20.5 C
Pristina
Friday, May 17, 2024

Nga Bujar M. HOXHA: Lëvizja BESA, mesazhi që vjen nga Maqedonia

Më të lexuarat

Më 11 dhjetor është ditë zgjedhjesh në Maqedoni. Qytetarët e këtij vendi u drejtohen kutive të votimit atë ditë për të zgjedhur qeverisësit e tyre në vitet e ardhshme.

Tabloja e zgjedhjeve dhe rezultatet do të kishin qenë lehtësisht të parashikueshme nëse pjesëmarrësit politikë në to do të ishin saktësisht të njëjtët që e kanë shkëmbyer pushtetin mes tyre gjatë dhjetëvjeçarëve të fundit. Për fat të keq të këtyre partive, posaçërisht shqiptare, dhe për fat të mirë të popullsisë posaçërisht shqiptare, risia me emrin Lëvizja BESA i ka prishur ekuilibrat.

Kjo lëvizje, e lindur dy vite të shkuara, është kthyer shpejt në një përfaqësuese të denjë të shtetasve shqiptarë të Maqedonisë që kërkojnë moral në politikë dhe në jetë, që kërkojnë të mos gënjehen, të mos poshtërohen, të mos trajtohen si qytetarë të dorës së dytë, të mos bëhen  kurbanë të skenarëve të kobshëm.

Çfarë e bën të veçantë këtë lëvizje politike? Çfarë e dallon atë nga partitë e tjera politike? Morali! Ky është filli që e përshkon Lëvizjen BESA tejendanë.

“Kredo e angazhimit tonë politik është një shoqëri me individë të edukuar, të arsimuar… të prirë të krijojnë familje të shëndosha dhe që do të kujdesen për të mirën e njeriut dhe të ambientit që na rrethon. E mira ia fillon me individin, zgjerohet me familjen, ndërtohet me kombin, përhapet në fqinjësi e farefis dhe shtrihet në shoqëri,” lexohet në faqen elektronike të kësaj lëvizjeje.

BESA është një lëvizje autentike, autoktone dhe autonome. E mbështetur mbi tre baza të tilla, ajo i del përpara mundësisë së vetme për ta denigruar.

Lëvizja vjen para qytetarëve me moralin e kandidatëve të saj, me bindjen se ridefinimi i sistemit politik e juridiko-kushtetues në vend është domosdoshmëri për të bërë përpara.

Aq e madhe është drithërima që ka shkaktuar kjo lëvizje me pjesëmarrjen e saj në zgjedhje, aq të pakta janë mundësitë për t’i goditur ata që ftojnë në BESË, sa në ndihmë thirret dhe gjithçka gjendet jashtë Maqedonisë. Një ndihmë e tillë u pretendua të vinte në fillim të javës nga një emision debatues politik në një televizion të Shqipërisë, që në titull kishte gogolin “islamizëm”!

Fenomen i ri është quajtur në atë emision BESA, “si një forcë me prirje të mirëfillta islamike”!

Por ç’thuhet në programin e koalicionit “Rilindje me Besë”, pjesë e të cilit është Lëvizja BESA?

“Synimet kryesore të këtij bashkëpunimi janë: integrimi i vendit në NATO dhe hapja e negociatave për aderim në BE…, të luftohen të gjitha format e ekstremizmit…”

Kaq mjafton për ta larguar tymnajën meskine nga njerëz meskinë, që si rrugëdalje të vetme në mungesë të argumentit kanë islamizmin dhe Islamin politik.

Absurdi do të shkonte aq larg, sa pyetjes nëse BESA përfaqësonte një rrymë islamike, një i ftuar do t’i përgjigjej aspak surprizueshëm në mënyrë pohuese me arsyetimin se në retorikën e lëvizjes gjatë fushatës elektorale, por edhe para saj, Zoti, lidhja me Zotin dhe pastërtia morale kanë zënë vend qendror!

Ideja ishte e qartë: të stigmatizohej Lëvizja BESA me një terminologji kompleksuese, si e vetmja mundësi për ta ndalur hovin e saj.

Po pse sulmohet BESA, aq më tepër në Shqipëri?

Lëvizja BESA nuk garon në zgjedhje thjesht si një subjekt politik i Maqedonisë. Aksioni i saj politik përbën një model për të gjithë shoqërinë shqiptare, qoftë në Maqedoni, në Kosovë e në Shqipëri.

Në të tre shtetet kemi shembullin më të keq të partive shqiptare të fosilizuara, në rendje pas pushtetit, të kapura pas pushtetit. Vetë sistemi politik është fosilizuar prej tyre. Amullinë politike mund ta ndeshësh ngjashëm si dy pika uji si këtej e andej kufirit. Qëllimshëm brenda një rrethi të mbyllur, partitë politike shqiptare ia përcjellin pushtetin njëra-tjetrës, gjithmonë duke e shtënë lugën brenda së njëjtës tepsi, të rezervuar veç për to.

Në Shqipëri, veçanërisht, fosilizimi i politikës është më i dukshëm. Tre parti sillen e përdridhen herë duke u shamatuar e herë duke u përkëdhelur. Monopolizimi i skenës politike prej tyre bëhet më i suksesshëm për to dhe më mbytës për popullatën me paaftësinë e shoqërisë për t’u dhënë jetë lëvizjeve të reja shpresëdhënëse. Në dy dekada e gjysmë kemi parë parti që janë krijuar nga fraksionet, nga çarjet brenda partive nëna, nga inate personale, por pak, ose thuajse aspak, kemi qenë dëshmitarë të lëvizjeve politike autentike dhe autonome. Zhvillimet e fundit, për shembull, kanë prodhuar një parti të lindur nga mëritë mes partiakësh e të mbajtur gjallë nga njohjet mediatike, si dhe një lëvizje anarkiste, me ngjyrim dukshëm tejet të majtë.

Pikërisht për këtë, Lëvizja BESA është një lloj mesazhi, është një thirrje për zgjim, është një model që duhet ndjekur e që në themel ka moralin, politik dhe atë në jetë!

Pikërisht për këtë, suksesi i Lëvizjes BESA nuk është thjesht ai i një partie politike në Maqedoni, ngase frymëzon dhe shoqërinë në Shqipëri e Kosovë.

Lëvizja BESA e ka të detyruar suksesin, sepse ai mund të shërbejë për nisjen e tharjes së moçalit ku vegjeton prej dekadash politika shqiptare anekënd kufijve, të Maqedonisë, Shqipërisë e Kosovës.

Lëvizja BESA është shpresë!

“Rilindje me Besë!” /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit