14.1 C
Pristina
Tuesday, April 16, 2024

PJETËR BOGDANI, HERO KOMBËTARË APO HERO KRYQËZATASH?

Më të lexuarat


Përgatiti: Azem Kovaçi

Të marrësh dhe të shkruash disa rrjeshta ndryshe nga ato që na janë mësuar nga Historiografia Shqiptare nëpër shkolla për ‘ikona’ siç është peshkopi Pjetër Bogdani është tabu!

Figura të tilla janë të ‘paprekshme’ dhe gjithçka e kundërt nga glorifikimi i tyre, pra që i përshkruan ndryshe shihet si tradhëti kombëtare dhe shkojnë deri aty sa të kontestojnë identitetin tënd!.

Gjithsesi, ajo çfarë më shtyu për të shkruar diçka sot për peshkopin Pjetër Bogdani ishte vendosja e bustit të tij në sheshin kryesorë të qytezës së Krumës – Krahina e Hasit – pjesë administrative e Qarkut të Kukësit.

Dy pyetje do shtrohen A është me të vërtetë Pjeter Bogdani hero kombëtarë? Apo është një hero kryqëzatash?

Përgjigjen e dy pyetjeve lart do ta merrni nga përshkrimi i shkurter i jetës së Pjetër Bogdanit si më poshtë.

Bogdani lindi në Gurë të Thatë të Hasit në 1630, duke u frymëzuar nga xhaxhai i tij Ndre Bogdani edhe ai ndoqi rrugën e teologjise së krishterë. U edukua në Romë dhe gradualisht kthehet në trevat e lindjes ku shërben si Peshkop i Prizrenit dhe Shkupit, një pozite që e merr nga ungji (xhaxhai) i tij Ndre Bogdani në vitin 1679.

Historiografia Shqiptare e glorifikon për veprën e tij “Çeta e profetëve” dhe për ‘luftën e tij për kombin dhe kontributin e tij kundrejt gjuhës shqipe’. Që të jemi korrekt, askush në botë nuk luftonte për komb në shekullin e 17 sepse nocioni “nacionalizëm” nuk kishte lindur kështu që kjo tezë bie.

Bogdani si edhe për vet titullin që kishte ‘peshkop’ luftoi për fenë e tij të krishterë. Që në 1685 siç pohon edhe balkanologu britanik Sir Noel Malcom në librin e tij “KOSOVA NJE HISTORI E SHKURTER ” në faqen 124 “Peshkopi i Shkupit, Pjetër Bogdani në raportin e tij dërguar Romës kishte pasuar të dhëna të detajuara të garrizoneve Osmane në Kosovë, duke u shprehur se Novo Brdo ka për mbrojtje vetëm 40 Jeniçer”.

Në fakt, spiunazhet, raportet e Bogdanit drejtë Romës korrespondojnë pikërisht me rrethimin e dytë të Vienës në 1683. Forcat Osmane siç dihet ishin thyer, dhe në Europe ishte ndezur shpresa për përzenjën e Perandorisë Osmane nga Europa dhe Ballkani më saktë. Kush më mirë do të kontribonte në këtë kryqëzatë se Peshkopët si Pjetër Bogdani.

Në vjeshtë të 1689 forcat Austriake të udhëhequra nga Margrave Ludëig of Baden dhe Konti Italian Eneo Piccolomini futen në Kosovë. Objektivi ishte marrja e pikave strategjike të Kosovës dhe bregdetit të Adriatikut dhe shkëputja e territoreve nga Perandoria Osmane.

“Peshkopi katolik menjëherë nxitoi që të mirëpriste trupat Austriakë. Në një letër korrespondence të shkruar nga nipi i Pjetër Bogdanit, prifti Gjin Bogdani thotë që ‘kur trupat fitimtarë të perandorit tonë (austriak) mbërritën, Pjetër Bogdani shkoi personalisht për ti takuar trupat austriake dhe për ti këshilluar dhe ndaluar që të mos plaçkisnin dhe të mos masakronin vetëm të krishterët “.(ibid 144).

Kështu Piccolomini e vazhdoi fushatën e tij deri në Shkup dhe ushtria që ai komandantonte nën urdhërat e tij shkretuan gjithçka muslimane. Duke vrarë dhe masakruar me mijëra muslimanë shqiptarë civil të pambrojtur. Përveç masakrimit të mijëra muslimanëve ato desekruan edhe kultet fetare, ata dogjën të gjitha xhamitë e Shkupit dhe Medresenë Isa Beu e cila u shkatërrua po ashtu plotësisht në 1689.

Me konfidencë mund të thuhet që me bekimin e Pjetër Bogdanit komandanti Piccolomini dogji Shkupin. Dukej qartë kjo luftë nuk ishte kombëtare por fetare. Për ta kuptuar se si ishte një kryqëzatë e krishterë dhe jo luftë kombëtare siç ka dëshirë ta përshkruaj historiografia shqiptare mund të përmendim faktin se Bogdani si rrallë herë kishte bërë një aleancë të fuqishme me familjen sundimtare serbe Çarnojeviq dhe vet patriarkun serb Arsinije.

Siç e përshkruan edhe Sir Malcolm “Shkupi padyshim ishte qyteti më i zhvilluar dhe më i pasur në këto anë. Piccolomini duke parë që nuk ishte i zoti ta mbronte Shkupin nga ushtritë Osmane që mund të vinin, ai e dogji të gjithë qytetin’ (ibid 146). Sir Malcolm shkon më tej dhe artikulon që “Piccolomini padyshim që ishte konsultuar me Peshkopin Bogdani. Bogdani duket qartë që ka luajtur një rolë themelor në organizimin e kësaj levizjeje pro-Austriake.” (ibid 148).

Në fakt ‘triumfi’ ushtarak i Piccolominit nuk zgjati shumë. Pasi shkretoi Shkupin, rrugës për në Prizren ai u sëmur nga murtaja dhe pak ditë më vonë vdiq. ” Pjetër Bogdani i cili i kishte dhënë ritet e fundit Piccolominit po ashtu u infektua nga murtaja. Ai u transportua për në Prishtinë tek disa doktorë austriakë për trajtim me rigoroz por nuk mbijetoi. Pjeter Bogdani vdiq një muaj më vonë se Piccolomini, pra me 6 Dhjetor 1689. Pjeter Bogdani u varros në xhaminë e Sulltan Muratit të Parë (Xhamia Fatih) të cilën austriakët bashkë me Pjetër Bogdanin një vit më herët e kishin konvertuar në kishë dhe ja kishin dedikuar Jezuitit Francis Xavier” (Ibid 151).

Pas disa javësh, më saktë në Janar të 1690 forcat Osmane kthehen fuqishëm në Kosovë dhe rimarrin territoret nga Austriakët, të cilët bëjnë një tërheqje të rrufeshme dhe pa asnjë luftim, me ta u arratisën edhe ato mercenar shqiptarë të kryqëzatave që kishin ndihmuar në gjakderdhjen e të pafajshmëve. Nën komandën e Vezirit të Madh Mehmet Koprulu, që vinte prej një nga dinastitë më të mëdha shqiptare, bëri që forcat Osmane të korrin sukses të shpejt. Siç artikulon dhe Malcolm ” Ottomanët nën udhëheqjen rigoroze dhe kompetente të Vezirit të Madh, formuan një ushtri efektive. Një ushtri e madhe ottomane shumë shpejt avancoi drejt Nishit duke e rrethuar dhe brenda pak ditësh e rimorën nga forcat kryqëzatave, që nuk donin me luftën por arratinë.

Në fakt frika ishte e madhe nga forcat kryqzatave për hakmarrje kundrejt tyre nga muslimanët shqiptarë, për ato çfarë kishin bërë vetëm pak muaj më parë. Ajo luftë kishte qenë një aleancë fetare e krishterë. Si fakt të bashkëpunimit serbo ortodokso – katoliko shqiptarë mund të përmendim arratisjen e këtyre gjakatarëve drejtë Austrisë dhe Hungarisë bashkë me patriarkun e kishës serbe Arsinije. ” Rreth 40 mijë nën udhëheqjen e Patriarkut serb Arsinije gjetën strehë në Hungari. Nga këto që mbërritën deri në Hungari kishte katolik sllavisht folës dhe katolik shqipfolës .” (Ibid 161, 162).

Në lidhje me trupin e Pjetër Bogdanit, ka gojëdhëna që është zhvarrosur nga xhamia Fatih, një muaj pas rimarrjes së Kosovës nga ushtria Osmane, dhe trupi i tij është lënë i pavarrosur, diku në një shesh të Prishtinës.

Bashkë me vdekjen e Bogdanit u përhap edhe miti i tij sidomos ndër të arratisurit. Për të mbajtur gjallë ndjenjat e kryqëzatave dhe emrin e frymëzuesit të kësaj kryqëzate të viteve 1683-91, pra të peshkopit Pjeter Bogdani edhe sot e kësaj dite, e hasim më shume tek sllavet emrin Bogdan dhe Bogdanoviç. Ata sllavë dhe shqiptarë të krishterë që u arratisën nga trevat shqiptare ruajtën emrin e Peshkopit Bogdani.

Siç u përmend më lart, figura si kjo e Bogdanit që të ulen me këmbë në tokë, duhet në rradhë të parë, të ketë sinqeritet në rrethet akademike.

Ata ‘akademikë shqiptarë’ kur glorifikojnë Pjetër Bogdanin dhe ‘etjen dhe kontributin e tij për kombin’, ata në të vërtetë qajnë dhe vajtojnë dështimin e kryqëzatës së frymëzuar dhe organizuar nga Pjetër Bogdani. Këta ‘akademikë’ thjeshtë fshihen nën petkun nacionalizmit dhe nocionit ‘komb’. Nuk përmendin asnjeherë masakrate e përgjakshme kundrejt shqiptarëve muslimane në të cilat peshkopi Pjetër Bogdani turpërisht kontriboi, por bëjnë të kundërten, I thurin lozhe sikur ishte ‘shpëtimtari’ i shqiptarëve. Këto janë paradokset e historiografisë shqiptare fatkeqësisht, ku shumë figura me të padrejtë jane ‘heronjë’ dhe shumë të tjera padrejtësisht janë etiketuar si ‘tradhëtare’ të kombit.

A e meriton një peshkop që nxiti gjakderdhjen të jetë hero kombëtarë? Unë them Jo! Dhe shumë rehatshëm mund të ballafaqohem personalisht apo virtualisht me çdokënd që konteston ky artikull dedikuar kryqëzatorit Pjeter Bogdani. Shtrohet pyetja – Çfarë kontriboi më shumë ai, përveç nxitjes së kryqëzatave gjakatare? Në asnjë nivel nuk është ‘gurë themeli’ i gjuhës shqipe, siç përshkruhet. Shqipja mbijetoi falë Perandorisë Osmane dhe Islamit që u bënë barrier kundër asimilimit në sllav dhe grek.

A e meriton që në emër të tij, Bogdanit të emërojmë shtatore, sheshe dhe rrugë! Une them se jo.

A duhet rishikuar Historiografia Shqiptare që në rrënjë? Une them se po. Uroj që së shpejti akademikë dinjitoz shqiptarë ti përvishen punës dhe të rishikojnë historiografinë tonë të manipuluar. Ja kemi borxh brezave të rinj, që të dijnë historinë Shqiptare ashtu siç ishte dhe është, me të mirat dhe të këqijat e veta.

Referenca: Book of Professor Sir Noel Calcolm ‘Kosovo a short History’ Chapter 7: Ëar, Rebellion and Religious Life 1580- 1680 : Chapter 8: The Austrian Invasion and the ‘Great Migration’ of the Serbs 1689-1690. Pages , 124, 144, 148,151,161,162. Published 1998, Macmillan Publishers Ltd, London. Great Britain.

/shekulliagency/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit