Afganistani do të jetë në krye të rendit të ditës, ndërsa kryetarë shtetesh dhe qeverish nga 28 vendet anëtare të NATO-s mblidhen në Çikago më 20 dhe 21 maj. Por siç njofton nga Uashingtoni korrespondenti i Zërit të Amerikës, André de Nesnera, udhëheqësit e NATO-s do të përqëndrohen edhe në dy çështje të tjera: aftësitë e aleancës dhe partneritetet.

Udhëheqësit e NATO-s do të diskutojnë në Çikago për masat që duhet të marrin në të ardhmen që aleanca të vazhdojë të zhvillohet dhe ruajë aftësitë ushtarake të nevojshme për të përmbushur misionet e saj.  Këto aftësi përfshijnë infrastrukturën, fuqinë ushtarake, mbështetjen logjistike si dhe aftësitë e zbulimit.

Eksperti i Këshillit për Marrëdhëniet me Jashtë të NATO-s, Charles Kupchan thotë se udhëheqësit do të përqëndrohen përsëri në mënyrat për t’u siguruar që fuqitë evropiane  të mbajnë pjesën e tyre të barrës ushtarake të NATO-s. Zoti Kupchan thotë se ndarja e kësaj barre merr një rëndësi të re për disa arsye.

“Njëra prej arsyeve është se Shtetet e Bashkuara po e pakësojnë angazhimin në Evropë, për t’u përqëndruar në Lindjen e Mesme dhe në Azinë Lindore, prania amerikane në Evropë është ulur në rreth 30 mijë trupa. Së dyti, Shtetet e Bashkuara përballen me probleme financiare dhe me një shkurtim të buxhetit të mbrojtjes. Dhe kjo shton më shumë ndjenjën në Shtetet e Bashkuara rreth angazhimit më të madh të partnerëve të NATO-s. Një arsye tjetër është kriza financiare në Evropë, që po dëmton fuqinë e Bashkimit Evropian dhe si pasojë shumica e burimeve do të përdoren për daljen nga borxhi dhe jo për të blerë pajisje dhe teknologji të re ushtarake”.

Ekspertët thonë se një shembull i mirë i ndarjes së barrës ishte konflikti në Libi, i cili përmbysi nga pushteti Muammar Gaddafin. Zoti Kupchan thotë se në atë rast evropianët luajtën rolin ushtarak udhëheqës.

“Por u pa gjithashtu qartë se Shtetet e Bashkuara duhej të mbështesnin evropianët mbi një sërë çështjesh të rëndësishme, përfshirë këtu rifurnizmin me karburant në fluturim, si dhe operacionet e zbulimit e të mbikqyrjes. Evropianët nuk qëndruan të organizuar dhe u desh që Shtetet e Bashkuara të shtonin rolin e tyre. Dhe në këtë aspekt, një mision relativisht i shkurtër dhe me një intensitet jo shumë të lartë, nxorri në pah faktin se evropianët nuk kanë aftësitë e duhura për një konflikt të tillë”.

Në takimin e Çikagos, udhëheqësit e NATO-s pritet të shqyrtojnë format e përdorimit të burimeve ushtarake në mënyrë më efikase dhe të integrojnë strukturat ushtarake shumë kombëshe, një koncept ky i njohur si “mbrojtje e zgjuar”.

Zyrtarë të lartë të aleancës do të diskutojnë gjithashtu mundësinë e partneriteteve me vendet jo anëtare të NATO-s si Australia, Zelanda e Re, Pakistani, Koreja, Irlanda, Suedia dhe Finlanda.

Eksperti i NATO-s Sean Kay në Universitetin Wesleyan në Ohajo thotë se ekziston një partneritet tjetër shumë i rëndësishëm.

“Dinamikat e marrëdhënieve mes NATO-s dhe Bashkimit Evropian, sepse në fund të fundit kur flasim për sfidën apo kërcënimin më të madh ndaj vendeve anëtare të NATO-s sot, nuk kemi të bëjmë me ndonjë kërcënim ushtarak ndaj këtyre vendeve. Ekonomia është aktualisht sfida dhe kërcënimi më i madh për këto vende”.

Zoti Kay thotë se kur flitet rreth krizës në Eurozonë, çështja më e pashmangshme që ngrihet ka të bëjë me shpenzimet e mbrojtjes.

“As evropianët dhe as amerikanët nuk duhet të shpenzojnë më shumë për mbrojtjen. Dhe çështja që ngrihet është, si do të përdoren marredhëniet mes NATO-s dhe BE-së për të njohur më mirë këto realitete të reja që kanë të bëjmë me buxhetin, përparësitë dhe operacionet. Gjithashtu çfarë roli mund të luajë Bashkimi Evropian për të ndihmuar evropianët që të marrin në dorë rolin udhëheqës në kontinetin e tyre nëse përballen me konflikte si ai i Libisë ose si konfliktet në Ballkan. Prandaj edhe partneriteti NATO-BE merr një rëndësi të madhe”.

Lidhur me Ballkanin, disa vende të rajonit, si për shembull Maqedonia, Mali i Zi dhe Bosnia, aspirojnë të anëtarësohen në NATO. Por ekspertët thonë se takimi i nivelit të lartë të NATO-s në Çikago nuk do të diskutojë zgjerimin e aleancës dhe as nuk do të ftojë vende të reja për t’u bërë anëtare./voa