12.5 C
Pristina
Thursday, May 2, 2024

Nga Enklid PELARI: Të rrëzohet idhulli i Skënderbeut dhe të ringrihet busti i tij

Më të lexuarat

‘’Funskioni filozofisë është të shemb mitet’’ –thonë epistemologët, mirëpo nga ana tjetër filozofia na thotë se: ‘’shoqëria mitizon fenomenet që nuk i arrin dot’’.

Në fakt, prapa përplasjes epike midis ‘’Filo-Skënderberasve’’ dhe ‘’Skënderbero-fobëve’’ –nëse vërtetë ka të tillë, fshihet një debat i gjerë filozofik midis rracionales dhe irracionales. Rracionalja në këtë rast është shembja e miteve, ndërsa irracionalja është glorifikimi i figurës së Skënderbeut deri në hyjëzimin e tij.

Themi filozofikisht, pasi teologjikisht kjo çështje është e ezauruar. Për myslimanët Otomanët e djeshëm kanë qenë një dinasti apo perandori si të gjitha të tjerat. Kjo pasi vet Profeti Muhammed a.s ka thënë: ‘’Kalifati (drejtimi drejtë)’’ do jetë vetëm 30 vjet, më pas do jetë mbretëri që Zoti e ve në dispozicion të kujtdo’’.

Pra këtu bie miti i perandorisë ‘’së shenjtë’’ për myslimanët dhe i hapet vend nocionit të kombit, për rrjedhojë bie poshtë edhe ideja se për myslimanët Skënderbeu është një problem fetar. Feja në vetvete nuk është kulturë apo trashëgimi që lidhet me historinë e vendeve apo perandorive, por është një ideal sublim i cili mund të pasohet edhe kur në glob nuk ka asnjë besimtarë, siç qe rasti i profetit Ibrahim (Abraham), për të cilin librat e shenjtë thonë se qe besimtari vetëm në tokë.

E bëmë këtë sqarim fetar, pasi kemi parë se shumë nga analistët dhe njerëzit publik që kanë reaguar kujtojnë se myslimanët kanë fobi nga figura e Skënderbeut, kur në fakt, si për rastësi, në një shkrim të mëparshëm me temë: Kombi apo Feja ne kemi sqaruar patriotizmin e thukët të teologëve shqiptarë dhe të cilët nuk kundërshtuan për asnjë moment figurën e Skënderbeut që shërbeu si burim frymëzimi për Rilindasit. Ky deficit në informacionet e asaj çka besojnë myslimanët ka shtyrë disa shkarrashkrues të bëjë deklarata të çuditshme të tipit: ‘’Skënderbeu ka shpëtuar Europën e sotme nga Turqit?!’’.

Në fakt të gjithë e dinë se aktiviteti luftarak i Skënderbeut ka qenë i izoluar në Krujë, pra jo një zonë kyçe e lëvizjeve siç ishte rruga Egnatia fjala bie dhe e cila nuk përbënte fare problem për kalimin e Otomanëve më lart në perandorinë Austro-Hungareze, apo për të kaluar nga rrugë ujore për në Vatikan. Sipas Gjekmarkajt edhe europianët na e njihkan këtë meritë pasi Skënderbeu paska shpëtuar Europën?!!.

Ndoshta Skënderbeu është një nga ‘’rebelët’’ e shumtë që ka pasur Perandoria Otomane, por jo aktori vetëm që ka ndaluar penetrimin e saj në Europë. Gjithsesi të këtilla euforizma ballkanase të kujtojnë thënien Angleze që thotë: “kombet e vjetra kanë zakone e legjenda, kurse të rejat kanë vepra dhe rregulla’’.

Skënderbeu për analistët shqiptarë ngre një mit që shoqëria nuk e arrin dot, siç është të qenit evropianë deri në palcë, madje gjoja kemi derdhur edhe gjak për të qenë të tillë, kur në fakt vetëm indikatori korrupsionit do mjaftonte për të kuptuar sesa vite dritë larg jemi me ta si shoqëri.

Së dyti: figura e Skënderbeut na shërben për tu arratisur nga faji i dështimit për tu bërë një shoqëri evropiane.

Filozofia sotme duhet të na shërbejë për të shembur mitizimet ekstreme të të dyja palëve si të nacionalistëve kur thonë: ‘’Skënderbeu mbron identitetin tonë europianë’’, pasi në fakt askush nuk e cënon aspiratën dhe dëshirën e shqiptarëve për të qenë evropianë, po ashtu edhe të myslimanëve kur thonë: ‘’osmanët na çliruan’’, pasi besimi mund të transmetohet shumë mirë pa prani ushtarake siç ka qenë rasti i xhamisë së ndërtuar në Berat me qindra vite para se këtu të shkelte otomani parë, apo rasti i Indonezisë, një vend ky që u bë mysliman vetëm nga marrëdhëniet që tregtarët arab kishin me këtë vend.

Sot shumë filozofë perëndimorë çuditen sesi në një epokë empiriste dhe shentifike shumë shoqëri akoma kanë tendenca idhujtariste duke glorifikuar deri në hyjëzim liderët e tyre historik apo partiak. Në shoqëritë e përparuara perëndimore qeveria ka një funksion mekanikist, pra ekziston thjesht për ti shërbyer masave, e aspak hyjnor apo mistik.

Nisur nga kjo reagimi elitave shqiptare ishte realisht i turpshëm, në sytë e botës perëndimore, pasi na shfaqi si ato fiset afrikane që luftojnë me njëra-tjetrën për hir të feve apo idhujve të tyre. Toleranca jonë fetare këto ditë jo vetëm që nuk ka shërbyer si vlerë krahasuese për botën, por madje ka ngelur në klasë. Analistët dhe personazhet publik shqiptarë që nxitën deri në vetmohim për të mbrojtur ‘’Zotin’’ e kombit të tyre, duhet të reflektojnë dhe të turpërohen të paktën për reagimin primitiv që treguan përpara perëndimit.

Sot të gjithë bashkë, myslimanë ose jo, duhet të shembim idhullin e Skënderbeut dhe të ringremë bustin e tij, si figura e unitetit kombëtare të të gjithë shqiptarëve. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit