11.5 C
Pristina
Monday, April 29, 2024

Në Gutën Lindore fëmijët kalojnë ditën me gjysmë vakti ushqimor

Më të lexuarat

Mijëra familje në Gutën Lindore e cila ndodhet nën rrethimin e regjimit të Bashar al Asadit në Damask të Sirisë i dërgojnë fëmijët në shkolla të uritur. Babai i 6 fëmijëve Ibrahim Muhammed, tha se për shkak të papunësisë ai mund të sigurojë për fëmijët e tij vetëm gjysmë vakti të ushqimit në ditë.

Ibrahim Muhammed, një nga mijëra baballarët që përpiqen të mbajnë familjet e tyre nën kthetrat e urisë dhe mungesës së ilaçeve në Gutën Lindore, duke folur për Anadolu Agency (AA), rreth gjendjes në rajon, ka përdorur shprehjen “përtej të keqes”.

Ai ka theksuar se për shkak të sulmeve të regjimit të Asadit nuk mund të gjejë punë në Gutën Lindore dhe se të gjithë shpresat i kanë tek organizatat e ndihmave humanitare. Duke vënë në dukje se nga mëngjesi deri në darkë mund të ushqehen vetëm me një gjysmë vakti, Ibrahim tha se “2.5 vite më parë emigruam këtu duke u largua nga sulmet. Situata në Gutën Lindore është përtej të keqes. Papunësia është në masë të madhe. Për 6 fëmijët e mi nga mëngjesi deri në darkë mund të siguroj vetëm një gjysmë vakti ushqim. Situata jonë do të ishte edhe më keqe, edhe më e dhimbshme nëse nuk do të ishte prania e organizatave humanitare.”

Për shkak të urisë kanë vështirësi në kuptimin e mësimeve

Ndërsa nëna Merjem është shprehur se “Kam 6 fëmijë, nuk di se çfarë të bëj kur ata janë të uritur.” Ajo ka shtuar më tej se para 2.5 vitesh për shkak të sulmeve intensive të regjimit të Asadit janë larguar nga rajoni Deyr Asafir në juglindje të Damaskut duke u strehuar në Gutën Lindore.

“Shkojnë në shkollë pa mëngjes. Në shkollë ulet përqendrimi në mësime dhe kanë vështirësi në të kuptuar. E si do të kuptojnë nëse janë të uritur?”, është shprehur Merjem, duke bërë të ditur se këtë herë kanë mbetur të detyruar të përballen me kushtet e rrethimit të cilat sa vijnë e vështirësohen.

Ndërsa Hide, me moshën më të vogël në familje duke vënë në dukje se nuk mund të përqendrohet gjatë mësimeve në shkollë që pavarësisht urisë përpiqet ta vazhdojë, është shprehur se “Jetojmë nën rrethim. Në shkollë shkojmë herët pa ngrënë mëngjes, ku edhe atje nuk mund të marrim ushqim. Nuk kuptoj asgjë në mësime sepse më merren mendtë.”

Afërsisht 400 mijë civilë në rajonin e Gutës Lindore e cila prej 5 vitesh ndodhet nën rrethimin e regjimit të Asadit dhe mbështetësve të tij, përpiqen të mbijetojnë në kushte të vështira dhe në uri. Për shkak të intensifikimit të rrethimit që regjimi zbaton që prej 7 muajsh në këtë rajon është ndaluar edhe hyrja e ushqimeve bazë dhe ilaçeve, që mund të hynin në mënyrë ilegale në rajon.

Sipas të dhënave të organizatave civile, mësohet se më shumë se 1000 fëmijë në Gutën Lindore janë në rrezik të vdekjes për shkak të mungesës së ushqimit dhe ilaçeve. Rrjeti Sirian për të Drejtat e Njeriut (SNHR) në raportin e tij të 24 tetorit, ka njoftuar se të paktën 397 civilë nga të cilët 206 fëmijë dhe 67 gra kanë humbur jetën për shkak të urisë dhe mungesës së ilaçeve.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit