10.3 C
Pristina
Saturday, May 4, 2024

Një revolucion ka ndodhur në Maqedoni

Më të lexuarat

Një ndryshim epokal ka ndodhur në vendin fqinjë. Megjithëse paradoksalisht partitë shqiptare do të kenë në parlamentin e ardhshëm më pak deputetë se kurrë në historinë çerekshekullore të këtij shteti, bashkëkombasit tanë janë absolutisht të fituar.

Ata, me votën e tyre i kanë dhënë përfundimisht fund regjimit nacionalist, autokrat, hajdut dhe policor të Nikolla Gruevskit. Ata kanë dënuar gjithashtu me një votë plebishitare partitë e vjetra, BDI-në e Ali Ahmetit dhe PDSH-më e Menduh Thaçit, që ishin kthyer në vegla të diktatorucit të vogël ballkanik.

Ata e kanë adresuar votën e tyre tek disa forca të tjera si “Lëvizja Besa” apo “Aleanca për shqiptarët”, si shenjë proteste ndaj establishmentit të tyre politik, që i tradhëton periodikisht prej 25 vjetësh.

Por, ajo që përbën ndryshim epokal për këtë vend të ndarë etnikisht, i cili e filloi këtë shekull me një konflikt civil mes palëve, është vota masive që shqiptarët i dhanë opozitës së majtë të Zoran Zaevit. Lidhja Social Demokrate e mbështetur fort edhe nga ndërkombëtarët, arriti ta nxjerrë jashtë loje VMNRO- DPMNE, vetëm në sajë të mbështetjes të bashkëkombasve tanë. Ata i besuan asaj madje edhe në zona të pamendueshme pak kohë më parë si ato të Tanushës apo Haraçinës.

Kjo pra është ajo që ka ndodhur. Shqiparët e Maqedonisë për herë të parë kanë përmbysur murin e pakalueshëm që prej themelimit të këtij shteti, ku sejcili votonte për partitë e etnisë së vet.

Një pjesë e tyre, në mënyrë surprizuese, kanë zgjedhur vlerat e demokracisë, përmbi përkatësinë kombëtare; dëshirën për liri, përmbi patriotizmin folklorik; një shtet modern dhe multietnik, përmbi parimin sejcili i mbyllur në lagjen e vet.

Natyrisht që në këtë zgjedhje ka llogari dhe pragmatizëm. Ata që votuan për opozitën e Zaevit ishin të lodhur nga politikanët e vjetër shqiptarë që silleshin si nacionalistë kur bënin opozitë dhe shndërroheshin në vegla të Gruevskit kur hynin në koalicionin e tij.

Natyrisht që në këtë zgjedhje ka edhe takticizëm. Ata që vendosën të kalojnë në kampin e etnisë tjetër, bënë lëvizjen e zgjuar për të mos e dorëzuar fatin e tyre politik në negociatat pas zgjedhore të 3-4 politikanëve të korruptuar.

Ata vendosën se shqipëtarët duhet të jenë faktor i ndryshimit dhe duhet të bëhen pjesë e festës së mposhtjes së një regjimi.

Natyrisht ky proces nuk ishte i lëhtë. Dy etnitë që i ndan rrjedha e Vardarit, filluan të bashkëpunojnë kur kuptuan se kishin përballë tyre një rregjim. Kjo u bë edhe më e dukshme kur në pranverën e 2015, Zoran Zaevi plasi “bombat” e tij të famshme. Përgjimet e rreth 20 mijë qytetarëve dhe zyrtarëve të lartë, tregonin për një kryeministër që kërkonte 15 milionë euro rryshfet për ndërtimin e një autostrade, shefin e shërbimit sekret që fliste për tortura nëpër burgje, ministra që bisedonin për trukim zgjedhjesh, kërcënim mediash dhe gazetarësh e deri tek emërime të paligjshme në poste të rëndësishme.

Gjithë kjo fushatë e opozitës e damkosi pushtetin e Nikolla Gruevskit dhe Ali Ahmetit në qeveri dhe i bashkoi kundërshtarët e tij, shqiptarë dhe maqedonas në rrugë.

Për herë të parë në sheshet e Shkupit u panë në të njëjtin miting edhe flamujt kuq e verdhë edhe ata kuq e zi.

Këtë frymë e kapi e para LSDM, e cila nuk kishte rrugë tjetër veç një koalicioni të gjërë për të mundur një parti shtet.

Gjatë kësaj fushate, për herë të parë, opozita e Zaevit, e cila me një lëvizje të zgjuar antarësoi në radhët e saj edhe drejtuesin e emisionit politik më popullor mes shqiptarëve, Muhamed Zeqiri, filloi të bënte takime elektorale edhe në fshatrat e shqiptarëve edhe në lagjet e tyre në Shkup.

Duke dalë nga guacka e partisë një etnike, Zoran Zaevi shkoi edhe në bashkinë e romëve të Sutkës, pa u shqetësuar aspak nga tingujt e zhrmshëm të muzikës cigane.

Mesazh i LSDM ishte i qartë: Të vizatonte një parti që i fliste të gjithë qytetarëve dhe jo vetëm pjesës së saj maqedone.

Një numër i mirë shqiptarësh i ndezën dritën jeshile këtij sinjali.

Prej një viti, mbi 10 mijë janë bërë për herë të parë anëtarë të kësaj partie maqedonase. Nëse sondazhet para zgjedhjeve flisnin për 10% të bashkombasve tanë që do të votonin për LSDM-në, kjo shifër rrezulton të jetë sot më e lartë. Në rradhët e saj tani do të ketë 3 apo 4 deputetë shqipëtarë.

Ata do të jenë përfaqësues të një Maqedonie të re, të një revolucioni të butë, që për herë të parë pas një çerek shekulli, i shembi muret politike që ndajnë dy popullsitë.

Ata, me trendin e ri që shenjuan, u dhanë sinjal edhe partive të vjetra shqiptare, se tanimë e kanë pothuajse të pamundur, të vazhdojnë aleancat me regjimin e vjetër.

Ata vendosën kahun e fitores dhe përcaktuan një histori të re. Të nisur jo nga interesi i ngushtë i etnisë së tyre, por të motivuar nga vlera që e tejkalojnë atë.

Prandaj ajo që ndodhi këtë të djelë qe një ndryshim epokal. Jo vetëm sepse shqiptarët vendosën për rrëzimin e një autokrati demode, por mbi të gjitha sepse e bënë këtë, duke shembur barrierat e vjetra të ndasive.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit