7.4 C
Pristina
Wednesday, April 24, 2024

Oportunistë të pandreqshëm – Justinian Topulli

Më të lexuarat

Përtej miteve që vetë ne shqiptarët kemi krijuar dhe ushqyer për veten ndër dekada, si trima të paepur, liridashës të pashoq dhe admirues të ethshëm të mëvetësisë, një vështrim i detajuar i historisë sonë reale në epoka të ndryshme, zbulon qartësisht se një pjesë tepër e madhe, për të mos thënë shumica e shqiptarëve, janë oportunistë të pandreqshëm dhe shumë pak idealistë.

Dhe kjo sendërtohet më së miri në të ashtuquajturën urtësi popullore, si një realitet objektiv masiv mes shqiptarëve, e cila thotë se “më mirë të kesh një vezë sot, sesa një pulë mot”.

Oportunizmi i verbër i interesit të vogël të së tashmes, është ndoshta një nga sëmundjet më të ligshta, që na pengon neve si njerëz të shohim përtej sakrificave -qoftë edhe minimale- të cilat do të na udhëheqin drejt një të ardhme më të mirë. Prishja e “rehatisë” që na jep status quo-ja, qoftë kjo edhe e mjerë, dhe mosbesimi tek ardhmja më e mirë që vjen përmes sakrificave, janë dy nga shtyllat themelore të oportunizmit miop të shumë shqiptarëve.

Shpesh fobitë dhe frikërat absurde për gjoja një të keqe më të madhe që mund të na vijë në të ardhmen, i parandalojnë shumë prej sojit tonë të vënë në “rrezik” edhe minimumin e sakrificës që kërkohet për ndryshim.

I gjithi ky mentalitet na kujton atë fobinë izraelite, që përmend Zoti në Kuran, për të mos luftuar edhe ndaj një kundërshtari ndaj të cilit fitorja ishte e garantuar nga vetë i Plotfuqishmi. Por frika e tyre na rikujton faktin se ata kishin qenë dikur skllevër të nënshtruar, që nuk e njihnin rebelimin, që madje edhe tek jetonin në liri mallëngjeheshin për barishtet e tokës që hanin në “rehatinë” e skllavit, sesa për mishin dhe manën që iu vinin nga qielli!

Shqiptarëve nuk ua ka skllavëruar shpirtin vetëm diktatura komuniste që lamë pas, por edhe cektësia e oportunizmit akut, që aborton çdo ideal që kërkon edhe sakrificat më të vogla të mundshme për një të ardhme më të mirë.

Me njerëz të tillë, që vendosin interesat e tyre meskine mbi mbrothësinë kolektive, është tepër e vështirë të ndërtosh një vend, shtet apo komunitet të qëndrueshëm.

Justinian Topulli

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit