6.7 C
Pristina
Tuesday, October 15, 2024

Ndoshta njeriu (shkencëtari) më i rëndësishëm nga të gjithë, është ai i i cili na mësoi neve si të numërojmë!

Më të lexuarat

EL-KHAWUARIZMI

Përgjatë Epokës së Mesjetës, Evropa ka përdorur numra romakë. Ashtu si grekët para tyre, romakët e bazuan sistemin e tyre numerik në shkronja. Grupi i simboleve që përdoreshin ishte relativisht i vogël, gjithsej shtatë: I, V, X, L, C, D, M, që përfaqësojnë përkatësisht 1, 5, 10, 50, 100, 500 dhe 1000. Pavarësisht thjeshtësisë, disa probleme mbetën. Shkrimi i numrave më të mëdhenj ishte i vështirë. Për shembull, 1938 shkruhet MCMXXXVIII. Sa i përket shumëzim, kjo ishte edhe më keq: 57 X 38 = 2166 bëhet LVII me XXXVIII = MMCLXVI. Ky sistem i rëndë e bënte llogaritjen e numrave të mëdhenj një çështje të lodhshme dhe që kërkonte shumë kohë. Si rrjedhim, aritmetika u lihej kryesisht disa specialistëve që kishin kohë të mjaftueshme në dispozicion.
Kjo situatë vazhdoi derisa Muhamed ibn Musa el-Khwarizmi iu bashkua Shtëpisë së Urtësisë në fillim të shekullit të nëntë. Ai ishte një astronom i madh i cili krijoi një tabelë të hershme ku katalogoi gjërësinë dhe gjatësinë gjeografike të mbi 2000 qyteteve, ashtu sikurse ai njihet kryesisht sot si një nga matematikanët më me ndikim të të gjitha kohërave. Libri i tij themelor Llogaritja me Plotësim e Ballancim[1] ndryshoi matematikën përgjithmonë.
Titulli i plotë në arabisht është El-Kitāb el-Mukhtaṣar fī Ḥisāb el-Xhabr wal-Mukābeleh. Nëse do të shikoni me kujdes, do të vini re se në titullin e këtij libri ndodhet një fjalë e njohur. Ajo është El-Xhebr, ajo që njohim sot si Algjebra – një prej degëve të mëdha të shkencës së matematikës.
El-Khwarizmi mund të mos ketë shpikur algjebrën në kuptimin modern. Meritat i kanë indianët që praktikuan së pari këtë art matematik. Gjithësesi, ishte el-Khwarizmi ai që futi algjebrën në perëndim. Stili i tij ishte aq i dashur dhe me autoritet sa vëllimi i tij u bë teksti standard matematikor në Evropë për katërqind vjet.
Kur libri u përkthye në latinisht treqind vjet më vonë me titull Liber Algorismi, bëri që, nga ana tjetër, emri i latinizuar i el-Kuarizmit të bëhej sinonim i vetë aritmetikës. Fjala algoritëm është një simbol i vlerës së këtij matematikani më të madh të muslimanëve.
El-Khwarizmi u mahnit nga matematika indiane. Duke parë potencialin e gjerë të sistemeve të saj numerike dhe dhjetore, ai shkruajti disa vepra që futën matematikën indiane në botën islame. Numrat ishin aq të lehtë për t’u përdorur saqë shpejt u bënë standard në të gjithë botën muslimane. Me botimin e Liber Algorismi të tij në Evropë, këto numra indianë u bënë të njohur si numra arabë, një dhuratë e botës islamike për krishterimin.
Për më tepër, numri më befasues që arabët u mësuan atyre, dhe nuk ishte aspak një numër, por mungesa e një të tilli, ishte zero.
Matematikanët muslimanë e shkruanin këtë mungesë numri me një pikë ose me një rreth të vogël. Ata e quajtën këtë sifër – diçka bosh. Nga kjo rrjedh dhe fjala zero ashtu sikurse dhe shifër.

Zeroja zgjidhi shumë probleme në matematikë. Lejoi shprehjen e zbritjes midis dy madhësive të barabarta – që jep shumën zero, si dhe shënimit të pozicionit të këtij numri [në boshtin numerik], ku pozicioni i shifrës tregon një vlerë në vetvete, e cila, duke u kombinuar me vlerën e një numri tjetër, nga ana tjetër, krijon vlerën e tij. Ishte një hap i ri i guximshëm në abstraksion që çoi matematikën drejt një niveli më lart – atë të Rilindjes.

Mark Graham “Si e ndërtoi Islami botën moderne”

Përktheu: Sabri Lushi

[1] Lirbri Llogaritja me Plotësim e Balancim ( anglisht: The Compendious Book on Calculation by Completion and Balancing) është një libër matematike në arabisht i shkruar nga dijetari i madh i shkencës el-Khawarizmi rreth vitit 820, gjatë kohës së kalifatit Abasit. Algjebra – siç njihet ndryshe – ishte një pikë referimi në historinë e matematikës, duke e bërë algjebrën një disipline shkencore të pavarur.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit