13.7 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

Nesër është festa e Bajramit

Më të lexuarat

Falënderimet i takojnë All-llahut të Madhërishëm, ndërsa përshëndetjet dhe selamet tona janë mbi profetin Muhammed Mustafa, mbi familjen dhe shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që pasuan gjurmët e tij.

E nesërmja është festë. Festa është nesër, por çka do të thotë të qenurit festë dhe si duhet të jetë festa?

Nuk është festë për atë që vesh rroba të reja e as për atë që krekoset me disa grosh dhe qindarka që ka me vete, por festa e vërtetë është për atë që e ka frikë Ditën e Gjykimit dhe ia ka dronë dënimit të All-llahut të Madhërishëm.

Nuk është festa muzikë, dëfrime e shëtitje të ndryshme, por festa është falënderim ndaj All-llahut të Madhërishëm për mirësitë që të ka dhënë, është paraqitje e begative dhe të mirave që All-llahu i Madhërishëm të ka dhuruar si dhe ecje në kordonin e besimtarëve, lundrim me anijen e muslimanëve, dhe solidarizim me brengat dhe hallet e tyre e assesi përngjasim me mosbesimtarët.

Çdo festë ka rregullat e saj që duhen ditur, andaj edhe festat e muslimanëve kanë disa rregulla që duhen ditur medoemos në mënyrë që të festohet konform dëshirës dhe vullnetit të All-llahut të Madhërishëm.

– Ngrënia në mëngjes. Në mëngjesin e Fiter Bajramit duhet ngrënë diçka në mëngjes para shkuarjes në namaz të Bajramit dhe kjo bëhet si formë e nënshtrimit ndaj urdhrave të All-llahut të Madhërishëm, ashtu siç kemi bërë gjatë agjërimit duhet të bëjmë edhe tani.

– Zekatul Fitri (apo siç njihet tek ne si fitret). Kjo jepet për të pastruar agjërimin prej ndonjë lëshimi eventual që mund të ketë ndodhur nga agjëruesit e, po ashtu, është edhe një dëshmi e solidarizimit me nevojtarët dhe me skamorët duke dëshmuar edhe njëherë shpirtin e tyre human dhe solidaritetin me njëri-tjetrin.

– Veshja e bukur. Çdo besimtar duhet të veshë rrobat më të mira që ka në këtë ditë ngase është ditë feste dhe me anë të kësaj nuk është për qëllim që të tregohet mendjemadhësi apo mburrje, por është për qëllim që të tregohet mirësia dhe begatia e All-llahut të Madhërishëm ndaj besimtarëve, ndaj kjo bëhet në shenjë falënderimi ndaj All-llahut të Madhërishëm për mirësitë e dhëna. Në lidhje me këtë kemi edhe një transmetim nga Profeti (sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem) ku thotë se: “Me të vërtetë All-llahu dëshiron që kur t’i japë mirësi dhe begati robit të Tij të shohë gjurmën e saj. “Një prej mundësive të shfaqjes së gjurmëve të mirësive të All-llahut të Madhërishëm është edhe veshja e rrobave të mira, të pastra dhe parfumosja e sidomos kur është fjala për një ditë feste.

– Kthimi tek njëri-tjetri?. Edhe kjo është pa dyshim një prej qëllimeve të festës, andaj duhet që çdo besimtar të kthehet tek familja e tij, të afërmit, farefisi dhe fqinji i tij duke e përshëndetur, duke i uruar për festën dhe duke harruar ngatërresat, problemet dhe inatet e mëparshme.

Festa është lidhje. Është lidhje me prindërit, me të afërmit, me farefisin, me fqinjët, me bashkëqytetarët, me xhematlinjtë e xhamisë, pra është lidhje në mesin e besimtarëve.

– Festa është gëzim. Festa është ditë gëzimi që duhet të manifestohet me gëzime dhe lumturi, duhet të manifestohet me buzëqeshje, shaka, humor, me përkëdhelje, me lojra dhe me dëfrime të ndryshme, por që të gjitha këto duhet të jenë konform dispozitave, normave, rregullave dhe edukatës islame.

– Festa e Bajramit u përkujton besimtarëve Ditën e Gjykimit ku të gjithë do të marrin pjesë si të pasurit, të varfërit, të moshurait, të rinjtë, fëmijët, pleqtë, gratë. Pra, që të gjithë besimtarët në mënyrën e tyre do të duhej t’i gëzoheshin kësaj feste.

– Festa është ditë dhuratash. Këto dhurata u takojnë të gjithë atyre që kanë agjëruar me përkushtim dhe shpresë në shpërblimin e All-llahut të Madhërishëm, andaj duhen përgëzuar se me lejen e All-llahut të Madhërishëm do të jenë prej atyre që do të kenë korrur suksese dhe do të kenë arritur shpërblime të mëdha tek All-llahu i Madhërishëm.

Mjerë për ata që e kanë nënçmuar këtë ditë dhe e kanë nënçmuar agjërimin. Padyshim se do t’u vijë dita kur do të pendohen tek All-llahu i Madhërishëm, pasi do të shohin se çfarë kanë vepruar dhe ku do të jetë përfundimi i tyre.

Njerëzit, besimtarët, kur të dalin nga xhamia pas faljes së namazit të Bajramit do të dalin të ndarë në dy grupe:

– Grupi i parë janë ata që do të jenë të gëzuar në botën tjetër, ata që kanë fituar shpërblimin e All-llahut të Madhërishëm e që do t’u thuhet nga All-llahu i Madhërishëm: “Shkoni të falur, pasi jam ndarë i kënaqur prej jush dhe ju do të jeni të kënaqur prej Meje.”

– Grupi i dytë janë grupi i të humburve, të cilët do të kthehen duar bosh dhe do të festojnë kotë pasi mbi ta do të jetë dënimi i All-llahut të Madhërishëm për mos agjërimin e tyre.

Një prej të devotshmëve një ditë po kalonte pranë disa njerëzve që i kishte gjetur duke u dëfryer gjatë festës dhe me këtë rast iu tha: “Nëse e keni kryer mirë agjërimin, atëherë në këtë mënyrë nuk falënderohet shpërblimi, e nëse gjatë Ramazanit nuk vepruat si duhet, atëherë këto sjellje nuk u takojnë atyre që të Mëshirshmin e kanë hidhëruar.”

Omer Ibn Abdulazizi kishte parë disa njerëz që po garonin me kuajt dhe devetë e tyre pas perëndimit të diellit. Teksa po zbrisnin nga kodrina e Arafatit u tha: “Nuk është fitimtar ai që arrin i pari duke shpejtuar, por fitimtar është ai që faljen e ka merituar.”

O musliman, ndalu për një çast dhe mendo mirë! Ndalu dhe shiko se sa njerëz kanë falur namazin e bajramit të kaluar pranë teje, ndërsa sot nuk janë askund. Ku janë ata? Ku shkuan? Per ku udhëtuan? Andaj, mendo mirë…

Ndërsa Ebu Atahije, një prej asketëve dhe modestëve të njohur, thotë:

“Sa prindër ku befasuar vdekja me fëmijët e tyre,

e sa të tjerë koha i ka heshtur.

E sa të rinj të zellshëm kemi takuar,

që nga familjet e tyre shpejt janë ndarë.

Për luftë janë nisur me luftëtarët.

Ndërsa tani i ushqen nata me ftohtësinë e

saj.

Atë e goditi ndarja me shigjetën e saj.

Dhe tani janë bërë prej të kaluarve.

E çka është me mua që shoh njerëz të pakujdesshëm.

Thuajse, zemrat e tyre janë të pamposhtura.

E shitën kënaqësinë e All-llahut për këtë botë,

edhe pse e dinin se është kalimtare.

Kur të zgjohen, zgjohen porsi luanët,

Që kanë fjetur të tharë nga uria.

Pamja e tyre mahnit sytë,

por fundi i tyre do të jetë mërzia.”

Nesër do të marrësh shpërblimin, nesër do të marrësh çmimin e asaj që ke punuar, nesër do të gjesh vlerësimin e veprave të tua të shkruara në regjistrat e engjëjve, andaj kij kujdes se çfarë do të shkruash dhe përgatitu për festën tënde të madhe. Përgatitu për festën kur të kesh fituar, me lejen e All-llahut të Madhërishëm, si shpërblim kënaqësinë dhe faljen e Tij. Në lidhje me këtë, All-llahu i Madhërishëm thotë: “Secili njeri do të shijojë vdekjen, e shpërblimet tuaja u plotësohen Ditën e Kijametit, e kush i shmanget zjarrit e futet në Xhennet, ai ka arritur shpëtim, e jeta e kësaj bote nuk është tjetër pos një përjetim mashtrues.”

O All-llah i Madhërishëm, pranoji veprat tona, sepse Ti je i Gjithëdijshmi dhe i Plotfuqishmi, dhe na fal neve, o Allllah i i Madhërishëm, sepse Ti je Falësi dhe Gjithëmëshirshmi!

Aid el-Karni

“30 Mësime për agjëruesit”

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit