10.1 C
Pristina
Monday, May 13, 2024

Pushtimi i Ukrainës: a është SHBA përgjegjëse

Më të lexuarat

Nga Haluk Dogan*

Pas një periudhe të gjatë përshkallëzimi, presidenti rus Vladimir Putin ka urdhëruar trupat në dy rajonet e shkëputura të Ukrainës Lindore, duke shkaktuar dënimin e menjëhershëm të Perëndimit dhe një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Ndënëse Moska akuzohet nga Perëndimi për rritje të akteve të agresionit në kufirin ukrainas, pushtimi nuk ishte një ngjarje e njëanshme.

Për muaj të tërë, blloku anglo-amerikan nuk ka qenë i gatshëm të ulë tensione e krizës. Uashingtoni dhe Londra kanë synuar ta ringjallin çështjen për aleancën e NATO-s, të zhvlerësojnë argumentet për një marrëveshje të veçantë sigurie në mbarë Bashkimin Evropian dhe të dobësojnë Rusinë në përpjekje për të parandaluar shfaqjen e blloqeve rivale në Euroazi dhe rajonet e Azisë-Paqësorit.

Megjithatë, për ta thënë troç, kjo strategji nuk do të ndryshojë rënien e hegjemonisë amerikane.

A është kthyer ‘aleanca transatlantike’?

Disa ditë përpara pushtimit, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy shprehu zhgënjimin e tij për dështimin e “miqve” të tij perëndimorë për të mbështetur Ukrainën përballë agresionit rus. Ky perceptim është në përputhje me akuzat e mëparshme të zyrtarëve ukrainas se presidenti i SHBA-ve Joe Biden i dha Moskës një “dritë jeshile” për ta pushtuar Ukrainën.

Zhgënjimi i Kievit është plotësisht i kuptueshëm.

Dhënia e dritës jeshile për Moskën ka të bëjë po aq me marrëdhëniet transatlantike, aq sa edhe me marrëdhëniet Perëndim-Rusi ose Ukrainë-Rusi. Hegjemonia e SHBA-ve pas Luftës së Dytë Botërore bazohet në dominimin e saj në Evropën kontinentale, me NATO-n që vepron si mekanizmi kryesor për arritjen e supremacisë amerikane.

Strategjia anglo-amerikane tani fokusohet në parandalimin e shteteve evropiane që të veprojnë në mënyrë të pavarur. Kërcënimi rus mendohet se i shërben këtij qëllimi, duke e shtyrë Evropën të ketë nevojë për fuqinë amerikane dhe britanike.

Blloku anglo-amerikan nuk ka qenë kurrë i kënaqur me përpjekjet e Francës për të krijuar një mekanizëm alternativ të sigurisë evropiane, apo me marrëdhëniet e Gjermanisë me Rusinë – veçanërisht në drejtim të bashkëpunimit në gazsjellësin Nord Stream. Rritja e lidhjeve ekonomike midis Bashkimit Evropian dhe Kinës janë gjithashtu shkaqe shqetësimi për aleancën anglo-amerikane.

Në këtë kontekst, nuk është aspak e habitshme që Biden theksoi në Konferencën Virtuale të Sigurisë në Mynih 2021: “Amerika është kthyer. Aleanca transatlantike është rikthyer… Partneriteti midis Evropës dhe Shteteve të Bashkuara, për mendimin tim, është dhe duhet të mbetet gur themeli i gjithçkaje që shpresojmë të arrijmë në shekullin e 21-të, ashtu siç bëmë në shekullin e 20-të.”

Eliminimi i Rusisë në “Lojën e Madhe”

As NATO, e as shtetet perëndimore nuk do të hyjnë në luftë me Rusinë për pushtimin e Ukrainës. Pushtimi justifikon përpjekjet e tyre për të minuar Rusinë ekonomikisht dhe politikisht.
Megjithatë, strategjia e dobësimit të Rusisë nuk ka të bëjë vetëm me aktivitetet e saj ushtarake në Evropën Lindore. Kremlini ka përqafuar prej kohësh një qasje që thekson statusin e fuqisë së madhe të Rusisë në një botë shumëpolare, në kundërshtim të drejtpërdrejtë me vizionin e SHBA-ve për një botë unipolare në të cilën ajo mbretëron pa rival.

Prandaj, qëllimi anglo-amerikan nuk është vetëm të dobësojë Rusinë nëpërmjet sanksioneve ekonomike, ose të dëmtojë interesat ekonomike të Moskës në Evropë, por gjithashtu të largojë vëmendjen dhe energjinë e saj larg nga Paqësori indian dhe aziatik në veçanti, me qëllim pengimin e partneritetit të Rusisë me Indinë dhe Kinën.

