3.3 C
Pristina
Thursday, April 18, 2024

Rama, Kuma Marua ynë që do të pijë detin…

Më të lexuarat

AGIM BAÇI

Çdo prind që u ka lexuar fëmijëve “Xinxifilluan” e Mitrush Kutelit, nuk ka se si të mos ketë ndaluar sadopak në mënyrën se si mbreti i pyllit, Kuma Maro, i drejtohet gruas së zënë ngushtë në mes të pyllit, e cila i kërkon ndihmë: “Jo, moj, jo! Ti s’më more vesh! Mbreti s’merr nga ata që kanë, por nga ata që s’kanë, se prandaj është mbret… Mbreti e ka mirë me kamësit: ay s’i trazon, ata s’e trazojnë; ay i ndihmon, ata e ndihmojnë… mbreti mbretëron mbi pasunarët, po rëndon mbi të varfrit, se ata janë të shumtë”, i thotë Kuma Marua Trendelinos, duke i kërkuar si shpërblim për ndihmën që ajo t’i dhurojë vajzën që do të lindë. Në vazhdim, Kuma Marua bën marrëveshje me çdo kafshë hileqare të pyllit të tij, që ta ketë të bijën e Trendelinos. Madje, aq shumë e dëshiron, sa për ta pasur të pamundurën, vendos të pijë detin…

Përpjekja e Kuma Maros, siç i thotë Kuteli gjatë tregimit mbretit të pyllit, mund të krahasohet me dëshirën e sotme të qeverisjes së Kryeministrit Rama, që tashmë nuk kërkon thjesht një nënshtrim të qytetarëve, por dëshiron të lexojë tek ata bindjen se nuk kanë asnjë zgjidhje tjetër, përveçse të votojnë sërish të njëjtin person sepse ai është i bindur plotësisht se askush tjetër nuk ka, sipas tij, më shumë përvojë në qeverisje.

Madje, ashtu si Kuma Marua që bashkë me dhelprën bën plane për të shtënë në dorë Xinxifilluan që ia ka pushtuar zemrën, ashtu edhe Kryeministri Rama ka vërsulur gjithë dhelprat e tij mediatike, që, në mënyrë qesharake, shpallin si një zbulim deklaratat e shefit të qeverisë, i cili thotë se “do të shkonte në shtëpi për t’u marrë me të birin e vogël, por ja që ia kërkojnë qytetarët që ende nuk janë të qetë pas tërmetit dhe pandemisë…”.

Nuk ka shifra për premtimet që ka dhënë e as për atë që ka bërë në tetë vite pushtet.

Nuk ka të dhëna për të larguarit, nuk ka llogaridhënie, nuk ka transparencë për paratë e humbura nga çështja e Becchett-it për tekat e tij, nuk ka asnjë shpjegim për njerëzit që kalojnë të ftohtin nën çadra pa asnjë ndihmë, nuk ka asnjë shpjegim përse zyrtarët e tij i blejnë më shtrenjtë të gjitha pajisjet e shëndetësisë edhe pse çmimet janë publike, nuk ka asnjë shpjegim përse qeveria e tij nuk është e përgatitur për asnjë lloj gjendje emergjence civile, si: tërmeti, pandemia apo përmbytjet. Thjesht nga Kuma Marua ynë ka konferencë dy-triorëshe shtypi për çdo vaksinë të ardhur në Rinas. Ka gjithashtu një Shqipëri 3D, të cilën e shfaq sa herë përballet me ata që i kërkojnë ndihmë.

Pavarësisht se Bashkimi Europian zgjeron listën e kushteve për procesin e integrimit për shkak të zhgënjimeve të qeverisjes në këto tetë vite – një qeveri që ka privuar qytetarët nga gjykatat, që ka shmangur çdo hetim për akuzat për vjedhje votash nga bashkëpunëtorët e tij, si Dako apo Gjiknuri,– sërish z. Rama e mendon veten si të pazëvendësueshëm, madje të kërkuar me ngulm nga të varfrit dhe hallexhinjtë e këtij vendi.

Në fakt, Kuma Marua i sotëm i qeverisë është thuajse në kufi të dëshirës për të pirë detin. Ndoshta vetë nuk e ka lexuar kurrë Kutelin, që ta dijë sesi përfundon kjo dëshirë. Ata që e kanë lexuar, e dinë se sa e pamundur mbetet kjo dëshirë për shkak se trupi nuk mund ta mbajë gjithë atë kripë. Megjithatë, tani Rama kërkon që fabulën në kokën e vet t’ia mveshë dëshirës së shqiptarëve– shqiptarëve të varfër, të cilët i ka tallur sa herë ka qenë përballë tyre. Ashtu si Kuma Maro, ai u ka dhënë gjithçka biznesmenëve që ka pasur për zemër, me kusht që ata të jenë sot pranë tij për të “blerë dëshirat” e tij.

Ai vendos se çfarë është e vërtetë në media dhe çfarë është e gënjeshtërt, ai etiketon çdo gazetar e çdo media në bazë të së vërtetës që ai servir. Ai paralajmëron se kush duhet të dënohet e kush jo nga drejtësia (“e nuhati” tri orë më parë që doktor Edvin Prifti do të arrestohej në sallën e gjyqit, duke vënë në vështirësi të madhe edhe institucionet e drejtësisë, me të cilat ai krenohet se janë të pavarura). Shkurt, Kuma Marua ynë është një hap larg personazheve të Oruellit te “Ferma e kafshëve”, që duhet të bërtasin në kor në varësi të dëshirave të tij, duke ironizuar këdo që ecën si njeri dhe duke admiruar “katërkëmbëshit”. Në PS ka vendosur si standard komunikimi admirimin e Spiropalit që e sheh si Skënderbe. Nuk ka më debate. Nuk ka më llogari. Nuk ka më zgjedhje. Në pyllin e tij të PS-së janë larguar “kafshët” që nuk arrijnë ta duartrokasin sa duhet. Duke u bashkuar duartrokitësve të tij edhe “të fortët” dhe “analistët e bindjes”, ai po kërkon një mandat për… të pirë detin. Dhe për këtë ëndërr reciton me zë të lartë në publik edhe poezinë e tij të preferuar “jam më i miri, jam i pazëvendësueshëm”, pa e ditur se ç’ndodh kur kërkon të pish detin…

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit