Që nga shekulli XIV, shumë gra në Holandë dhe Belgjikë filluan të veshin “huik”, një veshje e gjatë që mbulonte tërë trupin. Kjo e ashtuquajtur “burka holandeze” u bë veçanërisht e përhapur gjatë Epokës së Vogël të Akullnajave (1570–1700). Mesatarisht, temperaturat në atë periudhë ishin pak më të ulëta se sot. Prandaj kjo mantelë ishte shumë e përshtatshme për të ftohtin dhe gratë që e vishnin mund të mbuloheshin nga koka deri te këmbët për t’u mbrojtur nga të ftohtit.
Shumë piktura, gravura dhe vizatime që datojnë nga gjysma e parë e shekullit të shtatëmbëdhjetë tregojnë se shumë gra zotëronin një ose disa mbulesa të plota. Nganjëherë mbi kapuç vishej edhe një kapelë e rrumbullakët. Përveç modelit tipik holandez, ekzistonte edhe një version brabanson, me velo të palosur dhe një kapelë që kishte një zbukurim prej kadifeje.
Disa historianë vlerësojnë se dhjetëra mijëra gra shëtisnin të veshura me “huik”. Sipas tyre, kjo veshje ishte importuar gjatë kohës së kryqëzatave dhe e ka origjinën në Afrikën e Veriut dhe Andaluzinë. Ishte periudha kur zonjat e borgjezisë evropiane përvetësonin veshje me prejardhje arabe. Ato e vishnin për të shkuar në treg, në kishë apo për të marrë pjesë në ceremoni mortore (shih videon në lidhjen më poshtë).

Foto 1: Pikturë e grave holandeze të veshura me “huik”, nga Bernard Picart, 1733 (koleksioni i Rijksmuseum Amsterdam).
Foto 2: Gra të krishtera të veshura me “huik” gjatë një varrimi në Wieringen (Holandë), në vitin 1930.
