Ushtrimi i kotë burokratik i vizatimit të hartave mbi zona me shumë pak njerëz, si maskim për dështimin e decentralizimit
Qeveria ka vendosur të na dhurojë një tjetër reformë territoriale, sikur të mos kishim mjaft harta të vizatuara e të grisura ndër vite. Këtë herë synimi është krijimi i rajoneve të mëdha administrative, një projekt që shitet si “standard evropian”, por që në realitet duket më shumë si një përpjekje për të mbuluar dështimin e bujshëm të vitit 2015.
Pas 13 vitesh në pushtet, kryeministri Edi Rama ka ende kurajën të flasë për një reformë të re 10-vjeçare, madje duke parashikuar me vetëbesim edhe fitoren e zgjedhjeve të vitit 2029. Është vërtet për t’u admiruar ky optimizëm i pashtershëm: pas një dekade dështimesh, zgjidhja e vetme duket se është sërish vizorja dhe lapsi, sikur problemi të ishte gjeometria dhe jo keqqeverisja.
Drejtuesit vendorë, pavarësisht titujve të rinj, mbeten peng i humorit të kryeministrit. Në fushata na prezantohen si profesionistë të shkëlqyer, shpëtimtarë të komunitetit, por sapo guxojnë të kenë një mendim ndryshe, përfundojnë të linçuar publikisht nga Rama me një arrogancë që mund të shërbente si model studimi në fakultetet e psikologjisë.
Fati i tyre është i thjeshtë: ose ushtarë të bindur, ose “koka turku” të dorëzuara tek SPAK për të shpëtuar sistemin. Autonomia e tyre është aq e “madhe” sa nuk guxojnë të ndërrojnë as pllakat e trotuarit pa bekimin e kryeministrit, i cili duket se ka një fiksim të pashërueshëm për të lënë vulën e tij kudo, nga sheshet urbane deri te projektet më të vogla rurale.
Reforma e re rrezikon të jetë thjesht një pudër e hedhur mbi një administratë të fryrë deri në absurd. Shqipëria ka rreth 192 mijë të punësuar në administratën shtetërore dhe lokale, ndërkohë që BE thotë se do të mjaftonin vetëm 85 mijë.
Por kjo ushtri militantësh është e “shenjtë” për pushtetin: ajo shërben si rezervuar votash dhe si garanci për mandatet e ardhshme. Ironia arrin kulmin kur kryeministri pyet kryebashkiakët pse bashkitë janë në prag falimentimi, sikur të mos e dinte që mbi 60 për qind e buxhetit shkon vetëm për pagat e militantëve të tij.
Pyetja e tij është aq naive sa duket e shkruar për një skeç humori. Miliarda euro u shpenzuan për “Rilindjen Urbane”, por rezultati ishin pllaka mermeri dhe shatërvanë që nuk ndalën emigrimin në masë të shqiptarëve. Popullsia ka rënë në 2.37 milionë banorë, një dështim që nuk e kuron dot asnjë hartë e re territoriale.
Tirana dhe Durrësi përqendrojnë 53 për qind të ekonomisë, ndërsa pjesa tjetër e vendit jeton në agoni. Dhe pikërisht këtu hyn ironia e madhe: krijimi i rajoneve të reja pa qytetarë. Çfarë vlere ka vizatimi i kufijve të rinj, kur brenda tyre mungon popullsia?
Rajonet e reja rrezikojnë të jenë thjesht “zona statistikore” mbi hartë, ku burokracia do të menaxhojë fondet e BE-së, por pa komunitete aktive që përfitojnë. Ky është iluzioni i reformës: të pretendosh se mund të ndërtosh një rend administrativ pa njerëz, ndërkohë që vendi po zbrazet dita-ditës.
Opozita, nga ana e saj, duket e kapur në një kurth komik: mes retorikës revolucionare që mbetet në letër dhe protestave që nuk prodhojnë ndryshim, ajo kërkon njëkohësisht të përfillet qoftë edhe formalisht nga mazhoranca.
Ky dualizëm e ka bërë të duket si një figurë ceremoniale: shpall synime për rrëzim pushteti, por në fund pranon të legjitimojë proceset e qeverisë vetëm për të mbijetuar politikisht. Rezultati është një opozitë që duket më shumë si spektator i lodhur sesa një alternativë e besueshme.
Nëse nuk analizohen miliardat e shpërdoruara në beton dhe nuk shkundet mirë administrata kryesisht parazitare, kjo reformë do të mbetet një tjetër mashtrim elektoral i parakohshëm. Shqipëria s’ka nevojë për vizatime të reja mbi letër që thjesht ripaketojnë pushtetin e një njeriu të vetëm deri në vitin 2035.
Ajo ka nevojë për drejtues lokalë që u shërbejnë qytetarëve dhe jo tekave estetike apo humorit të kryeministrit. Në këto kushte mbetet e hapur pyetja ironike: a po ndërtojmë rajone për njerëzit, apo po rregullojmë thjesht letrat ndërsa fikim dritat e fundit të një vendi që po zbrazet nga dështimi social dhe arroganca e pushtetit? / tesheshi. com/