India ka lidhje prej dekadash me Rusinë dhe Nju Delhi së fundmi filloi të marrë sistemet ruse të mbrojtjes S-400. Por India është njëkohësisht edhe anëtare e Quad – një aleance që përfshin SHBA-të, Japoninë dhe Australinë, e cila synon të kundërshtojë fuqinë në rritje të Kinës. Si SHBA-të ashtu edhe Britania e kanë shtyrë prej kohësh Indinë të bashkëpunojë me ta për sa i përket Kinës.

Në takimin e fundit të Quad-it, SHBA-të kërkuan që India të qëndronte në krah të saj përballë pushtimit rus të Ukrainës. Një tjetër temë e rëndësishme për diskutim ishte rritja e marrëdhënieve ekonomike dhe diplomatike midis Rusisë dhe Kinës.

Blloku anglo-amerikan shpreson se pushtimi i Ukrainës do ta plagosë rëndë Rusinë, duke e penguar atë të jetë një aktor i rëndësishëm rival në konfrontimin e tyre me Kinën.

Çështja e rënies amerikane

Dominimi anglo-amerikan do ta shtyjë Evropën në nënshtrim deri diku dhe Rusia do të plagoset. Por a do ta ndryshojë kjo shpërbërjen e hegjemonisë amerikane në terma afatgjatë?

Siç e bëri të qartë presidenti rus Vladimir Putin në fjalimin e tij televiziv pak para pushtimit, sanksionet e vendosura nga Perëndimi nuk do ta largojnë Rusinë nga përpjekjet për të ruajtur pozitën e saj në skenën botërore.

NATO e ka humbur tashmë prestigjin dhe fuqinë, ndërsa pushtimi i Ukrainës vetëm se do ta përkeqësojë këtë situatë. Rritja e peshës së bllokut anglo-amerikan në Evropë për shkak të konfliktit në Evropën Lindore do të ketë gjithashtu një ndikim negativ në aftësinë e tyre për të frenuar Kinën në Azi.

Ndërsa pas aneksimit të Krimesë nga Rusia, pushtimi rus i Ukrainës nuk do të bëjë që Franca të braktisë thirrjen e saj për autonomi strategjike për BE-në në tërësi, as nuk do të ndryshojë ndërvarësinë e Evropës dhe Rusisë nga gazi.

Përpjekjet e koalicionit anglo-amerikan për diversifikimin e gazit në favor të Evropës do të ndikojnë në dinamikën strategjike në Mesdhe dhe Lindjen e Mesme. Megjithatë, nuk ka gjasa të pengojë projektin Nord Stream 2, pavarësisht se Uashingtoni dëshiron ta shohë këtë. Për shkak të erozionit të vazhdueshëm të pozicionit hegjemonist të SHBA-ve në ekonominë botërore, duket se Kina do të vazhdojë të jetë partneri më i madh tregtar i BE-së .

India tashmë ka sinjalizuar se do të mbetet neutrale ndaj krizës në Ukrainë, gjë që nënkupton se pushtimi rus i Ukrainës do të ketë pak ndikim në lidhjet e ngushta midis Moskës dhe Nju Delhit.Më e rëndësishmja, kjo situatë duket se i ka dhënë Moskës dhe Pekinit arsye të tjera për të vepruar së bashku dhe për t’u afruar, pavarësisht nga interesat e tyre kontradiktore në Azi. Ata ndajnë një dëshirë të përbashkët për të sfiduar sistemin ndërkombëtar të dominuar nga perëndimi. Nëse Rusia do të dëmtohet nga sanksionet perëndimore, ajo do të mbështetet te Kina në aspektin ekonomik në një farë mase, ndërsa veprimet e tyre të sigurisë kolektive do të përshpejtojnë shkatërrimin e hegjemonisë së SHBA.

Në rastin e pushtimit rus të Ukrainës, nuk ka asnjë fitues absolut. Në fakt, asgjë nuk do të ndryshojë për sa i përket zbërthimit të vazhdueshëm dhe gradual të hegjemonisë globale amerikane. /tesheshi.com/

*Haluk Dogan është ekspert i politikës dhe çështjeve të sigurisë. Puna e tij është e fokusuar në teorinë e marrëdhënieve ndërkombëtare, analizën e politikës së jashtme dhe marrëdhëniet Perëndim-Rusi.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit