Ministria e Punëve të Jashtme e ka liruar nga detyra të dërguarin derisa të sqarohen të gjitha dyshimet, tha zëdhënësi i ministrisë.
Polonia të mërkurën e ka shkarkuar përkohësisht nga detyra ambasadorin e saj në Francë, Jan Emeryk Rosciszewski, në kuadër të një hetimi për diplomë të rreme.
Ministri i Punëve të Jashtme, Radoslaw Sikorski, vendosi ta lirojë ambasadorin nga detyra derisa të sqarohen të gjitha dyshimet, tha zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Maciej Wewior, për agjencinë shtetërore të lajmeve PAP.
“Ministria e Punëve të Jashtme nuk i komenton veprimet e shërbimeve apo të sistemit të drejtësisë. Ambasadori e ka nisur misionin në pranverën e vitit 2022. Duke marrë parasysh situatën, ai është vënë në dispozicion të ministrit”, tha Wewior për PAP-in.
Sipas PAP-it, duke u thirrur në faqen Goniec.pl, Rosciszewski u ndalua të martën nga Byroja Qendrore Kundër Korrupsionit në kuadër të një hetimi për përfitimin e diplomave të rreme MBA nga një universitet privat i menaxhmentit i njohur si Collegium Humanum.
