18.7 C
Pristina
Tuesday, April 30, 2024

Ministrja Xhaçka: Turqia mbështet Forcat e Armatosura të Shqipërisë

Më të lexuarat

Duke folur për rritjen e buxhetit, Xhaçka tha se kjo rritje do të bëhet e mundur edhe me asistencën dhe grantet e vendeve aleate, ku Turqia mbështet Forcat e Armatosura të Shqipërisë me një grant rreth 1 milion dollarë në vit

 

TIRANË (AA) – Është zhvilluar sot në Komisionin për Sigurinë Kombëtare në Kuvendin e Shqipërisë seanca e diskutimit për projektbuxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes për vitin 2018, ndërsa e pranishme ishte edhe ministrja Olta Xhaçka, ku u ndal edhe në ndihmën e Turqisë për Forcat e Armatosura të Shqipërisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Gjatë prezantimit, ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë, Olta Xhaçka, u shpreh se ky projektbuxhet siguron vazhdimësinë e zhvillimit të reformës në fushën e mbrojtjes, sipas saj, në përputhje me angazhimet dhe detyrimet si vend anëtar i NATO-s.

“Shqipëria ka marrë një angazhim në Samitin e Uellsit në vitin 2014, që buxheti i mbrojtjes deri në vitin 2024 të arrijë vlerën e 2 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Para zhvillimit të Samitit të NATO-s të këtij viti, në muajin prill Ministria e Mbrojtjes është dakorduar me Ministrinë e Financave për një plan rritjeje të buxhetit të mbrojtjes deri në vitin 2024. Në terma reale projektbuxheti i Ministrisë së Mbrojtjes, ka rritje të ndjeshme në krahasim me vitin 2017. Konsolidimi makro-ekonomik dhe fiskal, tashmë ka krijuar premisat e duhura, për plotësimin e detyrimeve të Qeverisë së Shqipërisë ndaj Aleancës”, theksoi ministrja Xhaçka.

Duke folur për rritjen e buxhetit të mbrojtjes, ministrja Xhaçka tha se kjo rritje do të bëhet e mundur edhe me asistencën dhe grantet e vendeve aleate, ku Turqia mbështet Forcat e Armatosura të Shqipërisë me një grant rreth 1 milion dollarë në vit.

“Trendi i rritjes është i dakorduar gjithashtu edhe me vetë NATO-n. Kjo dakortësi është pritur me vlerësim maksimal pozitiv pasi kemi qenë një nga vendet e para që paraqitën trendin rritës të buxhetit. Ne buxhetin do ta ndihmojmë edhe me asistencën e aleateve dhe grantet për vitin 2018. Do të përfitojmë edhe nga granti i përvitshëm turk, rreth 1 milion dollarë në vit. Në fund të këtij viti, Ministria italiane e Mbrojtjes do të dhurojë pesë mijë armë automatike, vlera e të cilave, nëse do të bliheshin do të kapte 7 milionë euro”, tha Xhaçka.

Në përfundim të fjalës së saj, ajo deklaroi se Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë do të vazhdojë të menaxhojë me kujdes e transparencë burimet financiare të alokuara.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit