18.4 C
Pristina
Sunday, May 5, 2024

Në kërkim të dinjitetit të humbur: kur tjetri është zot në shtëpinë tënde

Më të lexuarat

Armiku i ri tashmë, është delja e zezë, që i falet Allahut, nga ata që bien përmbys në xhami, mundësisht me mjekër dhe mundësisht edhe nga ata që mund të kenë studiuar në ndonjë vend arab!

 

Justinian TopulliNga Justinian Topulli

Ne, shqiptarët, shpesh krenohemi se jemi njerëz trima, se jemi komb liridashës dhe se për nder e liri kemi pranuar më mirë të vdesim dhe të vuajmë, sesa të na shkelin me këmbë të tjerët…
Po, kjo është e vërtetë, por monedha ka edhe anën tjetër të saj, atë pjesë të errët të këtij kombi që gjithmonë ka treguar një servilizëm të tepruar deri në përdhosje të dinjitetit të bashkëkombësve të vet, për hatër të të tjerëve.

Enver Hoxha e shiti Kosovën për hesap të të tjerëve, dhe po për hatër të disa të tjerëve, të kuq si të parët, çoi drejt vdekjes 22 intelektualë të pafajshëm, sepse u thye një xham ambasade…

Vitet 90’ dhe më pas, treguan nga pushteti “i ri” se ky servilizëm ndaj të tjerëve, edhe pse mund të mos shkonte deri në vrasje absurde, masive, si ato të kolerës komuniste, përsëri mendësia e absurdit sahanlëpirës vazhdoi. Raste absurde të përsëritura burgosjesh, arrestimesh, gjyqesh, ndalimesh, shoqërimesh dhe survejimesh vazhdojnë akoma edhe sot.

Armiku i ri tashmë, është delja e zezë, që i falet Allahut, nga ata që bien përmbys në xhami, mundësisht me mjekër dhe mundësisht edhe nga ata që mund të kenë studiuar në ndonjë vend arab!

Këta janë rreziku i ri kombëtar, që edhe pse mund të mos ketë asnjë shenjë, fakt apo provë të qenësishme që t’i inkriminojë në akte terroriste, mjaft që mediokrët dhe servilët tanë pa dinjitet dhe me mentalitet e praktikë komuniste t’i perceptojnë si radikalë dhe ekstremistë islamikë, që ata të konsiderohen si kontingjent për t’i rrasur brenda nëpër biruca, apo për t’i mbajtur me orë të tëra nëpër komisariate policie, derisa miqtë të largohen duke mos na “parfumuar” më, me gazrat e tyre të zhurmshëm!

Disa mund ta shohin, me të drejtë, si shkelje flagrante të të drejtave të njeriut, si rast diskriminimi i pastër ndaj muslimanëve, ku shkelet në mënyrë të paprecedentë parimi kushtetues i prezumimit të pafajësisë; e disa të tjerë, me të drejtë mund ta shohin si provokim, që me qëllim ose jo, do të krijojë panik të shtuar mes praktikantëve muslimanë,… etj.

Por mes të tjerash, mua më shqetëson më shumë fakti se deri kur ne shqiptarët do ta përdhosim dinjitetin tonë si njerëz të lirë, duke dëgjuar çdo çlirim gazrash që lëshojnë të tjerët drejt nesh?!

Shënim për organet (jo)kompetente: Ky reagim nuk mbron, as ka ndërmend të miratojë asnjë ekstremizëm dhe as të mbrojë cilindo njeri që çon ndërmend të kryejë akte terroriste, apo çfarëdo gjëje tjetër të paligjshme, por është klithje revolte për nderin e shqiptarit, për t’i dhënë vetes më shumë dinjitet njerëzor përballë të tjerëve. 

Autori është Kreu i Lidhjs së Hoxhallarëve të Shqipërisë, grupimit më të madh që merret me hoxhallarët me shtrirje në të gjithë territorin e Shqipërisë.
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit