësore të garantohej publiku, veçanërisht kursimtarët, se banka po merr këshillim profesional në këtë drejtim.
Për më tepër, duke qenë se ishte e vështirë të gjeje bankierë që kishin njohuri të thella edhe në Sheriat, bankat panë të udhës të lidhin me menaxhimin një këshill ose bord të Sheriatit. Megjithatë, jo të gjitha bankat islame kanë një bord të tillë. Disa mund të kenë vetëm një këshilltar. Të tjera mund të kërkojnë këshillë nga disa dijetarë, por vetëm kur ka nevojë. Shumica, megjithatë, mbajnë një këshill Sheriati që mblidhet herë pas here për të miratuar transaksione dhe kontrata model, dhe për të nxjerrë një deklaratë vjetore që vërteton përputhshmërinë e menaxhimit me udhëzimet dhe vendimet e bordit të Sheriatit, në lidhje me aspektet fetare të veprimtarisë së bankës.
Një bord tipik Sheriati ka këto funksione dhe detyra:
a) Jep opinion mbi çështje që i referohen nga menaxhmenti i bankës, në lidhje me aktivitetet e saj dhe përputhshmërinë me kërkesat e Sheriatit.
b) Miraton kontratat model dhe marrëveshjet standarde dhe siguron se janë në përputhje me Sheriatin.
c)Mbikëqyrja e përgjithshme e veprimtarisë së bankës dhe, në veçanti, e zbatimit nga menaxhmenti të udhëzimeve të Sheriatit të lëshuara nga bordi.
d) Lëshimi i një deklarate vjetore që shoqëron pasqyrat financiare të bankës, ku regjistrohen opinionet e bordit për përputhshmërinë e bankës me kërkesat e Sheriatit, e cila i drejtohet aksionarëve dhe klientëve të bankës.
