Pse luftërat moderne fitohen në fabrika dhe jo fushëbeteja…

Më të lexuarat

Fuqia industriale, çelësi vendimtar për mbijetesën në luftërat e shekullit XXI

Nga Nazmelis Zengin, Daily Sabah

Inteligjenca artificiale, sistemet autonome dhe fuqia kibernetike po e formësojnë karakterin e konflikteve të ardhshme. Megjithatë, po rishfaqet një e vërtetë e pamundur për t’u injoruar: kufijtë e vërtetë të fuqisë ushtarake nuk vendosen më vetëm në fushën e betejës, por në fabrika dhe brenda zinxhirëve të furnizimit.

Në fazën hapëse të sulmeve të fundit SHBA-Izrael kundër Iranit, u përdorën mijëra municione precize brenda pak orësh. Pyetja kyesore nuk është se sa herë u qëllua, por për sa kohë mund të mbahet një ritëm i tillë.

Dhe këtu fillon të davaritet iluzioni i luftës moderne. Ne e imagjinojmë konfliktin si një garë teknologjish të përparuara, ku fitorja u përket atyre që inovojnë më shpejt, por realiteti është më i pamëshirshëm.

Lufta me teknologji të lartë, konsumon burime me një ritëm që edhe ekonomitë e përparuara e kanë të vështirë ta përballojnë. Municionet e drejtuara dhe raketat interceptuese janë efektive, por ato janë të shtrenjta dhe zëvendësohen ngadalë.

Një interceptor mund të kushtojë miliona, ndërsa droni që ai shkatërron kushton vetëm një pjesë të vogël të kësaj shume. Kur ky shkëmbim përsëritet në shkallë të gjerë, çekuilibri bëhet strukturor.

Superioriteti teknologjik pa një industri të fortë nuk është avantazh, por një pengesë që pret të ekspozohet. Lufta në Ukrainë e demonstroi këtë me qartësi brutale.

Konsumi i predhave dhe raketave tejkaloi supozimet e prodhimit të NATO-s. Industritë e mbrojtjes, të projektuara për efikasitet në kohë paqeje, u përballën me realitetin se mbijetesa varet nga vëllimi, jo nga eleganca.

Mbrojtja ajrore ilustron më së miri këtë paradoks. Dronët e lirë komercialë i detyrojnë shtetet të shpenzojnë raketa me vlerë miliona dollarë. Kur sulmet vijnë në tufa, edhe sistemet më të përparuara bien në një kurth strategjik ekonomik.

Për dekada, forca kombëtare lidhej me inovacionin, por sot verdikti është i ashpër: inovacioni që nuk mund të industrializohet është strategjikisht i paplotë. Ndarja e vërtetë nuk është më mes atyre që mund të projektojnë sisteme të sofistikuara dhe atyre që nuk munden, por mes atyre që mund t’i prodhojnë ato në masë.

Vendet që integrojnë kërkimin me prodhimin e shkallëzueshëm kanë një avantazh vendimtar. Historia ofron precedentin e Luftës së Dytë Botërore, ku kapaciteti industrial i SHBA-së thjesht i “mposhti” kundërshtarët përmes prodhimit.

Për fuqitë e mesme si Turqia, ky transformim është edhe paralajmërim, edhe mundësi. Përmes kompanive si Baykar, Aselsan dhe Roketsan, Turqia ka zhvilluar aftësi vendase që janë testuar në Siri, Libi e Ukrainë.

Rëndësia e tyre qëndron te aftësia për t’i prodhuar dhe mbështetur ato në shkallë të gjerë. Në këtë epokë, parimi “mjaftueshëm e mirë dhe e disponueshme”, mund të jetë më vendimtar sesa parimi “e përsosur, por e rrallë”.

Sigurimi i zinxhirëve të furnizimit vendas është thelbësor për të shmangur cenueshmërinë. Pyetja qendrore për politikëbërësit nuk është kush ka sistemet më të shtrenjta, por kush mund të vazhdojë prodhimin kur rezervat shterojnë.

Dominimi në 36 orët e para, nuk ka vlerë nëse nuk mund të zgjatet deri në muajin e 36-të. Laboratorët mund të projektojnë të ardhmen, por në shekullin XXI është fabrika ajo që vendos fituesin. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit