4.7 C
Pristina
Saturday, April 20, 2024

Nijeti eshte i vazhdueshem

Më të lexuarat

Aishja (Allahu qoftë e kënaqur me të) transmeton, se profeti (a.s) ka thënë: “Pas çlirimit të Mekes nuk ka më emigrim (hixhret). Ndërsa lufta dhe nijeti janë të vazhdueshme. Nëse ftoheni për të përkrahur fenë e Allahut, mos ngurroni për të marrë pjesë”. Transmetojnë imam Buhariu dhe imam Myslimi.
Shpjegimi i hadithit:
Në këtë hadith profetik demostrohet elokuenca e profetit (a.s), i cili me pak fjalë nënkupton shumë gjëra. Kjo ka qenë prej veçorive dalluese të profetit (a.s), i cili shprehej me pak fjalë, por që nënkuptonte shumë gjëra dhe në fjalët e tij kishte autoritet dhe ëmbëlsi.
Domethënia e parë që arrijmë të kuptojmë nga ky hadith, është rregulli i përgjithshëm se pas çlirimit të Mekes nuk ka më emigrim, por lufta dhe nijeti do të jenë të vazhdueshme.
Emigrim në termin gjuhësor do të thotë, të braktisësh një vend, për të shkuar në një vend tjetër. Me këtë qëllim është përdorur edhe në terminologjinë fetare.
Shprehja e profetit (a.s) se “pas çlirimit të Mekes nuk ka më emigrim” nënkupton, se pas çlirimit të Mekes, ky qytet konsiderohet vendbanim i myslimanëve, kështu që për këtë arsye vendqënrimi në të është i sigurt dhe nuk lind më nevoja për të emigruar prej saj. Kjo shprehje e profetit (a.s) është edhe përgëzim për besimtarët, se ndihma e Allahut do të jetë e vazhdueshme për ta deri në fund. Madje kjo ka lidhje edhe me hadithin, ku profeti (a.s) thotë, se një ushtri do të tentojë të sulmojë Qaben, por që pa arritur pranë saj, kjo ushtri do të shkatërrohet, sepse Allahu e ka bërë atë të sigurtë dhe e mbron nga çdo tentativë për ta sulmuar.
Fjalia mohore: “nuk ka më emigrim” përforcon rregullin e përgjithshëm, të cilin e cekëm më lart, por kjo kurrsesi nuk do të thotë, që të ngujohemi apo të dorëzohemi. Përkundrazi lufta për të ndihmuar fenë e Allahut do të jetë e vazhdueshme deri në Ditën e Gjykimit. Po ashtu edhe nijeti i pastër do të jetë promotorri kryesor për çdo besimtar mysliman, që ai të jetë përkrahës i parimeve të fesë.
E megjithëkëtë, profeti (a.s) nuk e lë këtë çështje pezull, që më pas të ketë intepretime nga më të ndryshme, por jep një orientim të qartë e të saktë, që e detyron myslimanin të jetë gjithmonë në gadishmëri të plotë, për të mbrojtur vendin e shenjtë (Meken). Kjo gadishmëri qëndron mbi tre themele: lufta, nijeti dhe përkrahja.
Shprehja “Nëse ftoheni për të përkrahur fenë e Allahut, mos ngurroni për të marrë pjesë”. Kjo nënkupton, se myslimanët duhet t’i përgjigjen kërkesës së udhëheqësve për luftë, kur ata bëjnë thirrje për të zgjeruar territoret e shtetit islam, apo për të mbrojtur nderin, fenë, pasurinë e kombin. Allahu i Lartësuar thotë: “Dilni në luftë, le t’ju vijë ajo e lehtë ose e rëndë. Luftoni për hir të Allahut me pasurinë dhe veten tuaj. Kjo është gjëja më e dobishme për ju nëse e kuptoni”. (Sure Et Teube: 41). “O ju të cilët keni besuar, jini të gatshëm për të luftuar, dhe dilni në luftë grup pas grupi, ose të gjithë së bashku”. (Sure En Nisa: 71).
Duke qenë se jemi duke komentuar këtë hadith, atëherë na del si detyrë që të diskutojmë rreth braktisjes së një vendbanimi jomysliman. Përpara këtij fenomeni, kemi tre raste:
Rasti i parë: Nëse myslimani nuk i jepet mundësia që të zbatojë ritet fetare, por ka mundësi që ta braktisë këtë vend, atëherë në këtë rast braktisja e këtij vendi është e obligueshme.
Rasti i dytë: Myslimanit i jepet mundësia për të zbatuar ritet fetare dhe në të njëjtën kohë ai ka mundësi që ta braktisë këtë vend, atëherë migrimi i tij është i parapëlqyeshëm.
Rasti i tretë: Nuk  ka mundësi të migrojë për një arsye të konsiderueshme, atëherë i lejohet që të jetojë në këtë vend.
El Mauerdi ka thënë: “Nëse myslimani ka mundësi që në një vendbanim jomysliman të zbatojë lirisht ritet fetare, atëherë është më mirë për të që të qëndrojë në atë vend, sepse ndoshta ai mund të jetë shkak që të tjerët të pranojnë fenë Islame.”
            Përfitimet e nxjerra nga hadithi:
1 – Ndërprerja e hixhretit, pas çlirimit të Mekes.
2 – Rëndësia dhe vlera e luftës për hir të Allahut.
3 – Vlera e nijetit në lidhje me punët.
4 – Çlirimi i Mekes.
5 – Sqarimi i të vërtetës.
 
 
            1 – Ndërprerja e hixhretit, pas çlirimit të Mekes:
Kjo më së miri nënkuptohet nga fjala e profetit (a.s): “Pas çlirimit të Mekes nuk ka më emigrim (hixhret)”. Kur vuajtjet dhe torturat e ushtruara ndaj besimtarëve u shtuan dhe myslimanët e kishin të ndaluar që të zbatonin ritet fetare haptazi, atëherë profeti (a.s) i urdhëroi besimtarët që të emigronin nga Meka në Medine, sepse në Medine ata e kishin shumë të lehtë për të zbatuar ritet fetare. Kështu që, kush pranonte fenë islame, menjëherë ai emigronte nga Meka për në Medine, për të zbatuar urdhrin e Allahut dhe të Dërguarit të tij. Por me çlirimin e Mekes, pra me lirshmërinë për të kryer ritet fetare lehtësisht, nuk ishte më e nevojshme dhe e obligueshme emigrimi nga Meka në Medine. Pas çlirimit të Mekes, erdhi urdhri, që myslimanët të qëndronin në vendbanimin e tyre, por megjithatë ata duhet të ishin të gatshëm që të luftonin, në rast se niste lufta.
            Historia Islame ka dëshmuar një sërë emigrimesh:
Emigrimi i parë: Emigrimi nga Meka për në Abisini, në kohën e vuajtjeve dhe torturave që u ushtruan ndaj sahabëve në hapat e para të Islamit.
Emigrimi i dytë: Emigrimi nga Meka në Medine.
Emigrimi i tretë: Emigrimi i fiseve arabe për tek profeti (a.s), me qëllim që të mësonin rregullat e fesë e më pas për t’u kthyer në fiset e tyre, për t’u mësuar njerëzve fenë.
Emigrimi i katërt: Emigrimi i atyre banorëve të Mekës, që sapo kishin besuar, të cilët shkonin tek profeti (a.s) dhe më pas ktheheshin përsëri në Meke.
Emigrimi i pestë: Braktisja e gjërave të ndaluara nga Allahu.
Dijetari i shquar Ibnul Kajim ka thënë: “Për çdo mysliman ka dy emigrime:
a) emigrimi për t’u afruar tek Allahu, duke e adhuruar, duke ju mbështetur, duke ju nënshtruar, duke shpresuar tek falja e Tij dhe duke pasur gjithmonë nevojë për Të.
b) emigrimi për të shëmbëllyer me rrugën e profetit (a.s), sepse Allahu nuk mund të pranojë asnjë vepër, nëse ajo nuk është në përputhje me traditën e profetit (a.s)”.
 
Këtu lind një pyetje: Pas çlirimit të Mekes, a është ndërprerë përfundimisht emigrimi, apo ajo është e vazhdueshme?
Në lidhje me këtë pyetje janë transmetuar hadithe, që në pamje të parë duket sikur ka kundërthënie.
Disa hadithe tregojnë, se me çlirimin e Mekes nuk ka më hixhret. Një prej këtyre haditheve është hadithi, të cilin po e komentojmë. Një hadith tjerër është edhe fjala e Aishes, kur është pyetur për emigrimin: “Sot, nuk ka më emigrim. Kohë më parë, besimtarët emigronin për hir të Allahut dhe të Dërguarit të tij, që të shpëtonin nga sprova e rëndë që përjetonin në Meke. Ndërsa sot, Islami demostrohet lirisht dhe myslimani e adhuron Allahun kudo që të jetë. Por lufta dhe nijeti është i vazhdueshëm deri në Ditën e Gjykimit”. Transmeton imam Buhariu.
Mexhashi ibnu Mes’udi tregon: Shkova bashkë me vëllain tim tek profeti (a.s) dhe i thashë: “Dëshirojmë të të japim besën për hixhret. Hixhreti ka përfunduar – tha ai. Por për çfarë të të japim besën? Për të zbatuar fenë islame dhe për të marrë pjesë në luftë – u përgjigj ai”. Transmetojnë imam Buhariu dhe Myslimi.
Ndërsa disa hadithe të tjera tregojnë, se hixhreti është i vazhdueshëm deri në Ditën e Gjykimit. Mu’auijeh ka thënë: “Hixhreti nuk mund të ndërpritet asnjëherë, vetëm deri kur të mos pranohet më pendimi. E pendimi nuk pranohet, vetëm atëherë kur dielli do të lindë nga perëndimi”. Transmeton imam Ebu Daudi. Dijetari i shquar i hadithit, Albani e ka saktësuar këtë hadith. Ibnu Mes’udi transmeton, se profeti (a.s) ka thënë: “Hixhreti nuk ka për t’u përndëprerë ndonjëherë, përderisa armiku vazhdon t;ju luftojë”. Transmeton ima Ahmedi. Hadithi është Hasen.
Në lidhje me hadithet e sipërpërmendura, që në pamje të parë duken sikur kundërshtojnë njëra-tjetrën, juristët islam i kanë interpretuar në tre forma:
Forma e parë: Hixhreti në hapat e para të përhapjes së Islamit ka qenë i pëlqyeshëm. Më pas ai u bë obligim nga Meka për në Medine. Me çlirimin e Mekes, obligueshmëria i tij u abrogua, për t’u kthyer në origjinë. Pra kemi të bëjmë me dy hixhrete: njëri u ndërpre dhe tjetri është i vazhdueshëm.
Forma e dytë: Me çlirimin e Mekes, hixhreti për në Medine u ndërpre. Ndërsa hixhreti i pandrprerë deri në Ditën e Gjykimit, është hixhreti i atij personi, që pranon besimin në një vendbanim joislam për të shkuar në një vend islam, ku lirisht mund të praktikojë rregullat e fesë.
Forma e tretë: Hixhreti u ndërpre, kur u çlirua Meka. Ndërsa hixhreti i pandërprerë, është braktisja e mëkateve dhe veprave të këqia. Profeti (a.s) ka thënë: “Emigrant është ai, i cili i braktis mëkatet dhe gjynahet”. Transmeton imam Ibnu Maxheh. Këtë hadith e ka saktësuar dijetari i shquar Albani.
Në Kuranin Famëlartë, Allahu i Lartësuar ka folur për vlerën e muhaxhirëve, shpërblimin dhe pozitën e lartë që ata gëzojnë tek Allahu. Allahu i Lartësuar thotë: “Ata të cilët emigruan, u dëbuan nga shtëpitë e tyre, u torturuan dhe luftuan, do ‘tia fshijë të këqiat dhe do t’i fusë në Xhenetet, poshtë të cilëve rrjedhin lumenj.Kjo është shpërblim nga Allahu. Me të vërtetë Allahu ka shpërblimin më të mirë”. (Sure Ali Imran: 195). Ja se si i përshkruan Allahu i Lartësuar muhaxhirët në një ajet tjetër në Kuran: “Fukarenjtë prej muhaxhirëve, të cilët u dëbuan nga shtëpitë dhe humbën pasurinë e tyre, por që kërkojnë begatitë, kënaqësinë e Allahut, dhe që e ndihmojnë Allahun dhe të Dërguarin e tij. Me të vërtetë ata janë të sinqertë”.  (Sure El Hashr: 8). Ndërsa në një ajet tjetër lexojmë: “Muhaxhirët dhe ensarët e parë, por edhe ata që i ndoqën më pas, Allahu është i kënaqur me ta, edhe ata janë të kënaqur me Të. Për ta, Allahu ka përgatitur xhenete, poshtë të cilëve rrjedhin lumenjt. Aty ata janë përjetësisht. Ky është shpëtimi më i madh”. (Sure Et teube: 100).
Imam Kandehleui thotë: “Sahabët e braktisën vendin e tyre më të shenjtë. Kjo për ta ishte më e dashur se dynjaja dhe të mirat e saj. Ata i dhanë përparësi fesë përpara dynjasë, kështu që ata nuk i kushtuan vëmendje asaj, që një ditë do të shterrojë. Prandaj ata shkuan sa nga një vend në një vend tjetër, për të mbrojtur fenë e tyre nga dallgët e fitnes. Sikur ata u krijuan për botën tjetër duke qenë bijtë e saj, ndërsa dynjaja ishte krijuar për të qenë në shërbim të tyre”.
 
            2 – Rëndësia dhe vlera e luftës për hir të Allahut:
Për rëndësinë dhe vlerën e luftës për hir të Allahut, ka folur Allahu i Lartësuar dhe profeti Muhamed. Allahu i Lartësuar thotë: “Allahu i ka lartësuar në pozitë luftëtarët të cilët luftuan me pasurinë dhe jetën e tyre ndaj atyre të cilët qëndruan në vendet e tyre”. (Sure En Nisa: 95). Profeti (a.s) është pyetur: Cila është puna më e mirë? “Besimi tek Allahu dhe i Dërguari i Tij”, – është përgjigjur. Po pastaj? “Lufta në rrugë të Allahut” – është përgjigjur.. Po pastaj? “Haxhi i pranuar” – është përgjigjur profeti (a.s).
Lufta është një prej obligimeve të shumta fetare. Prandaj për këtë arsye në shumë tekste kuranore, apo hadithe të profetit (a.s) lexojmë të flitet rreth saj. Në të vërtetë, lufta garanton sigurinë dhe qëndrueshmërinë e umetit mysliman, në mënyrë të atillë që çdo armik, i cili tenton të sulmojë atë, duhet që ta pyesë veten njëmijë herë. Armiqtë e fesë luftojnë kundra popujve, për të përfituar nga të mirat materiale të kësaj bote, ndërsa myslimani lufton për hir të Allahut, duke shpresuar tek premtimi i Allahut.
Gjithsesi këtu duhet të ndalemi dhe të analizojmë pak. Në kohën kur mbizotëron paqja, nuk do të thotë që myslimani duhet të luftojë të tjerët. Përkundrazi në kohën e paqes, duhet të ketë paqe dhe në kohën e luftës, myslimani duhet të luftojë me pasurinë dhe jetën e tij për hir të Allahut të Lartësuar. Allahu thotë në Kuran: “Allahu nuk ju ndalon të bëni mirë dhe të mbani drejtësi me ata që nuk ju luftuan për shkak të fesë, e as nuk ju dëbuan prej shtëpive tuaja. Allahu i do ata që sillen drejt. Ndërkaq Allahu ju urdhëron që të luftoni ndaj atyre që ju kanë luftuar në fe dhe ju kanë dëbuar nga shtëpitë”. (Sure El Mumtehine: 7–8).
 
            3 – Vlera e nijetit në lidhje me punët:
Kjo nënkuptohet nga thënia e profetit (a.s): “Ndërsa lufta dhe nijeti janë të vazhdueshme” Nuk ka dyshim se nijeti lë gjurmë të madhe tek veprat. Vlefshmëria apo mosvlefshmëria e punëve janë në varësi të nijetit. Në varësi të nijetit, shpërblehet edhe njeriu. Dihet se të gjitha adhurimet nuk vlejnë, nëse nuk shoqërohen me nijet. Kjo do të thotë, se nijeti është i domosdoshëm në çështjet e adhurimit dhe po ashtu nijeti bën dallimin ndërmjet adhurimeve, ndërmejt tradicionales dhe adhurimit dhe ndërmjet gradëve të adhurimit. Mbi të gjitha këto nijeti duhet të jetë vetëm për hir të Allahut. Besimtari në kryerjen e adhurimeve duhet të bëjë dy nijete, një të përgjithshëm dhe një të veçantë. Ai duhet të bëjë nijet me gjithë zemër, se të gjitha veprat dhe fjalët që kanë lidhje me besimin, trupin e pasurinë, të gjitha këto të jenë për hir të Allahut dhe për të fituar kënaqësinë e Allahut. Ndërsa nijeti specifik (i veçantë) që ta adhurojë Allahun me sinqeritet në çdo adhurim, ta lusë Allahun, që t’i dhurojë sinqeritet në çdo punë. Nëse besimtari arrin të ketë sinqeritet tek adhurimet, atëherë ai duhet të shfrytëzojë rastin, që edhe tek punët e zakonshme dhe të lejueshme, t`i shoqërojë me nijet të pastër.
 
            4 – Çlirimi i Mekes:
Kjo nënkuptohet nga thënia e profetit (a.s): “Pas çlirimit të Mekes nuk ka më emigrim (hixhret)”. Çlirimi i Mekes ka ndodhur në vitin e tetë të hixhrit gjatë muajit të Ramazanit. Çlirimi i Mekes ka qenë një triumf madhështor në historinë e përhapjes së fesë islame. Me çlirimin e saj, u ndërpre edhe hixhreti. Qysh në këtë çast, injoranca, traditat dhe doket e kurejshëve u shuan njëherë e përgjithmonë. Ato janë varrosur në historinë e të shkuarës, për të mos ngelur prapa karvanit të fesë islame. Ai që shpenzoi dhe luftoi në rrugë të Allahut pas çlirimit të Mekes, nuk mund të krahasohej me atë, që kishte shpenzuar pasurinë dhe kishte luftuar përpara çlirimit të Mekes. Këtë fakt e përmend edhe Kurani Famëlartë. Allahu i Lartësuar thotë: “Nuk janë të barabartë ata që kanë shpenzuar dhe luftuar para çlirimit (të Mekes) me ata që kanë shpenzuar dhe luftuar më pas. Ata janë në shkallë më të lartë, mirëpo Allahu u premton të gjithëve më të të mirën. Allahu e di mirë atë që e veproni”. Sure El Hadid:10.
Ibnu Ethiri tregon: Kur profeti (a.s) hyri në Meke qëndroi tek Qabja dhe tha: “Nuk ka zot tjetër përveç Allahut, Ai është një i vetëm dhe nuk ka shok në adhurim, Ai e mbajti premtimin, e ndihmoi robin e Tij dhe i shkatërroi të gjtihë grupimet”. Pastaj duke iu drejtuar kurejshëve u tha: “O Kurejsh, çfarë mendoni se do të bëj me ju?” Ata thanë: “Ti je vëlla i nderuar dhe biri i vëllait tonë të nderuar.” Ai tha: “Shkoni, ju jeni të lirë”. Pra, profeti (a.s), pasi Allahu i dha mundësinë që të hakmerrej ndaj tyre, i fali që të gjithë. Më pas, ai bëri tavaf rreth Qabes 7 herë, hyri brenda dhe u fal. Ai (a.s) pa portretet e profetëve dhe urdhëroi që të gjithë fshiheshin. Në Qabe kishte 360 idhuj. Në dorë ai (a.s) kishte një shkop, që ia drejtoi idhujve duke lexuar: “Thuaj: E vërteta erdhi, ndërsa e pavërteta u shkatërrua”. Më pas urdhëroi, që të thyheshin dhe të shkatërroheshin të gjithë idhujt. Më pas profeti (a.s) u ul në kodrën Safa, poshtë tij ishte Omer ibnul Hatab. Më pas u grumbulluan të gjithë njerëzit për t’i dhënë besën profetit (a.s).
 
            5 – Sqarimi i të vërtetës:
Kjo nënkuptohet nga thënia e profetit (a.s): “Pas çlirimit të Mekes nuk ka më emigrim (hixhret).” Por nijeti dhe lufta është e vazhdueshme, sepse ftuesi e ka të ndaluar që të fshehë të vërtetën, madje ai është i urdhëruar që të sqarojë dhe të kumtojë gjithçka di. Për këtë gjë e urdhëroi Allahu profetin (a.s): “Ty të zbritëm Përkujtesën, me qëllim që t’u shpjegosh njerëzve atë që u është shpallur dhe që ata të mendojnë”. (Sure En Nahl: 44)  “O i Dërguar! Trego atë që të është shpallur nga Zoti yt”. (Sure El Maide: 67). Madje Allahu i Lartësuar i ka qortuar ashpër ithtarët e librit, të cilët fshehën atë që ishte shkruajtur në Libër. Allahu i Lartësuar thotë: “Kujto o Muhamed kohën kur Allahu mori premtimin nga ata që u është dhënë Libri se do t’ua shpjegojnë njerëzve dhe nuk do të fshehin asgjë nga ai. Pastaj ata e hodhën pas shpine premtimin dhe e ndërruan atë me një vlerë të vogël. Eh, sa këmbim të shëmtuar që bënë ata!” (Sure Ali Imran: 187).
Allahu i Lartësuar i ka urdhëruar profetët dhe ndjekësit e tyre, që t’u tregojnë njerëzve të vërtetën, sepse ftesa islame është e qartë. Madje dihet mjaft mirë, që profeti (a.s) e ka pasur zakon, që ta përsëriste një fjali tre herë, për të vetmen arsye që komunikimi dhe transmetimi të ishte sa më i qartë dhe më i kuptueshëm.
Perktheu: Elton Harxhi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit