Nga cilësitë e bukura të gruas – Një artikull i mrekullueshëm shkruar nga vajza e shejh Albanit

Më të lexuarat

Një artikull i mrekullueshëm shkruar nga vajza e shejhut tonë el-Albani, Allahu e mëshiroftë.

Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit.
Falënderimi i qoftë Allahut dhe paqja e bekimi i Allahut qofshin mbi të Dërguarin e Tij. Dhe më pas:

Nga cilësitë më të bukura të një gruaje janë:
1. Turpi i saj (edeb-i, maturia).
2. Përmbajtja në të folur, zgjedhja me kujdes e fjalëve që duhet të thotë; nuk flet kot, nuk zgjatet në tregime të kota që e hedhin në pusin e fjalëve të pavlera e marrëzive, e as nuk i lodh të tjerët.
3. Butësia e zërit të saj.
4. Qetësia, ekuilibri dhe përmbajtja në reagimet e saj, në lëvizjet e saj, në ecjen dhe në të qeshurën. Nuk është e nxituar e e çrregullt, e as e ngurtë e e ftohtë.
5. Durimi i saj, kënaqja dhe largimi i vetes nga vartësia ndaj ankesave dhe pakënaqësisë së vazhdueshme.
6. Falënderimi i saj i pandërprerë ndaj Zotit.
7. Kënaqësia e saj me të caktuarën; nuk ia ngul sytë asaj që Allahu ua ka dhënë të tjerëve. Nuk mendon se të tjerët janë më të lumtur, më të pushuar, e më të rehatshëm se ajo, dhe se vetëm ajo është e vuajtur e fatkeqe.
8. Kujdesi i saj ndaj pastërtisë, në detaje dhe imtësi.
9. Maturia e mendjes, urtësia dhe mendimi i peshuar—veçanërisht në kohë shqetësimesh dhe vështirësish.
10. Balancimi midis ndjenjës dhe vendosmërisë, duke njohur kur familja ka nevojë për butësinë e saj dhe kur ka nevojë për rreptësinë e saj.
11. Respekti për ata që ka përballë dhe vlerësimi për këdo që ka një mirësi mbi të, pas Allahut.
12. Zgjuarsia në menaxhimin e shtëpisë, kujdesi për të dhe për detyrat e saj, pa neglizhuar asnjë anë të saj.
13. Mprehtësia, kuptimi dhe vetëdija për atë që ndodh rreth saj.
14. Rritja e dijes së saj fetare, duke ia kushtuar kohë leximit, kuptimit dhe memorizimit të çështjeve të saj fetare.
15. Zgjerimi i dijes së saj të dobishme, në fusha të ndryshme të jetës që i sjellin dobi dhe nuk i dëmtojnë ahiretin.
16. Pavarësia e personalitetit, nuk imiton të tjerat në çdo modë e shpikje që shfaqet.
17. Butësia, ëmbëlsia dhe feminiteti, duke mos qenë e vrazhdë apo e ashpër.
18. Largimi nga sipërfaqësitë, modat dhe çmenduritë që ua kanë turbulluar mendjen disa grave e u kanë dëmtuar fenë.
19. Ruajtja nga mjeshtëritë e mashtrimit, zilia, kurthet dhe hakmarrjet me të cilat njihen disa gra.
20. Fisnikëria dhe pastërtia e natyrës së saj, që të mos pritet prej saj veçse mirësi dhe të mos frikësohet dikush nga e keqja e saj.
21. Qëndrimi i saj në shtëpi me dëshirë dhe qetësi, meraku për veten dhe familjen e saj, shmangia nga thashethemet. Nuk i mbush mendjen me atë që tha kjo apo bëri ajo, dhe nuk e bën të vetmin interes të saj shëtitjen pa nevojë nga një shtëpi në tjetrën.
22. Bindja ndaj atij që Allahu ia ka vënë përgjegjës — qoftë babai, bashkëshorti, vëllai… duke i dhënë respektin e duhur dhe pa e konsideruar veten të barabartë me të në autoritet.
23. Kujdesi i saj për secilin anëtar të familjes, duke i dhënë të drejtën e tij sipas gjendjes së tij, moshës, natyrës, nevojave dhe asaj që pëlqen e asaj që urren—në atë që e kënaq Allahun.
24. Shmangia e shpërdorimit, ndërsa nga ana tjetër është bujare, fisnike dhe dorëlëshuar në të mirën dhe përpjekjen e saj.
25. Zgjedhja e orendive të shtëpisë sipas nevojës dhe asaj që e ndihmon në bindjen e Zotit dhe në rregullimin e ditës së saj, me thjeshtësi dhe pa teprime, pa u robëruar ndaj pamjeve që i marrin kohën dhe nuk i sjellin asnjë dobi.
26. Përkujdesja për t’i siguruar familjes mjetet e bindjes ndaj Allahut — me këshillim, me ndjekje, me nxitje dhe me kohë.
27. Kapja dhe dashuria e saj për Sunetin, dhe xhelozia e saj ndaj tij.
28. Përkushtimi ndaj adhurimit të Zotit të saj — namazit farz e nafile, agjërimit, namazit të natës, leximit të Kur’anit, sadakasë, dhikrit dhe çdo adhurimi tjetër. Shpresa më e madhe e jetës së saj është të jetë adhuruesë e përulur dhe robëruese e sinqertë e Allahut të Lartësuar.

O Allah, na udhëzo, na jep sukses dhe na forco!
Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi Profetin tonë Muhamed, familjen dhe shokët e tij.

📚 Shkruar nga: Hasana bint Muhammed Nasiruddin el-Albani — Allahu e mëshiroftë
E martë, 28 Rexheb 1438

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit