12.3 C
Pristina
Sunday, April 28, 2024

Papa Françesku filloi vizitën zyrtare në Maqedoninë e Veriut

Më të lexuarat

Pas mbërritjes në Aeroportin Ndërkombëtar Shkupi, Papa Françesku arrit në pallatin presidencial “Villa Vodno”, ku me ceremoni zyrtare u prit nga presidenti i Maqedonisë së Veriut, Gjorge Ivanov.

Papa Françesku këtë mëngjes arriti në Aeroportin Ndërkombëtar Shkupi, ku u prit nga delegacioni i udhëhequr nga presidenti i Maqedonisë së Veriut, Gjorge Ivanov, dhe kryeministri Zoran Zaev.

Me rastin e vizitës së Papa Françeskut në vend, në Aeroportin Ndërkombëtar Shkupi u organizua pritje me nderime solemne ushtarake.

Pas intonimit të himneve të Vatikanit dhe Maqedonisë së Veriut, Papa Françesku dhe presidenti Ivanov po realizojnë takim në pallatin presidencial.

Ekipi organizues i vizitës së Papa Françeskut në Maqedoninë e Veriut njoftoi se do të zhvillohen takime të ndara me presidentin Ivanov dhe kryeministrin Zaev.

Është paralajmëruar adresimi i Papa Françeskut para autoriteteve shtetërore, shoqërisë civile dhe korit diplomatik në vend.

Në kuadër të vizitës së tij, gjatë ditës në Shtëpinë Përkujtimore “Nënë Tereza” në qendër të Shkupit, papa do të takohet me udhëheqësit fetarë dhe të afërmit e Nënë Terezës, ndërsa më pas do të takohet edhe me një grup të rrezikuar të qytetarëve.

Në sheshin qendror “Maqedonia”, papa do të mbajë meshën e shenjtë, ku është paralajmëruar prania e mijëra qytetarëve nga vendi, ndërsa më vonë do të drejtohet në Kishën Katolike në Shkup, ku do të zhvillojë takim ekumenik dhe ndërfetar me të rinjtë, si dhe takim me priftërinjtë dhe familjet e tyre.

Sipas paralajmërimit, më pas me nderime ushtarake, papa do të drejtohet në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, nga ku zyrtarisht do të përfundojë vizita e tij në Maqedoninë e Veriut.

Gjatë vizitës së Papa Françeskut në Shkup do të merren masa të veçanta të sigurisë. Ministria e Punëve të Brendshme ka paralajmëruar rregulla të reja në komunikacion, me qëllim lëvizjen e papenguar të aktiviteteve të planifikuara, duke përfshirë transportin publik dhe parkimin falas për qytetarët.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut dje po ashtu njoftoi se 7 maji është shpallur ditë jo pune në territorin e Qytetit të Shkupit, për shkak të vizitës së Papa Françeskut.

Maqedonia e Veriut vizitohet për herë të parë në historinë e saj nga Papa Françesku, ndërsa zyrtarët e lartë të vendit këtë vizitë e vlerësojnë si një simbolikë të fortë./AA

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit