Me shqetësim dhe indinjatë të thellë kemi ndjekur deklaratat e papërgjegjshme të z. Asdren Shala, i cili në një intervistë të fundit ka guxuar të njollosë emrin e ndritur të Hoxhë Jakup Asipit, duke e quajtur “sharlatan” dhe “manipulator”, e duke e akuzuar se është fshehur pas flamurit të UÇK-së dhe atij kombëtar.
Si Kryetar i Forumit Rinor të Aleancës për Shqiptarët- Çair dënoj ashpër këtë gjuhë të ulët shpifëse që i drejtohet një figure që sot nuk është më në mesin tonë për të mbrojtur veten. Kjo nuk është kritikë por është baltë mbi një njeri që i ka dhënë shumë këtij populli.
Hoxhë Jakup Asipi ka qenë dhe do të mbetet një prej figurave më të respektuara të kombit shqiptar, një prijës shpirtëror dhe një zë i guximshëm për të vërtetën në kohët më të vështira.
Ai nuk ishte thjesht hoxhë, por ishte një atdhetar që i doli zot popullit të vet me fjalë, me qëndrim, dhe me guxim.
Në predikimet e tij, ai nuk predikonte vetëm fe, por edhe dinjitet, vetëdije kombëtare dhe bashkim. Ishte zëri i popullit të nëpërkëmbur dhe gjithmonë qëndroi në anën e drejtë të historisë. Ai nuk u fsheh pas flamurit të UÇK-së, ai e nderoi atë flamur, sepse UÇK-ja për të ishte simboli i lirisë, i gjakut të derdhur për këtë tokë dhe i sakrificës shqiptare.
Në vend që ta nderojmë kujtimin e tij, të tillë shpifës merren me baltosje, pa asnjë dëshmi, pa asnjë argument, vetëm për të përfituar vëmendje.
Por ne nuk do të heshtim.
I bëjmë thirrje opinionit publik që të mos bjerë pre e fjalëve të pamatura dhe përçarëse.
Ta kujtojmë Hoxhë Jakup Asipin siç e njohëm të urtë, të përkushtuar dhe të drejtë.
Në emër të Forumit Rinor të Aleancës për Shqiptarët, kërkoj ndaljen e fyerjeve dhe përbaltjes ndaj figurave që i kanë shërbyer me nder këtij kombi.
Shpirti i Hoxhë Jakup Asipit le të pushojë në paqe.
Vepra e tij do të jetojë përgjithmonë në zemrat e shqiptarëve që nuk harrojnë.
Allahu e shpërbleftë për sakrificat e mundin e dhënë dhe e mëshiroftë në botën e përhershme!
Me respekt dhe dashuri
Hamza Nuhiu
Kryetar i Shtabit të FRASH – Zona 1
