Sot, në ambientet e Kabinetit të tij, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai priti në një takim të veçantë hoxhën dhe aktivistin e njohur Burhan ef. Fili.

Në këtë takim, Reisul Ulema ishte i shoqëruar nga Drejtori për Diasporë, Mafiz ef. Rustemi, ndërsa mysafirin e nderuar e shoqëronin hoxha nga Shkupi, Beqir ef. Halilmi, hoxha nga Ulqini, Astrit ef. Nikaj, si dhe gazetari Ilir Ademi.
Gjatë bisedës u diskutua për zhvillimet aktuale në jetën fetare, si dhe për rolin e imamëve dhe aktivistëve në ruajtjen dhe kultivimin e vlerave islame në shoqëri, si në vend ashtu edhe në diasporë. Reisul Ulema vlerësoi lart kontributin e Burhan ef. Filit në angazhimet e tij fetare dhe shoqërore që ka zhvilluar në SHBA dhe më gjerë, duke theksuar se puna dhe përkushtimi i tij i vazhdueshëm në shërbim të besimtarëve dhe të shoqërisë përbën një model për hoxhallarët e rinj, por edhe për institucionet tona.
Nga ana e tij, Burhan ef. Fili falënderoi për pritjen dhe vlerësimin, duke çmuar punën e Bashkësisë Fetare Islame në shërbim të besimtarëve dhe të së mirës së përgjithshme, si dhe duke shprehur gatishmërinë për bashkëpunim të mëtejmë në projekte që forcojnë jetën fetare, dijen dhe mirëqenien e besimtarëve.
Takimi përfundoi në një atmosferë vëllazërore, me lutje për sukses dhe mbarësi në shërbim të fesë dhe të shoqërisë.
