Ky është një rregull hyjnor që sundon kombet dhe qytetërimet, ashtu siç sundon individët; nuk ka amshim të përhershëm dhe as mbetje për askënd. Kushdo që e mediton Kuranin Famëlartë, i shfaqet ky kuptim i përsëritur në historitë dhe ngjarjet e popujve të kaluar. Në tregimet madhështore të Kuranit për popujt, në ngritjen dhe rënien e tyre, ka shenja të qarta për faktorët e shkatërrimit dhe zhdukjes, me qëllim nxjerrjen e mësimeve dhe këshillave. Si në suren “Hud” – për shembull – ku tregohet historia e disa popujve, duke filluar nga populli i Nuhut, pastaj Adit, Themudit (populli i Salihut), populli i Lutit, Shuaibit dhe Musait; në të gjitha këto, Kurani përmend fundin, shkatërrimin dhe faktorët e zhdukjes së tyre.
Edhe në kohën tonë të sotme ka mësime dhe këshilla të shumta, e ndër to është ngritja e lëvizjes së Revolucionit Khomeinist në Iran në vitet 78-79 të shekullit të kaluar. Në atë kohë, kujtoj se shumë njerëz brohoritën, madhëruan dhe simpatizuan me të, duke e menduar si portën e shpëtimit për Xhaminë el-Aksa dhe çlirimin e Palestinës nga çifutët. Ata menduan se epoka e thyerjes kishte ikur e perënduar, dhe se lavdia e Ummetit erdhi në duart e mullahëve të Teheranit dhe autoritetit të “Velijjul-Fakih” – Ajatullah Homeinit – i cili erdhi nga ekzili i tij në Francë, duke mbajtur flamujt e tij të zinj nga zemra e Teheranit, pas përmbysjes së regjimit të Shahut Muhamed Riza Pehlevi.
Në atë periudhë, të cilën e kujtoj shumë mirë, askush nuk mund ta kriticonte këtë revolucion të vrullshëm, përveç një numri shumë të vogël njerëzish, zotërues të fikhut (kuptimit), dritësisë dhe njohjes së ligjeve hyjnore që sundojnë kombet. Disa nga ata që shkruan duke kritikuar – për shkak të pushtetit të ashpër të revolucionit homeinist dhe mashtrimit të shumë njerëzve me të – u shmangën të shkruanin emrat e tyre të vërtetë në kopertinat e veprave të tyre, si libri “Dhe erdhi radha e mexhusëve”, “Konflikti Arabo-Izraelit”, “Emel dhe kampet palestineze”. Ndërsa dijetari pakistanez, Ihsan Ilahi Zahir, doli hapur me kritikë, dhe fundi i tij ishte tragjik me shpërthimin e një bombe që shiat kishin vendosur në një vazo lulesh teksa ai mbante një ligjëratë në Pakistan (Lahore) në vitin 1407 hixhri. Nga ky shpërthim u vranë dhe u plagosën një numër dijetarësh pakistanezë, ndërsa ai mbeti i plagosur dhe u transferua me urdhër të Mbretit Fahd – Allahu e mëshiroftë – për kurim në Mbretëri (Arabi Saudite), ku më pas ndërroi jetë nga plagët e rënda dhe u varros në el-Baki, Allahu e mëshiroftë.
Sot po dëshmojmë perëndimin e këtij revolucioni dhe shembjen e godinës së tij, largimin e liderëve dhe shtyllave të pushtetit të tij, në krye të të cilëve është lideri suprem, Ali Hamenei. Ky është një rezultat natyral brenda ligjit të Allahut për shkatërrimin e kombeve arrogante dhe tirane. Që në fillimet e revolucionit khomeinist, një numër dijetarësh dhe mendimtarësh paralajmëruan për pasojat, mashtrimet, akidet (bindjet) dhe ambiciet e tij, duke u udhëhequr nga prapavija e tij doktrinale, historia dhe fazat e tij përgjatë shekujve. Kjo është një lexim historik dhe ligjor i domosdoshëm për të njohur këto sekte ekstremiste dhe tejet radikale, të cilat e riprodhojnë veten sa herë që dobësohen kockat e Ummetit dhe i shterojnë forcat e tij.
Shumë njerëz sot flasin – me pakujdesi ose nga mashtrimi – duke qenë të shqetësuar nga zhdukja e shtetit shiit dhe efektet e kësaj në të ardhmen e rajonit, duke pretenduar se kjo do të krijojë një vakum që do të shfrytëzohet dhe mbushet nga Sionizmi Botëror dhe aleatët e tij “kryqtarë”, dhe se barriera mbrojtëse dhe “boshti i rezistencës” është zhdukur në favor të forcave të tjera koloniale – siç pretendojnë ata. Këtu duhen bërë disa vërejtje rreth këtyre tezave që na kthejnë prapa në pikën e fillimit të revolucionit khomeinist.
*Së pari:* Ata që flasin për këtë, kanë një izolim ose shkëputje pothuajse totale nga historia e sekteve “Batinite” dhe “Rafidite”, dhe roli i tyre në tradhti dhe mbjelljen e fitneve (përçarjeve). Mjafton si dëshmi se këto sekte nuk kanë bërë kurrë asnjë skenë qytetëruese apo ndihmë për Islamin përgjatë historisë së tyre! E gjithë historia e shënuar flet të kundërtën: tradhti dhe komplot kundër muslimanëve. Gjendja aktuale dëshmon urrejtjen dhe mllefin e tyre përmes dërgimit të raketave dhe dronëve mbi kryeqytetet arabe, si reagim ndaj luftës që po zhvillohet kundër tyre nga shteti çifut me pretekstin e bazave amerikane – siç pretendojnë – ndërkohë që gjithkush e di se ata po përgatiten për pushtimin e kryeqyteteve të muslimanëve, në krye të të cilëve janë vendet e shenjta islame.
*Së dyti:* Këta njerëz harrojnë fazat e revolucionit homeinist që nga lindja e tij dhe faktin se në shumicën e fazave ai ka qenë i aleuar dhe në shërbim të Sionizmit. Kjo është një çështje e hapur që njihet nga ata që ndjekin politikat e tij; shteti hebre – Izraeli – i furnizonte ata me armë dhe mbështetje logjistike kundër Sadam Huseinit – Allahu e mëshiroftë – në luftën Irak-Iran, gjë që është e dokumentuar dhe nuk mund të mohohet. Ata ishin ura e kalimit për “kryqtarët” dhe aleatët e tyre në pushtimin e Afganistanit. Amerika nuk do ta shkelte Irakun dhe nuk do ta pushtonte atë përveçse përmes një aleance të hapur me regjimin e mullahëve të Teheranit, të cilët ishin mjeti dhe vegla e mundësimit për pushtimin e Irakut. Amerikanët u besuan atyre detyrën e persekutimit të Ehli Sunetit, dijetarëve dhe liderëve të tyre në Irak, siç ndodhi në burgjet e pushtimit dhe në procesin e varjes së Presidentit Sadam Huseinit në ditën e Kurban Bajramit, si provokim ndaj muslimanëve nga duart e tyre.
*Së treti:* Kur Irani doli nga rruga e paracaktuar për të dhe kaloi tavanin e shërbimit të tij, ndodhi ndarja me aleatët e tij, të cilët ndjenë se ai e kishte kryer rolin e tij dhe e kishte përfunduar misionin. Ai anoi plotësisht drejt kampit lindor, ndaj erdhi koha për t’i “prerë thonjtë” dhe shërbimi i tij nuk ishte më i domosdoshëm. Këto janë gjendje dhe stacione natyrore e të njohura në përplasjet e aleatëve dhe largimin e tyre nga njëri-tjetri për shkak të ndryshimit të interesave, zgjerimit të ambicieve dhe përplasjes për sferat e influencës, brenda ligjit të konfliktit dhe tërheqjes hyjnore për mashtruesit.
*Së katërti:* Ata që frikësohen nga zgjerimi i ambicieve sioniste dhe kryqtare në hije të zhdukjes së projektit “Velijjul-Fakih”, harrojnë rolin e “gogolit iranian” në rajon për të shantazhuar udhëheqësit dhe për t’i shtyrë ata drejt normalizimit me armikun. Ai rol shërbimi, pa të cilin nuk do të kishte ndodhur nxitimi drejt projekteve të normalizimit, i ka meritat tek projektet e zgjerimit të influencës shkatërruese iraniane në rajon, ambicieve të saj dhe fuqizimit të milicive të rrënimit që Irani mbolli në Irak, Siri, Liban dhe Jemen.
*Së pesti:* Sa i përket projektit çifut dhe kryqtar në rajon, padyshim që ai është një projekt rrënimi dhe shkatërrimi, dhe ai është armiku i përjetshëm; historia dhe realiteti dëshmojnë për këtë dhe nuk ka nevojë për argumentim. Por mjetet e tij janë të shumta dhe të larmishme, e ndër to është krijimi i sekteve të humbura e të devijuara, mbështetja dhe përkrahja e tyre për të dobësuar forcën e Ummetit, gjë që ndodhi me shtetin “Rafidit” në fazat e tij të para para se të konsumohej misioni i tij dhe të bëhej i panevojshëm shërbimi i tij.
Mbyllje:
Fuqia e këtij projekti kolonial nuk qëndron thjesht në tërheqjen e projektit “Safavid-Rafidit”, sepse të dyja kanë shkaktuar plagë të rënda në trupin e Ummetit. Ajo që bënë Safavidët Rafiditë në Liban, Irak, Siri dhe Jemen me krime, shkelje, vrasje, dëbime dhe shkatërrime është shumë më tepër se ajo që bënë Sionistët në Palestinë.
Përkundrazi, fuqia e projektit sionist dhe kryqtar qëndron në përçarjen e muslimanëve, mospajtimin e tyre, humbjen e fuqisë, angazhimin me njëri-tjetrin dhe humbjen e besimit mes tyre. Kur Allahu të japë lejen për perëndimin e tij (armikut), kjo nuk do të jetë në duart e sekteve të tradhtisë dhe humbjes, dhe ata nuk do të kenë nderin të kontribuojnë në këtë; kjo do të jetë vetëm në duart e pastra që meritojnë t’u zbresë fitorja hyjnore. Kjo është e vërtetuar edhe sipas ligjeve fetare edhe sipas ligjeve kosmologjike, atëherë kur Ummeti Islam të rishikojë llogaritë e tij – shtete, grupe dhe individë.
Çelësi i kësaj është rikthimi i Ummetit tek identiteti i tij origjinal islam, kapja pas metodologjisë së drejtë dhe ndjekja e ligjeve të Allahut dhe shkaqeve të fitores e fuqizimit. Ky është një proces ndërtues dhe akumulues që mund të mos vijë papritur, duke pasur parasysh plagët e shumta që kanë goditur Ummetin në fusha të ndryshme të jetës, por kjo do të ndodhë sipas ligjit të Allahut. Ndryshimi i ditëve po vjen pa dyshim, dhe ajo që gëzon “populli i lartësisë dhe prishjes në tokë” – projekti sionist dhe kryqtar – gjithashtu ka një afat dhe një fund, dhe shenjat e kësaj janë të dukshme për ata që i shohin gjërat sipas të dhënave dhe ligjeve të tyre.
Për çdo popull ka një afat. dr. Muhamed Musa El-Amiri
