16.1 C
Pristina
Monday, April 29, 2024

Pyetja ime ka të bëjë me medhhebet

Më të lexuarat

Pyetja:

Esselamu alejkum ue rahmetullahi ue berekatuhu. Fillimisht lus Allahun e Lartësuar që t’ju shpërblejë për misionin tuaj fisnik.
Pyetja ime është paksa më e ekzagjeruar. Ka të bëjë me medhhebet. A është mëkat të jepet fetua e gabuar nga ulematë e nderuar që e quajnë vetën muxhtehid në thonjëza, që çdo pyetje kur nuk mund t’i jepet haku të thuhet kjo ka të bëjë me këtë apo me atë medhheb. Bie fjala, shpesh pak edhe për lavdërim thuhet se ne hanefitë e kemi më mirë, se edhe ashtu jemi 75% e umetit…!
Si nënpyetje tjetër, prej cilit vit të hixhretit, ose më mirë, pas sa vitesh të ndërrimit jetë të Muhamedit alejhi selam kanë filluar të praktikohen medhhebet? Dhe sa është e drejtë thënia se nëse nuk je përcaktuar për një medhheb, nuk ke namaz?
Mua personalisht më pengojnë mosmarrëveshjet në xhami me ata njerëz që falen. Subhanallah, e nuk merremi me ta, p.sh., që nuk e falin namazin, apo nuk kryejnë as një farz tjetër. Lus Allahun e Madhërishëm të na forcojë. Ue estagfirullah el Adhim. Xhezak-Allahu hajren, ue selamu alejkum!

Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen, mbi shokët dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Vëlla i dashur! Edhe pse disa prej pyetjeve që ngrini janë themelore e të tjerat sqaruese, tema e shkruar nga hoxha Bahri Curri shtjellon kryesisht çështjet për të cilat ju keni interesim, prandaj në mungesë të kohës ne do të mjaftohemi këtë herë duke sjellë këtë temë të shkruar. Shpresojmë se në ndonjë rast tjetër do të gjejmë kohë të zgjerohemi më shumë.

Alaudin Abazi
15.6.2007

A ËSHTË E PRANUAR TEK ALLAHU NDARJA E MEDHHEBEVE?

Disa mendojnë se në grupin tonë sunit janë bërë disa ndarje që dallojnë njëri prej tjetrit në disa aspekte, ku kemi hanefi, maliki, shafi, hanbeli, dhe thonë: A janë të pranuara tek Allahu këto ndarje? Është e vërtetë se ne duhet ta adhurojmë Allahun xh.sh. sipas argumentit – Kuranit dhe Sunetit, por nuk ka mundësi që të gjithë njerëzit të jenë të një kategorie në njohjen e këtyre argumenteve dhe si pasojë vjen formimi i këtyre medhhebeve. Ne duhet të kuptojmë drejt rolin e këtyre medhhebeve dhe arsyen e themelimit të tyre. Nuk ekzistojnë vetëm këto katër medhhebe që u përmendën, ka më shumë, por vullneti i Allahut ishte që këto katër medhhebe të marrin famë dhe të jenë të njohura nga të gjithë muslimanët, ndërsa të tjerat të mbeten në libra e të njihen vetëm nga studiuesit. Vetë ajeti kuranor i dallon njerëzit: “Pyetni dijetarët për atë gjë që nuk dini!” (Nahl, 43) dhe i ndan në dy kategori:
1. Në kategorinë e parë hyjnë dijetarët, që e kanë për detyrë t’i mësojnë njerëzit dhe t’u përgjigjen pyetjeve që u bëhen;

2. Në kategorinë e dytë hyjnë njerëzit e zakonshëm, që e kanë për detyrë t’u drejtohen dijetarëve e t’i pyesin për gjërat që nuk i dinë.

Në bazë të kësaj dhe argumenteve të tjera nuk ndalohet taklidi (imitimi apo ndjekja e dikujt në parimet fetare), madje ai është i nevojshëm për kategorinë e dytë të lartpërmendur, të cilët nuk kanë dije. Duke u nisur nga kjo, dijetarët e mirëfilltë, në mesin e tyre edhe themeluesit e medhhebeve, filluan ixhtihadin (studimet, analizat dhe hulumtimet) e tyre rreth argumen-teve (Kuranit dhe Sunetit), që t’i përgatitin në një formë më të lehtë për t’u pranuar dhe praktikuar nga masa e gjerë muslimane, gjithmonë duke synuar të vërtetën dhe më të saktën që ka ardhur në sheriat. Si rezultat i kësaj vjen themelimi i medhhebeve, që janë shkolla juridike të formuara në bazë të ixhtihadit të një dijetari, si rasti i këtyre medhhebeve, ku dijetarët i theme-luan këto medhehbe në bazë të përfundimit të tyre gjatë studimeve të bëra në këtë fushë (ixhtihadit), dhe çdo herë, siç e dimë, kanë thënë: “Nëse vërtetohet hadithi, ai është medhhebi (mendimi) im!” Që do të thotë se nëse mendimi im bie në kundërshtim me hadithin, bie dhe mohohet fjala ime dhe merret hadithi për bazë.

Në parim të gjithë dijetarët, themeluesit e këtyre medhhebeve, janë të një mendimi dhe nuk kanë ndryshim, kanë të njëjtën bazë në akide dhe të njëjtin synim në ixhtihad, edhe pse kanë disa ndryshime të vogla në gjërat sekondare apo edhe në disa mendime, gjë që vjen si pasojë e mosarritjes së hadithit tek ai, apo për shkak të kritereve tepër të forta dhe nuk pranojnë tjetër vetëm se hadithet e sigurta. Por, në gjithë këtë ata kanë shpërblim, ia qëlluan apo nuk ia qëlluan, sepse i Dërguari (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të) thotë: “Ai, i cili gjykon, bën përpjekje (ixhtihad) dhe ia qëllon i ka dy shpërblime, e nëse nuk ia qëllon e ka vetëm një shpërblim.”
Andaj, ndarja e medhhebeve nuk është e ndaluar apo e papranuar tek Allahu, sepse që të gjitha bazohen në transmetimet e sahabëve që i mësuan këto argumente nga i Dërguari (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të) dhe pastaj ua përcollën gjeneratave të reja në vazhdim. Për shumë çështje ka variante të ndryshme që disa sahabë i kanë transmetuar disa prej tyre (ato që i ka dëgjuar dhe parë vetë nga i Dërguari), të cilat edhe i ka marrë njëri prej këtyre themeluesve të medhhebeve, ndërsa variantet e tjera i ka marrë tjetri dijetar nga sahabët e tjerë, e kështu me radhë. Lejohet ndjekja e një medhhebi, me përjashtim të rasteve kur dihet se argumenti është i dobët, apo te medhhebi tjetër ekziston argumenti më i fortë dhe më i saktë.
Njerëzit e thjeshtë duhet t’i kuptojnë hadithet nëpërmjet shpjegimeve të dijetarëve të mirëfilltë, pasi ata nuk janë në gjendje që ta bëjnë këtë gjë vetë. Nëse një njeri punon në përputhje me një hadith të saktë, të cilin e ka kuptuar në bazë të shpjegimit të një dijetari, atëherë ai duhet të vazhdojë të punojë me të, pa i dhënë rëndësi dilemës apo dyshimit që mund të lindë për shkak të ndonjë hadithi tjetër të saktë, pasi siç dihet ai nuk e ka për detyrë që të thellohet në studimin e haditheve. Por, edhe ndjekja e një medhhebi të caktuar në të gjitha aspektet fetare, pa i përfillur mendimet e medhhebeve apo të dijetarëve të tjerë, është e ndaluar, pasi është në kundërshtim me argumentet e Kuranit dhe të Sunetit. Dijetarët i klasifikojnë njerëzit në tri grupe:
1. Dijetarët, të cilët përpiqen që, duke u bazuar në Kuran dhe Sunet, të formojnë vetë rregullat dhe dispozitat e legjislacionit islam;

2. Nxënësit e dijes, të cilët ndjekin fjalët e dijetarëve duke njohur edhe argumentet përkatëse;

3. Njerëzit e thjeshtë, të cilët e kanë për detyrë që të zbatojnë pikë për pikë fjalët e dijetarëve.

Pra, nuk mund të themi se taklidi, ndarja dhe pasimi i medhhebeve është i ndaluar apo i papranuar, pasi shumica e njerëzve bëjnë pjesë në grupin e tretë dhe si të tillë nuk mund të thellohen në pjesën dërmuese të çështjeve fetare. Allahu e di më së miri!

Bahri Curri

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit