Burimet mjekësore palestineze bëjnë të ditur se ka ndërruar jetë 17-vjeçari palestinez Muhammad Zekarine, i cili u plagos rëndë në bastisjen e djeshme të forcave izraelite në qytetin Jenin në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli, raporton Anadolu Agency (AA).
Burime mjekësore palestineze thanë në një deklaratë për AA se i riu palestinez është goditur me plumba të vërtetë në bark. Edhe pse ai iu nënshtrua një operacioni të menjëhershëm në spital, mjekët nuk arritën ta shpëtonin.
Ushtria izraelite organizoi dy bastisje në Jenin gjatë fundjavës. Të shtunën, gjatë bastisjes pati një konflikt në të cilin u vra një palestinez, ndërsa dhjetëra të tjerë u plagosën.
Të dielën, ushtarët izraelitë hapën zjarr ndaj një automjeti ku ndodheshin vëllezërit palestinez të akuzuar për sulmin e armatosur në Tel Aviv, ndërsa Muhammad Zekarine u plagos rëndë.
Në katër sulme në Izrael në tre javët e fundit janë vrarë 14 persona. Në dy raste, sulmuesit ishin nga Jenini. /aa
Ndërroi jetë palestinezi 17-vjeçar, i plagosur gjatë një bastisjeje të forcave izraelite
