15.8 C
Pristina
Tuesday, April 30, 2024

10 mijë eurot që rregulluan ‘Range Rover’-in e Bashotës

Më të lexuarat

“Range Rover”-i i kryetarit të Klinës Sokol Bashota për riparimin e të cilit komuna dha 10 mijë euro, së shpejti do të dalë në trafik.

Nëse gjithçka shkon sipas parashikimit, kryetari i Klinës Sokol Bashota përsëri do të lëvizë me veturën luuksoze “Range Rover”, pas ndërrimit të motorit të saj që komunës i kushtoi 10 mijë euro.

Veturës zyrtare të kryetarit që Komuna e Klinës e bleu 67 mijë euro, vjet iu bllokua motori, ndërsa edhe për këtë shkroi KALLXO.com.

Atëherë vlera e riparimit të “Range Rover”-it u konsiderua të jetë 10 mijë euro, ndërsa rregulluesit e saj edhe pse nuk e dinë saktësisht çmimin, parashikojnë që ai të mos i tejkalojë këto mjete financiare.

Për të pyetur në lidhje me rregullimin emakinës së Bashotës, ekipi i KALLXO.com vizitoi kompaninë “Besimi” të kontraktuar nga Komuna e Klinës për mirëmbajtjen e automjeteve zyrtare.

“Ndreqja e veturës është në përfundim. Veturës i është ndërruar komplet motori dhe janë riparuar diznet dhe mjete tjera që kanë qenë të dëmtuara,” tha për KALLXO.com Aziz Avdiu, pronari i kompanisë “Besimi”.

Makina e kryetarit të Klinës kur u dëgua vjet në autoservis |Foto: KALLXO.com
Makina e kryetarit të Klinës kur u dëgua vjet në autoservis |Foto: KALLXO.com
Avdiu tregoi se vetura po testohet a po funksionon si duhet, ndërsa parashikoi edhe kur është e gatshme ajo t’i kthehet trafikut.

“Vetura është në fazë testuese për të shikuar se si po reagon. Besoj që për dhjetë ditë (vetura) do të dalë në komunikacion nëse shkon gjithçka në rregull pas testimit. Të gjitha ato që i kemi riparuar ne dhe motori kanë garancion njëvjeçar,” tha Aziz Avdiu.

Edhe Mehmet Morina zyrtar përgjegjës për mirëmbajtjen e automjeteve në Komunën e Klinës tha për KALLXO.com se vetura është afër riparimit, ndërsa parashikoi një çmim për rregullimin prej 8 mijë deri në 10 mijë euro.

“Jemi duke pritur fazën e testimit të veturës. Nëse del testimi në rregull do bëhen edhe pagesat. Si përgjegjës për vetura zyrtare të komunës e di që riparimi mund të kushtojë 8 mijë deri në 10 mijë euro me së shumti,” tha Morina.

Ai deklaroi se kryetari i Klinës gjatë mungesës së “Range Rover”-it ka udhëtuar me makinën e tij private, ose me makina tjera të komunës.

Vetura luksoze e kryetarit u ble në vitin 2010 dhe atëherë KALLXO.com shkroi për të.

Në maj të vitit të kaluar KALLXO.com shkroi edhe për bllokimin e motorit të makinës së Bashotës.

Atëkohë zyrtarët komunalë thanë së vetura pësoi defekt derisa shoferi i kryetarit të komunës po udhëtonte zyrtarisht në drejtim të Prishtinës.

Një muaj më pas, në qershor të 2015-ës KALLXO.com vizitoi auto-servisin “Besimi” për të parë nga afër gjendjen e “Range Rover”-it të kryetarit të Klinës.

range-rover-e1481358827950

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit