13 C
Pristina
Wednesday, May 15, 2024

Njëanshmëria – Justinian Topulli

Më të lexuarat

Njeriu për nga natyra e tij tenton gjithmonë të mbrojë veten dhe interesin personal apo edhe sojin e tij edhe kur nuk ka të drejtë. Egoizmi është tipar i lindur i qenieve njerëzore, ndaj dhe pikërisht për këtë në një shoqëri me vlera dhe virtyte të larta morale njeriu edukohet që së pari të vër nën kontroll egoizmin e tij, duke pranuar të respektojë dhe t’i bindet rregullave dhe procedurave, të cilat vendosin drejtësinë dhe ekuilibrin social.

Mirëpo rregullat dhe procedurat zbatohen nga njerëzit, dhe nëse ato bëhen pengesë e drejtë për të përmbushur interesat e një individi apo grupi, atëherë këta njerëz se zënë për të madhe t’i shkelin dhe manipulojnë këto rregulla. E njëjtë kjo me frymën famëkeqe të diktatorit shqiptar që thoshte: “Pse, ligjet tona do të na ndalojnë neve…?!” që tregon shkoqur e qartë mendësinë e skajshme të mos respektimit të rregullave të paanshme.

Në fakt diktaturat janë ndër të tjera edhe pjellë e egoizmit të theksuar se, fitorja duhet të jetë gjithmonë në anën tonë, në çdo mënyrë dhe me çdo mjet, qoftë ky edhe i pandershëm, sepse ajo që ka më shumë rëndësi është rezultati dhe përfundimi, i cili kurrsesi nuk mund të pranohet nëse nuk na favorizon vetëm ne.

Kjo mendësi i ngjan pikërisht mendësisë së idhujtarëve, e cila unifikon të vërtetën me tekat dhe dëshirat e individit apo një grupi të caktuar, siç Zoti na tregon në Kuran kur thotë: “Ai u ka sjellë atyre të Vërtetën, por se shumica e tyre e urrejnë të Vërtetën. Sikur e vërteta të kishte qenë sipas tekave të tyre, sigurisht do të ishin shkatërruar qiejt e Toka dhe çdo gjë që gjendet në to.” (23:70-71)

Ashtu siç qiejt dhe toka do të ishin shkatërruar nëse nuk do t’iu bindeshin ligjeve të Zotit, por tekave të njerëzve, ashtu edhe shoqëritë dhe bashkësitë njerëzore shkatërrohen e dëmtohen kur njëra palë nuk respekton dhe zbaton ligjet e rregullat, për faktin se ato nuk favorizojnë sundimin dhe interesin e tyre.

Të jesh i paanshëm do të thotë të zotërosh edhe virtytin e pranimit të rregullave e ligjeve, edhe kur ato të zbatuara me drejtësi nuk favorizojnë interesin tënd dhe të klanit tënd. Sado që të pretendosh se e vërteta është në anën tënde, ajo nuk mjafton kurrsesi për mbarëvajtjen e shoqërisë njerëzore.

I Dërguari i Allahut, duke vendosur themelet e drejtësisë sociale thoshte: “Nëse njerëzve do t’iu jepej ajo që kërkojnë për shkak të pretendimeve të tyre, do të kishte prej tyre që do të kërkonin përmes pretendimit pasurinë dhe gjakun e njerëzve të tjerë.” (Buhariu, Muslimi, Bejhakiu)

E njëjta logjike vlen edhe për më pak se jeta dhe pasuria e njerëzve, siç është administrimi dhe drejtimi i tyre, sepse thelbi i problemit dhe sëmundjes së shkatërrimit të një shoqërie apo bashkësie, është pikërisht mungesa e qytetarisë dhe mendësia primitive egoiste e njëanshmërisë, armiku më i egër ky i drejtësisë sociale.

Kush e njeh mirë jetën e Profetit të Zotit (alejhi salatu ue selam) e dallon qartë sesi ai e shkërmoqi pa asnjë tolerancë themelin e njëanshmërisë, fanatizmit dhe egoizmit primitiv fisnor.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit