Mes Hasan el-Basriut dhe Muhamed ibn Sirinit kishte një ftohje të marrëdhënieve mes tyre, dhe kur përmendej Ibn Sirini pranë Hasanit, ai thoshte: “Na lini nga përmendja e rrobaqepësit!”, duke pasur për qëllim se shumica e familjarëve të Ibn Sirinit merreshin me endjen e rrobave.
Njëherë, Hasani pa në ëndërr sikur ishte lakuriq, duke qëndruar mbi një grumbull plehrash dhe duke goditur me një shkop. U zgjua i shqetësuar nga kjo ëndërr dhe dërgoi njërin prej shokëve të tij te Ibn Sirini që t’ia komentonte ëndrrën, duke e paraqitur si ëndrrën e vet. Por Ibn Sirini ishte më i mprehtë sesa të mashtrohej nga kjo çështje, dhe i tha atij që erdhi: “Thuaji atij që ka parë ëndrrën: mos pyet për të tek rrobaqepësi!”
Kur lajmi mbërriti te Hasani, ai shkoi te Ibn Sirini në kuvendin e tij. Kur Ibn Sirini e pa, u ngrit drejt tij dhe u përqafuan; pastaj u ulën dhe u qortuan mes tyre. Më pas Hasani i tha: “Lëre këtë, o Ebu Bekër, më trego për ëndrrën, sepse ma ka trazuar zemrën!”
Ibn Sirini i tha: “Mos e shqetëso zemrën tënde. Lakuriqësia është shkëputje nga dynjaja, dhe ti nuk je prej atyre që e kërkojnë atë. Grumbulli i plehrave është dynjaja, dhe ti e sheh atë në realitetin e saj të vërtetë. Ndërsa shkopi është urtësia, me të cilën u flet njerëzve.”
Hasani tha: “E si e ditë se unë jam ai që e ka parë ëndrrën?”
Ibn Sirini u përgjigj: “Nuk njoh njeri më të denjë se ti që ta ketë parë atë!”
Burimi: Mu‘xhem el-Udebâ’ – Irshâd el-Erîb ilâ Ma‘rifet el-Edîb (3/1024) dhe El-Uâfî bi’l-Uefejât (12/191).
Gara mes të barabartëve vështirë se i shpëton kujtdo; përndryshe do t’i kishte shpëtuar Hasanit dhe Ibn Sirinit! Edhe pse të dy ishin të devotshëm dhe të ndershëm, mes tyre kishte njëfarë ftohjeje. Por është tipar i fisnikëve që, kur garojnë, të mos harrojnë virtytet e njëri-tjetrit dhe të mos mohojnë meritat. Hasani nuk dërgoi të dërguar te Ibn Sirini për shpjegimin e ëndrrës veçse sepse e njihte dijen dhe mjeshtërinë e tij në këtë fushë; dhe Ibn Sirini nuk e kuptoi se Hasani ishte ai që e kishte parë ëndrrën veçse sepse e njihte devotshmërinë dhe ndershmërinë e tij. Prandaj, nëse ndodh konkurrenca, mos e merr shembull Iblisin kur tha: “Unë jam më i mirë se ai”, por merr shembull Musain, paqja qoftë mbi të, kur tha: “Vëllai im Haruni është më i rrjedhshëm se unë në të folur.”
Po ashtu, është tipar i fisnikëve që të shfrytëzojnë edhe ngjarjen më të vogël për t’i rregulluar punët, sepse kthimi te e vërteta është më i mirë se këmbëngulja në të kotën. Sa fisnik ishte Hasani që e rishqyrtoi veten dhe shkoi te Ibn Sirini në kuvendin e tij; dhe sa fisnik ishte Ibn Sirini që u ngrit drejt Hasanit dhe e përqafoi!
Mos të të marrë mendjemadhësia me mëkat; shfrytëzo rastet dhe nxito drejt përmirësimit e korrigjimit. Nganjëherë kalojnë vite ftohjeje sepse humbëm një mundësi me të cilën mund të rregullonim gjërat. Nëse tjetri të paraprin me iniciativë, mos u bëj më i keqi nga të dy. Kush ecën një hap drejt teje, ec dy hapa drejt tij. Këtu nuk është vendi i krenarive boshe; ky është vendi i “Allahu i do bamirësit”, vendi i “pajtoni marrëdhëniet tuaja”, vendi i “kush përulet për hir të Allahut, Ai e lartëson”, dhe vendi i “kush përul veten për Allahun, bëhet i nderuar”.
Në fund të fundit, ne jemi njerëz: kemi dobësi dhe prirje njerëzore nga të cilat nuk mund të dalim plotësisht. Por zgjidhja kurrë nuk ka qenë dorëzimi para tyre vetëm pse gjenden brenda nesh; zgjidhja është t’i kontrollojmë ato, e jo të na kontrollojnë ato ne, t’i drejtojmë ato e jo të na drejtojnë ato neve. Sepse shpirti njerëzor është si një kalë i tërbuar; lum ai që e ka zbutur veten e tij!
