11.5 C
Pristina
Tuesday, May 7, 2024

Për Kadarenë…

Më të lexuarat

Ermir Hoxha

Ndër mrekullitë e Zotit, janë gjuhët e ndryshme të popujve. Zoti në Kur`an e ka potencuar këtë fakt bashkangjitur krijimit të kombeve e popujve me karakteristika të ndryshme, që të gjitha në funksion të harmonisë dhe bashkëjetesës. Gjuha nuk është krijim njerëzor, për ç`ka dikush mund të rrahë gjoksin, duke ia atribuuar vetes këtë gjë. Gjuha është e krijuar. Roli i njeriut nuk është krijimi, por mirëmenaxhimi i asaj çfarë i është dhënë e dhuruar nga Krijuesi, duke përfshirë dhe veten e tij me të gjitha talentet e aftësitë.

E bëra këtë parantezë për të vënë në dukje një prej absurditeteve të radhës së Ismail Kadaresë, teksa ka folur për shqipen. Por më parë duhet sqaruar dhe një fakt për të gjithë ata që mund t`i trondisë kjo kritikë ndaj të ashtuquajturit shkrimtar të madh. Të qënit shkrimtar i madh, futbollist i madh, shkencëtar i madh, filozof i madh, këngëtar i madh, inxhinier i madh, arkitekt i madh, mjek i madh, orëndreqës i madh, samarpunues i madh, qeleshepunues i madh, këpucar i madh, biznesmen i madh, madje dhe gazetar i madh, jo domosdoshmërisht të bëjnë njeri të madh. ‘Njeriu i madh’ nuk ka të bëjë me talentin, por virtytin. Si mund ta shpjegoj këtë më thjesht?! A kenë dëgjuar ndonjëherë çmim ‘Nobël’ për sinqeritet?! Po për drejtësimbajtës?! Po ‘Nobel’ për moral të lartë?! E pra nuk ka nevojë për komente të mëtejshme.

Të vijmë tani tek Kadareja: ka thënë së fundi, ashtu siç citohet nga gazetari Mero Baze, se “një gjuhë që përdor një fjalë për të shprehur shumë gjëra, është më aristrokrate se një gjuhë që ka 50 versione për të shprehur një gjë”.

Ka thënë një të vërtetë të madhe, por të ngjan se është i vetëdijshëm se kjo është karakteristikë e gjuhës arabe. Sepse pak më poshtë, tenton ta destruktojë këtë të vërtetë, i cituar nga Baze, sipas së cilit gjuha arabe është pa formë dhe standart, ndërsa titullin e lartë aristokratik e paskërka anglishtja!

Së këndejmi, nuk flet më shkrimtari, por njeriu; dhe fatalisht, pjesa më e errët e tij, atë që ka mllef e urrejtje ndaj çdo gjëje që nuk shkon përshtat me shijet dhe bindjet e tij, që çuditërisht qëllon gjithnjë të jetë lindore, arabe dhe nënkupto islame.

Pa u futur fare në njollat e tij karakteriale, mjaft ateizimi i tij, që e çon drejt definicioneve që ka brenda sa padijen e sa keqdashjen. Arabishten nuk e kanë krijuar arabët, ashtu siç anglishten nuk e kanë krijuar anglezët, as frengjishten francezët, e as shqipen ne shqiptarët. Krijimi i tyre është atribut i Krijuesit, që siç na ka krijuar ne qenieve njerëzore dhe na ka pajisur me tru, shqisa, gjymtyrë e aftësi të caktuara, na ka pajisur dhe me gjuhë të caktuar për të komunikuar. Dhe nëse nuk e kupton një gjë kaq të thjeshtë e logjike, që më pas të jetë sistem bazë reference për ta njohur Krijuesin, njeriun e botën, pa diferencime nacionaliste idiote, përfundon në atë lloj hapësire lirie, jo për gjëra të hajrit, por për makabritete që burojnë prej fjalës e mendimit, e përfundojnë më pas në vetë jetë njerëzore. Nazizmi, ishte tipikisht një ideologji me rrënjë intelektuale, nëpërmjet së cilit u promovua ajo frymë nacionaliste që prodhoi atë plojë njerëzore llahtarë.

Adhuruesit e Kadaresë, të cilët shenjtërojnë dhe jashtëqitjet e tij, duhet ta kuptojnë se ai nuk është gjithsesi profet. Ai është njeri, ngjashëm si Maradona, të cilit të qënit futbollist i madh nuk i dha shans të jetë dhe njeri i madh.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit