Nëse analizohen politikat e tij ndër dekada, shihet se ishte Ali Khamenei ai që intensifikoi konfliktet rajonale, përhapi dhe forcoi milicitë që sfidonin qeveritë arabe, nxiti dhe thelloi tensionet sektare, si dhe kontribuoi në dobësimin e marrëdhënieve diplomatike në Lindjen e Mesme.
Irani e paraqiste veten si lider i “Boshtit të Rezistencës” kundër Izraelit, por dëmi real në terren ndaj sunitëve dhe shoqërive arabe ka qenë më i madh sesa përballja direkte e pretenduar me Izraelin.
Ishin milicitë e mbështetura nga Ali Khamenei dhe Hasan Nasrallah, ato që destabilizuan Libanin, sfiduan qeverinë libaneze për më shumë se 40 vite dhe vepruan si shtet brenda shtetit.

Ai nxiti sektarizmin shiit, gjë që solli viktima të pafajshme sunite. Hakmarrjet sektare dhe zhvendosjet e detyruara ndaj popullsive sunite nga milicitë e lidhura me Iranin ishin të përhapura kudo në Irak. Viktimat ishin me mijëra civilë.
Libani dhe Iraku e provuan ndër të parët paqëndrueshmërinë politike dhe ekonomike, duke prodhuar kriza të rënda humanitare.
As Jemeni nuk shpëtoi nga politikat sektare dhe problemet e shumta që sollën Huthët përmes dhunës, përçarjes dhe krimeve.
Ndërsa në Siri, politikat kundër vetë popullit sunit ishin të qarta. Iu dha hapësirë në çdo aspekt gjeneralit iranian Kasim Sulejmanit dhe Hezbollah-ut të kryenin krime të paimagjinueshme kundër popullsisë, krahas krimeve monstruoze të vetë regjimit. Eliminimet në emër të sektarizmit në Siri ishin të dukshme, me një urrejtje që nuk mjaftohej vetëm me vrasje, dhunë, përdhunime, shpërngulje të detyruara, grabitje dhe konfiskim pronash, por nuk kursente as varret dhe zhvarrosjet, vetëm sepse ishin suni.
Nëse në vende të tjera përpiqen t’i fshehin krimet ose t’i arsyetojnë ato, me popullin sirian kjo nuk mund të bëhet, sepse urrejtja sektare i shtyu vetë autorët të dokumentonin krimet e tyre. Mallkimet e sirianëve kundër regjimit të Bashar al-Assad, kundër milicive iraniane, kundër Hasan Nasrallahut, Kasim Sulejmanit dhe vetë Ali Khameneit vazhdojnë ende sot. Vazhdojnë sepse u shkatërrua një shtet i tërë dhe u shkaktuan qindra mijëra viktima të pafajshme.
Dikujt mund t’i vijë keq, por ky është realiteti.
/Hoxhë Mustafa Terniqi/
