7.1 C
Pristina
Wednesday, April 24, 2024

Rama-Kurti, në “kritikën” e Rexhep Qoses

Më të lexuarat


Akademiku: ç’mund të bënte kjo dyshe për bashkimin Shqipëri-Kosovë

Për akademik Rexhep Qosen, nuk ka cëcshtje të zgjidhur shqiptare ka bashkim kombëtar, d.m.th. bashkim të Shqipërisë me Kosovën.

Këtë, ai e ka pohuar e potencuar fort në një intervistë për të përditshmen e Tiranës, Dita. “Gjendja e çështjes shqiptare sot është larg më e mirë, më e pranueshme se ndonjëherë më parë. Por, çështja shqiptare nuk mund të quhet e zgjidhur, historikisht e zgjidhur. Jo.

Çështjen shqiptare do të mund ta quajmë historikisht të zgjidhur vetëm kur të bashkohen Kosova dhe Shqipëria në një shtet të përbashkët, trajtën kushtetutare juridike të të cilit do ta caktojnë bashkërisht me referendum apo me plebishit”, argumenton akademiku i njohur kosovar.

Në këtë frymë, ai u jep një notë pozitive kryeministrave të të dy anëve, Kurti e Rama, por që siç thotë, mund të bëjnë më shumë.

“Dy kryeministrat e tashëm, ai i Shqipërisë, Edi Rama, dhe ai i Kosovës, Albin Kurti, kanë sjellë ide të reja, sjellje të reja, veprime të reja, mendime të reja, në politikën e tyre shtetërore, kur e kur edhe në politikën ndaj çështjes kombëtare të pazgjidhur historikisht. Ata e kanë ngritur nivelin dhe dinjitetin e politikës sonë në përgjithësi.

Posaçërisht i dukshëm është kontributi i Albin Kurtit ndaj çështjes kombëtare. Këtë që në krye të herës e ka dëshmuar edhe emri i Lëvizjes së tij: Vetëvendosje.

Por, dy kryeministrat tanë mund të bëjnë edhe më shumë për këtë çështje. Ata duhet të dinë se në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Bashkimin Evropian ekzistojnë intelektualë, studiues shkencorë, publicistë, që e kuptojnë dhe e përkrahin bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.

Ata duhet të jenë të bindur se mbas pranimit të Shqipërisë e të Kosovës në Bashkimin Evropian do të fillojnë të mendojnë zyrtarët e atij Bashkimit se edhe për vetë Evropën do të jetë më e kuptueshme, më e arsyeshme, më e drejtë që në atë Bashkim të mos jenë dy shtete shqiptare –Shqipëria dhe Kosova, por të jetë një shtet shqiptar: shteti i Shqipërisë dhe i Kosovës – të bashkuar.

Qoftë edhe për këtë arsye ata, pa ngurrime, pa drojën e sotme mos po i shqetësojnë kolegët evropianë, ata, duhet t’ua shqiptojnë atyre idenë e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë si zgjidhje e çështjes kombëtare shqiptare, që është në interesin edhe të vetë Bashkimit Evropian.

Dhe bashkë me kryetarët, kryetarët e kuvendeve dhe ministrat e Jashtëm të dy shteteve tona duhet të jenë ata që do të kërkojnë dhe do të arrijnë që në Kushtetutën e Shqipërisë dhe në Kushtetutën e Kosovës të futet paragrafi në të cilin do të shënohet se Shqipëria dëshiron të bashkohet me Kosovën dhe se Kosova dëshiron të bashkohet me Shqipërinë.

Dhe, për këtë dëshirë të tyre do të vendosë populli i Shqipërisë dhe populli i Kosovës në Referendum.

Dhe, për këtë dëshirë të tyre ata, udhëheqësit shqiptarë, do të bëjnë përpjekje politike për përkrahjen e zyrtarëve të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, arsyeton Qosja në intervistën dhënë për Dita-n. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit