12.8 C
Pristina
Saturday, April 20, 2024

Pa frymë! – Poezi nga Hoxhë Mirsim Maliqi

Më të lexuarat

Edhe tek flladi,
e tek erat me furi,
e gjen një frymëzim,
që të lëviz si stuhi!

Edhe tek kodrat,
që orteke lëshojnë,
goditen shpirtërat,
e majet i synojnë!

Po si ta gjesh një fjalë,
që zemrën ta mbush,
aty ku peizazhet gërvishten,
e thyhet çdo brush?!

Po si ta gjesh një frymë,
e të të vijë si puhi,
aty ku persiatjet,
nuk quhen fuqi?!

Si ta gjesh një ngushëllim,
që kokën ta shëndosh,
për një popull që padijes,
i këndon: “Rrofsh e qofsh!”?!

Gjeji e mos ngurro,
fjalët që të gjallërojnë,
se sa trupa duken të vdekur,
po sërish nisin e frymojnë!

Pra, veç pak fije shpresë,
e një ofshamë me hidhërim,
sa për të hedhur një farë,
e një grusht përparim!

Veç pak frymë,
sa për t’u dukur të gjall’,
për të marrë anën e hakut,
edhe nëse të quajnë abdall’!

Veç pak çaste,
sa për të bërtitur fort:
nëse krejt i keni dehur,
mbi mua s’ka ra ai mort!

Veç pak ngjyra,
të një lapsi të thyer,
për ta poshtëruar batilin,
të kotën e urryer!

Veç pak rreshta,
të një flete të vjetruar:
isha me të gjallët,
me shpirtra të parobëruar!

Veç pak shkronja,
sa për një amanet:
pasojeni të vërtetën,
edhe nëse mbeteni vet!

Mirsim Maliçi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit