Mbyllja e dosjes Epstein ka shkaktuar një valë zemërimi brenda bazës elektorale të Trump; brenda lëvizjes MAGA është krijuar një përçarje serioze rreth teorive konspirative mbi Epsteinin, kundërshtisë ndaj elitave dhe politikave ndaj Izraelit.
Figurat kryesore të lëvizjes MAGA (Make America Great Again – Ta Bëjmë Amerikën Sërish të Madhe), kanë dalë kundër administratës Trump pas publikimit të raportit të Departamentit Amerikan të Drejtësisë mbi Epstein. Një nga teoritë konspirative më kritike që ndikuan në fitoren elektorale të Trumpit kishte të bënte me listën e klientëve “elitë” që thuhej se ndodheshin në duart e Jeffrey Epstein. Pas arrestimit të tij në vitin 2019 dhe vetëvrasjes së shpallur në qeli, u pretendua se Epstein kishte një listë klientësh të përfshirë në tregtinë seksuale të vajzave të mitura – përfshirë figura shumë të njohura. Aktivistët trumpistë pohonin se në këtë listë ndodheshin emra të famshëm demokratë dhe përmes këtyre akuzave e kthenin çështjen në një betejë politike në fushatën e vitit 2024. Trump kishte premtuar se do të zbardhte të gjitha detajet rreth rastit Epstein, por shpallja e Departamentit të Drejtësisë javën e kaluar se kjo nuk do të ndodhte, shkaktoi një rebelim të hapur në bazën e tij elektorale.
Vetëvrasje apo Vrasje?
Pasi punoi si financier në Wall Street, Jeffrey Epstein krijoi firmën e tij të investimeve dhe krijoi lidhje të ngushta me emra të fuqishëm dhe të pasur. Ishte i afërt me figura si Bill Clinton, Princ Andrew, Donald Trump, Elon Musk, Bill Gates, Alan Dershowitz, Chris Tucker dhe Kevin Spacey. Emri i tij u bë i njohur në rrethet e elitës përmes eventeve sociale dhe festave mondane. Pretendimet se Epstein u siguronte vajza të mitura disa prej këtyre figurave, fuqizuan teoritë konspirative se ai nuk ishte vetëvrarë në burg. Disa nga këto figura u përmendën vetëm për njohjen me Epstein, të tjerët u përballën me akuza të drejtpërdrejta.
Në vitin 2008, Epstein pranoi fajësinë për akuzat për prostitucion me vajza të mitura dhe bëri marrëveshje që i lejoi të shmangte ndjekjen federale, duke kaluar vetëm 13 muaj në burg. Në vitin 2019 u arrestua për trafikim njerëzor dhe abuzim seksual të vajzave të mitura, por vdiq në qeli para se çështja të shkonte në gjykatë. Pas një përpjekjeje për vetëvrasje në korrik 2019, ai u vu nën mbikëqyrje të veçantë, por para se të përpiqej sërish në gusht, mbikëqyrja iu hoq – gjë që shtoi spekulimet. Dështimi i gardianëve për të kryer kontrollet rutinë, kamerat jofunksionale apo të drejtuara në mënyrë të çuditshme, dëshmia se rojet kishin fjetur në detyrë dhe kishin falsifikuar raportet, të gjitha këto ushqyen dyshimet. Autopsia tregoi fraktura në qafë të ngjashme më shumë me mbytje sesa me vetëvarje, gjë që përforcoi tezën se Epstein ishte vrarë sepse dinte shumë për elitën. Megjithë hetimet e brendshme, Departamenti i Drejtësisë nuk dha kurrë një shpjegim të kënaqshëm dhe nuk arriti të shuarë valën e teorive konspirative.
Rebelimi i MAGA
Figura si Kash Patel, Dan Bongino, JD Vance dhe Laura Loomer – të njohur brenda lëvizjes MAGA – e rikthyen në qendër të debatit pretendimin se Epstein kishte një listë klientësh që u zhduk me vdekjen e tij. Brenda kësaj fushate të fuqishme kundër elitave, narrativi se elitës demokrate i përkisnin pedofilë dhe trafikantë është përdorur në mënyrë shumë efikase. Fraza si “Epstein nuk u vetëvra” u bënë virale në rrjetet sociale dhe motivuan bazën elektorale. Shpresa se Trump, pasi të vinte në pushtet, do t’i zbulonte këto dosje ishte e madhe. Prandaj, kur javën e kaluar Departamenti i Drejtësisë dhe FBI njoftuan se çështja ishte zyrtarisht e mbyllur, brenda MAGA-s u dëgjua një përçarje e madhe. Madje edhe ndër emrat më besnikë ndaj Trump, pati kërkesa për dorëheqjen e Prokurores së Përgjithshme Pam Bondy – gjë që detyroi Trumpin të relativizojë rastin Epstein si diçka që ishte “shtuar me tepri”.
Teoria e konspiracionit që dikur ndihmoi Trumpin të ndërtonte një fushatë fitimtare, tashmë po kthehet në problem për të. Pas presionit të figurave si Elon Musk, Tucker Carlson dhe Laura Loomer që kërkojnë transparencë, Trump reagoi duke deklaruar se disa përkrahës të MAGA-s po e teprojnë dhe se ai nuk ka më nevojë për ta. Këto deklarata forcuan ndjesinë e tradhtisë mes një pjese të bazës së tij, e cila i mbështet pretendimet për ekzistencën e një “shteti të thellë” që mbron pedofilët e elitës, ndërsa ata vetë e paraqesin veten si mbrojtës të fëmijëve.
Teoritë për Izraelin
Me mbylljen e dosjeve, teoritë konspirative morën hov të ri. Ndër MAGA-sit filloi të përhapet ideja se Epstein kishte qenë një agjent i Izraelit, i ngarkuar për të shantazhuar figurat e fuqishme amerikane. Kjo përputhej me pakënaqësinë e thellë të MAGA-s ndaj politikave të Trump për Izraelin – veçanërisht për shkak të presionit izraelit për një konflikt me Iranin. Pakënaqësia u shtua edhe më shumë kur Trump miratoi një buxhet me shpenzime të mëdha, duke humbur mbështetjen e konservatorëve ekonomikë si Elon Musk. Kështu, tre çështje të ndjeshme – mungesa e disiplinës financiare, përshkallëzimi i konfliktit me Iranin për shkak të Izraelit, dhe mbyllja e dosjeve Epstein – e kanë përçarë ndjeshëm unitetin brenda MAGA-s.
Nuk është ende e qartë nëse kjo përçarje do të sjellë një ndarje të plotë, por pa dyshim është një shenjë se koalicioni MAGA po hyn në një periudhë tensioni të brendshëm.
Kadir Üstün
Fondacioni për Studime Politike, Ekonomike dhe Shoqërore (SETAV)
Solli në gjuhën shqipe kohaislame.com
